EmailFacebookKontakt

“Ki kujdes, pra, veten tënde”

Kjo porosi do të të shërbejë gjithmonë si këshilltar i mirë dhe do të të rikujtojë atëherë kur gjërat kanë për të ecur mbarë dhe gjithçka të jetë pozitive; të gjitha ato që thamë më sipër. Por edhe kur të kesh presion nga vështirësi të ndryshme, mund ta përsërisësh brenda vetes. Kështu as nuk do të rrezikosh të biesh në krenari arrogante dhe as nuk do të kërcënohesh prej dëshpërimit, që të rrëzohesh dhe të biesh në dëshpërim të thellë.

Krenohesh për pasurinë, mburresh për paraardhësit, gëzohesh për atdheun, për bukurinë trupore dhe për nderet që pranon nga të gjithë, “Ki kujdes veten tënde”, sepse je i vdekshëm: “Dhe je e në dhe do të shkosh”. Shiko ata që janë mburrur përpara teje për gjëra të këtij lloji.

Ku janë ata që kanë arritur pozitat e larta politike?

Ku janë oratorët e pamposhtur?

Ku janë organizatorët e festave të mëdha, kalorësit e lavdishëm, gjeneralët, satrapët, tiranët?

A nuk u bënë pluhur të gjithë?

A nuk janë të gjithë një përrallë?

A nuk ruhet në pak eshtra kujtimi i jetës së tyre?

Shko në varre se mos arrin të dallosh se cili është shërbëtori dhe cili është zotëria, cili është i varfri dhe cili i pasuri. Nëse mundesh, dallo robin nga mbreti, të fuqishmin nga i pafuqishmi, të bukurin nga i shëmtuari.

Për sa kohë që sjell në mend natyrën tënde, nuk do të krenohesh kurrë. Kujtoje veten, trego kujdesin e duhur për të.

Gjithashtu, ke prejardhje të ulët dhe je i parëndësishëm, i varfër nga prindër të varfër, pa shtëpi, pa atdhe, je i dobët, je i privuar prej gjërave të domosdoshme të ditës, ke frikë ata që zotërojnë pushtetin, ke frikë dhe turp të gjithë njerëzit për shkak të gjendjes sate të mjerë? Por, “i varfri”, na thotë Shkrimi i Shenjtë, “nuk kërcënohet”.

Pra, mos u dëshpëro dhe mos e hidh tutje çdo shpresë të mirë, meqë nuk ke tani në jetën tënde asgjë që ia vlen. Ngrije lart shpirtin tënd, drejt të mirave të përjetshme, drejt atyre që Perëndia ka krijuar për ty dhe atyre që, sipas premtimit të Tij, do të na falen në të ardhmen.

Dhe kryesorja, je njeri, i krijuar ndryshe nga kafshët.

A nuk të mjafton kjo – nëse mendon saktë – se je krijuar nga vetë duart e Perëndisë që krijoi gjithçka, me perspektivë çlodhjen qiellore? Pastaj, a nuk është madhështore për ty se je krijuar sipas ikonës së Krijuesit tënd, fakt që të dhuron mundësi, kur jeton me shpresëtari, që të bëhesh i denjë të jesh i barabartë për nga nderi me engjëjt e shenjtë?….

Shën Vasili i Madh – Homeli P. G 31,197.