Në librin Përshkrim i Shkurtër i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, botuar në vitin 1868, mitropoliti Anthim Aleksudhi, kur përshkruan enoritë kishtare të Sheqishtes, Novoselës dhe Dukasit, përmend edhe fshatrat që ato kishin nën juridiksionin e tyre. Midis kishave të tjera enorike, ai përmend edhe kishën e Kryengjëjve Mihal dhe Gabriel në Dukas.
Prej saj sot ruhet një pjesë e godinës, disa selvi dhe varrezat e dikurshme.
Në vitin 1967, kisha u sekuestrua si shumë objekte tjera që i përkisnin Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe u përdor si vatër kulture. Më pas ajo do të mbyllej dhe braktisej duke u lënë në mëshirë të fatit. Sot prej saj ruhen një pjesë e mureve të naosit dhe frontoni i anës lindore deri në lartësinë e çatisë. Nga arkitektura dhe teknika e ndërtimit tregojnë se ajo ishte një kishë e tipit bazilikal që duhet të jetë ngritur në fund të shek. XVIII.