Në datën 11 maj 2024, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, në qytetin e Kavajës u mbajt simpoziumi me temë “Familja, qelizë e shoqërisë, në këndvështrimin orthodhoks”, e organizuar nga kisha “Shën Nikolla” Kavajë, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit dhe Kolegjin Universitar “Logos”.
Veprimtaria e zhvillua në kinemanë e qytetit “Aleksandër Moisiu”. Ishin të pranishëm besimtarë, klerikë, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, intelektualë të qytetit, autoritete vendore, politikanë etj. Morën pjesë Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti, Protosingjel i Kryepiskopatës, Myftiu i qytetit, z. Besnik Leçini, Kryetari i Bashkisë, z. Fisnik Qosja, ish-Presidenti, z. Ilir Meta, deputetët z. Etien Xhafaj dhe z. Ervin Salianji, Ikonom Stavrofor atë Petro Thanasi dhe klerikë të tjerë, deputetë të zonës, pedagogë të Kolegjit Universitar “Logos” dhe përfaqësues nga shkolla “Protagonistët” e Kishës sonë etj. Veprimtaria u shoqërua edhe nga psalje të Korit Bizantin “Shën Joan Kukuzeli”, shfaqje nga grupi tradicional vllah dhe valle të Ansamblit folklorik “Besa”. Drejtor ekzekutiv dhe artistik i veprimtarisë ishte z. Harallamb Terziu, pedagog në Akademinë Theologjike, në bashkëpunim me znj. Fatjona Dimroçi, përgjegjëse e Zyrës së Fëmijëve pranë kishës “Shën Nikolla”, Kavajë.
Simpoziumi u hap me Himnin Kombëtar dhe psalje nga Kori Bizantin “Shën Joan Kukuzeli”. Në vazhdim ai u moderua nga znj. Entela Kostrista.
Referuesit kryesorë në veprimtari ishin Dr. Thoma Shkira, i Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës të Kolegjit Universitar “Logos”, i cili mbajti temën “Trashëgimia e bashkësisë së krishterë në Kavajë, rasti i kishave “Shën e Premte” (Shën Parashqevia) dhe “Shën Kolli” (Shën Nikolla); Dr. Joana Muça, nga Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë mbajti temën: “Evolucioni i familjes dhe rritja e moshës së martesës. Analizë e nevojave për shërbime psikologjike”; “Familja, themelet dhe sfidat”, u mbajt nga Msc. Thoma Çomëni, Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës dhe Msc. znj. Theano Kostoli, Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës referoi temën: “Roli i Gruas në familjen e Krishterë Orthodhokse”.
Simpoziumin e përshëndetën edhe Myftiu i qytetit, Kryetari i Bashkisë, atë Petro Thanasi etj. Gjatë saj përfaqësuesja e Kolegjit Universitar “Logos”, znj. Anisa Duka, dorëzoi edhe dy bursa studimi të akorduara për nxënës ekselentë në Kavajë, që u tërhoqën nga z. Rudi Hylviu, Kryetar i Këshillit Bashkiak, dhe z. Enver Biturku, drejtor i zyrës së Arsimit, Kavajë.
H. T.