Në datën 23 prill, Presidenca belge dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, arritën një marrëveshje për të shtuar martesat me detyrim, adoptimet ilegale dhe mëmësinë surrogato në llojet e shfrytëzimit që përfshihen në direktivat e BE kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Ka vende që kanë qëndrime edhe më të ashpra ndaj mëmësisë surrogato. Në Itali psh. po shqyrtohet në parlament një ligj që do ta quajë mëmësinë surrogato një vepër të dënueshme penale edhe kur kryhet jashtë vendit, në një shtet ku lejohet. Po kështu, është e ndaluar me ligj edhe ne mjaft vende të tjera.
Në mars 2023, qindra ekspertë të fushave të ndryshme, juristë, mjekë filozofë, psikologë etj., nga 75 vende të botës firmosën atë një njihet si “Karta e Kazablankës”, për arritjen e një marrëveshjeje globale për ndalimin e GPA (shtatzënisë për të tjerë). Sipas statistikave, vetëm në vitin 2022, ky tregtim i trupit të gruas kishte një prurje prej 14 miliardë dollarësh.
Ndërkohë që ky veprim në Evropë dhe në gjithë botën po has gjithnjë e më shumë kundërshtime dhe ndalime, çfarë ndodh në Shqipëri? Pa asnjë argumentim real dhe human, Ministria e Shëndetësisë përgatit një projektligj sipas të cilit kjo praktikë lejohet dhe mbështetet. Madje, për më shumë, lehtëson abortin dhe legalizon abortin e minoreneve fshehtazi nga prindërit, një veprim sa jomoral aq edhe i dënueshëm penalisht sipas ligjeve në fuqi!
Tashmë kanë filluar reagimet ndaj këtij ligji nga ekspertë, politikanë e klerikë dhe shpejt do të ketë qëndrime edhe më të forta kundër, por shqetësuese është mënyra indiferente e trajtimit të çështjeve morale. Kujtojmë gjithashtu, se, në botë, shumica e atyre që shfrytëzojnë mëmësinë surrogato janë çiftet e së njëjtës gjini.
Thoma Dhima