Kur erdhi koha, të dashur besimtarë, dhe Krishti do të shkonte të përmbushte misionin për të cilin Ai kishte ardhur, u nis nga atdheu i tij nga Galilea, për në Jerusalem, por duhet të kalonte nëpërmjet Samarisë. Krishti duhet të kalonte në një fshat samaritan dhe Zoti për këtë dërgon disa lajmëtarë, që banorët e atij fshati ta presin, por ata refuzuan ta pranojnë Krishtin.
Kur dëgjuan këtë gjë dy nga apostujt më të afërt të Zotit, Joani dhe Jakovi, dy vëllezërit, bijtë e Zebedeut, i thanë Zotit: “Zot, dëshiron që tu themi që të zbres zjarr nga qielli mbi ta ashtu siç urdhëroi profeti Ilia?!” Zoti i thotë: “Ju nuk dini nga ç’frymë jeni! Unë nuk kam ardhur në botë që të shkatërroj njerëzimin, kam ardhur që ta shpëtoj njerëzimin!”
Gjithashtu e dimë historinë që Zoti kaloi në një fshat tjetër dhe u nis drejt Jerusalemit.
Na thotë vetë Krishti që Ai e përuli vetë veten e Tij, u bë njeri, na mësoi, na predikoi, bëri mrekullitë, duroi kryqëzimin, vdekjen, për ne, për shpëtimin tonë. Erdhi të na shpëtojë me misionin e tij, erdhi të na shpëtojë ne. E derdhi gjakun e tij mbi Kryq, që nëpërmjet gjakut të tij të shlyejë gjithë mëkatet tona. Ai ishte çmimi që Krishti dha për secilin prej nesh, që të shlyente borxhin që ne i kishim Perëndisë me mëkatin tonë, prandaj edhe kryqi u shenjtërua, prandaj kryqi është simbol i fitores. Dikur ishte një simbol turpi, por me ngjitjen e Zotit në kryq, me derdhjen e gjakut të Tij, ai u bë simbol i fitores.
Sot të dielën e tretë të kreshmëve, që është afër mesit të kreshmëve, kisha na e sjell Kryqin e Tij për të na kujtuar që ky është simboli me të cilin Zoti përmbushi misionin e Tij. Është simbol me të cilin Krishti triumfoj mbi vdekjen mbi pushtetin e të ligut.
Kryqi nuk është vetëm simbol i fitores, por edhe simbol i mbrojtjes sonë.
Tregojnë për shën Nifonin, që ishte kryepiskop i Kostandianës në shek. IV ishte bashkëkohës me shën Athanasin e Madh: Ai pa një vegim ku ishte i rrethuar me gjithë popullin e gëzuar të besimtarëve. Ai dhe pa që përpara qëndronte një kryq që ishte afërsisht sa trupi i tij. Një kryq në ar të kulluar. Ky Kryq,- thoshte,- nuk ishte vetëm para tij, por ishte edhe anash edhe mbrapa edhe poshtë edhe sipër, ishte i mbuluar i gjithi me kryq dhe kështu i ligu nuk mundte ta luftonte.
Ndonjëherë, kur Perëndia donte ta vinte në provë atë, hapte pak kryqet, linte një hapësirë dhe i ligu sa shikonte që kishte një hapësirë i lëshonte shigjetat e tij kundër shenjtorit. Kur shenjtori vihej në vështirësi, kur vinte tundimi, ulej në gjunjë, ngrinte duart drejt Perëndisë dhe kërkonte ndihmën dhe mëshirën e Zotit. Dhe demonët, kur shikonin që ai i lutej thoshin: “Të largohemi, të largohemi, sepse do të vijë Perëndia me engjëjt e tij për të na shkatërruar”. Ashtu ndodhte me të vërtetë!
Kështu është edhe kryqi për secilin prej nesh, ai është mbrojtja jonë. Nëse i kalojmë vështirësitë e jetës dhe duket që nuk kemi vështirësi të mëdha, kjo nuk është merita jonë, se jemi shumë të zgjuar, se jemi shumë të shenjtë. Jo, është se Perëndia na ka mbrojtur me kryqin e tij dhe nuk lejon që të na tundojë i ligu, të na sjellë në jetën tonë vështirësi që nuk e përballojmë dot dhe kur lejon ndonjëherë, lejon pak, aq sa mund ta përballojmë atë.
Kryqi, së treti, është edhe simbol i sakrificës! E dëgjuam pak më parë në pjesën e Ungjillit kur Zoti thotë “ai që do ta fitojë shpirtin e tij duhet ta humbasë atë dhe ai që e humbet, ai do ta fitojë”. Është sakrificë. Sakrifica është humbje, humbje për të fituar; dhe ju e dini shumë mirë që një tregtar i zgjuar duhet të investojë, të harxhojë, që të fitojë më tepër.
E dimë, në shumë vende të zhvilluara në Evropë sot, banorët e këtyre vendeve paguajnë taksa, harxhojnë e humbasin, por ajo taksë e tyre kthehet në një mirëqenie shumë më të lartë, jo vetëm për ata vetë, por për të gjithë banorët e atij vendi. Duhet të humbasësh që të fitosh!
Ndërsa në vendin tonë ne të gjithë duam të fitojnë. Madje, është hapur dhe ai koncepti tashmë që duhet të fitojmë, duhet të bëhemi të pasur, duhet të bëhemi shumë shpejt të pasur. Jo, pa humbje, pa sakrifica, nuk mund të fitosh!
Edhe kështu është edhe me besimin, pa sakrificë nuk mund të fitosh. Pa mbajtur kryqin secili prej nesh, është e pamundur që të arrijmë në gëzimin e Ngjalljes prandaj Kisha na kujton kryqin.
Kryqin që duhet ta mbajmë vazhdimisht dhe dimë që në këtë kryq që mbajmë nuk jemi vetëm, por është Perëndia bashkë me ne!
Të dashur besimtarë! Le ta vazhdojmë përpjekjen tonë drejt Pashkës, drejt Ngjalljes së Zotit me fuqinë e Kryqit, me mbrojtjen e Kryqit, me sakrificën e kryqit dhe kështu do ta arrijmë ta shijojmë gëzimin e Zotit dhe Ngjalljen e Tij. Amin!
E Diela e Lartësimit të Kryqit, nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla, 07.04.2024.