Në periudhën e antikitetit qyteti i Vlorës njihej me emrin Aulona dhe ndodhej në një pozicion të favorshëm gjeografik përgjatë gjirit detar me të njëjtin emër. Ajo përmendet për herë të parë në shek. II nga gjeografi nga Aleksandria Ptolemeu. Rëndësia e Aulonës do të rritet sidomos në shek. III, kur me fillimin e rënies së Apolonisë, ajo do të dilte si pikënisje e degës jugore të rrugës Egnatia. Ndërkohë, gërmimet arkeologjike të viteve 1985-1990 do të zbulonin në qendër të qytetit murin rrethues të Aulonës, ndërtim i shek. IV.
Gjatë antikitetit të vonë përmendet edhe si një qendër e krishterimit të hershëm. Të dhënat na dëshmojnë se në shek. II do të emërohej si episkop i Vlorës dhe Ilirisë një figurë e njohur: Shën Elefteri. Ai do të ekzekutohej më vonë nga autoritetet romake, në vitin 120, në një nga stadiumet e Romës. Ndërkohë që historia e përndjekjes së të krishterëve do të përsëritej, kur në vitin 300 do të ekzekutohej në Vlorë edhe Shën Danaksi, lexues i librave të shenjtë në kishën e qytetit.
Episkopët e Vlorës përmenden dendur në analet historike jo vetëm si pjesëmarrës në Sinodet Ekumenike, por edhe takimet dhe korrespondencat me personalitetet politike e kishtare të kohës. Kështu, në vitin 458 përmendet në letrën e perandorit bizantin Leoni I, episkopi Nazarius, kurse në vitin 519, një episkop tjetër i Vlorës pret të dërguarin e Papës Hormisdas. Disa vite me vonë, më 553, episkopi Sotir i Vlorës merr pjesë në Sinodin e Kostandinopojës.
Duhet thënë se në territorin që përfshin qytetin e Vlorës, arkeologët, nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë të ndërtimeve të vjetra të krishtera, sikurse në prapatokën e saj. Të tilla mund të përmendim rrënojat e bazilikave paleokristiane të shek. IV-VI në Amantia dhe Mesaplik. Po kështu, janë gjetur edhe rrënojat e kishave mesjetare në Xhyherinë, Sherishtë, Risili, Peshkëpi, Penkovë, Armen, Mesarak, Velçë, Brataj etj.
Gjatë gjithë periudhës së mesjetës, Vlora, do të ishte një nga qytetet e rëndësishme të bregdetit, qendër portuale, ekonomike, politike dhe fetare. Sipas dokumenteve të Patriarkanës së Kostandinopojës, në shek. VIII-X episkopata e Vlorës, do të ishte nën varësinë e Mitropolisë së Durrësit. Ndërsa gjatë shek. X-XI, kohë e pushtimeve dhe përballjeve bullgare-bizantine, duket se episkopata e Vlorës zhvendoset drejt Kaninës. Një fakt të tillë na dëshmon edhe letra e perandorit Vasili II, në vitin 1019, drejtuar Kryepiskopit të Ohrit, Joanit. Sipas saj, episkopit të Gllavenicës i lejohej të kishte nën juridiksion e tij Kaninën dhe Neaniskën, 40 klerikë e 40 parikë.
Kanina del si episkopatë më vete në bulën e perandorit Andronik Paleologut II, në vitin 1307, ku i njiheshin jo vetëm privilegjet e mëparshme dhënë nga perandorët bizantinë, por edhe një sërë pronash, si ato në Sarishtë, Mihalovë, Koprishtë, ullishtet e Mercevishtës dhe Çikës, tokat e Risilisë, Asomatit, fshati i Smokthinës, arat e Marmiroit, Malomirit, Treblovës dhe kriporet e Mifolit.
Në vitin 1417, me pushtimin turk, kjo episkopatë do të binte në varësinë e Mitropolisë së Beratit. Gjatë shekujve në vazhdim ajo do të suprimohet, fakt, që shihet më pas edhe në emërtimet e shek. XX. Kështu, në një shkresë të dt. 26 nëntor 1930, nënshkruar nga episkopi Agathangjel, ajo emërtohet si “Episkopata e Shenjtë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës”. Më pas e ndeshim si “Mitropolia e Shenjtë e Beratit dhe Vlorës”, ndërsa në vitet 1951-1952 me emrin “Episkopata e Beratit, Vlorës dhe gjithë Myzeqesë”.
Ndërkohë gjatë pushtimit turk një nga arsyet e rrudhjes së kësaj peshkopate do të ishte edhe konvertimi i popullsisë vendase në fenë islame. Një fakt të tillë e ilustron me një shembull konkret nga studjuesi Theofan Popa. Në librin “Mbishkrime të kishave në Shqipëri”, ai paraqet edhe një mbishkrim të vitit 1826, nga kisha e “Shën Gjergjit” e fshatit Kudhës: “Ky potir u bë për këtë kishë, Papa Zaho katundi Kudhës, episkopi i gjithëhirshëm Vonga 1826. Nga dora ime e të përvuajturit, mjeshtër Gjokës”, shkruhej në të. Ndërkohë në ligjëratë të drejtë, Popa, bën bashkangjitur me mbishkrimin edhe këtë shpjegim: “Me sa na ka komunikuar gojarisht nipi i tij, Papa Zaho ka qenë prift i Kuçit. U burgos dy vjet në Janinë nga Ali Pashë Tepelena në kohën e fushatës së këtij të fundit për islamizimin e popullsisë së krishterë. Kur u lirua nga burgu, prifti e gjeti Kuçin të islamizuar dhe u vendos pastaj në Kudhës, ku edhe vdiq më 1848”.
Dokumentet osmane dëshmojnë se në shek. XV në qytetin e Vlorës ndodheshin jo pak por 12 kisha, të tilla si: Shën Marku, Anabesi, Shën Nikolla, Lagjja Peratikos, Shën Parashqevia, Shën Thanasi, Shën Jorgji, Shën Dhimitri, Shën Pandelejmoni, Shën Triadha, Shën Joani dhe Shën Andoni. Kishën e Shën Thanasit e ndeshim edhe në një akt dhurimi të dt. 19 janar 1599, shkruar nga Dhimitri, prift dhe protopapë i Vlorës, që gjendet në kodikun e Vlorës, nr. 11. Po kështu, në librin “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, Eqrem Bej Vlora, na njofton se kur u pushtua nga turqit, në 17 qershor 1417, Vlora, kishte një lagje të quajtur e Shën Todrit. Ndërsa për Kaninën fqinje na jep të dhëna për ekzistencën e manastirit të “Shën Marisë” dhe kishës së “Shën Onufrit”, kambanën e së cilës e kishte dhuruar Gjergj Araniti.
Ndërkohë, nga kjo periudhë në Vlorë dhe prapatokën e saj trashëgohen një sërë toponimesh që kanë të bëjnë me krishterimin. Të tilla janë fshatrat Peshkëpi (episkopatë), Qishbardhë (kisha e bardhë), vendet e quajtura Jonufër (Shën Onufri) dhe Kllogjer (murg), apo në gjiret e Karaburunit dhe Sazanit, si: Shën Jani, Shën Vasili, Shën Andrea dhe Shën Kolli.
Krahas toponimisë krishterimi në Vlorë ofron edhe pasuri të tjera me vlera kulturore. Të tillë janë edhe katër kodikët e saj. Ata datojnë në shek. XII-XIV dhe i përkisnin dikur sipas shënimeve kishës së Shën Vlashit të Vlorës. Ndërkohë kjo kishë përmendet në vitin 1868 nga mitropoliti i Beratit, Aleksudhi, si kisha e Vlorës, në të cilën ushtronin ritet kishtare 45 familje orthodhokse. Ndërkohë që enoritë e tjera që shtriheshin përreth qytetit ishin edhe ato të Nartës, Zvërnecit, Dukatit, Mekatit, Selenicës, Bestrovës, Mifolit dhe Poros së Vlorës.
Ilirjan Gjika