EmailFacebookKontakt

Mrekullia e grurit nga shën theodhori

Në vitin 361, Julian Apostati po përpiqej, me sa kishte në dorë, të rivendoste zakonet pagane. Duke e ditur se të krishterët e kishin zakon të shenjtëronin veten e tyre gjatë Javës së Parë të Kreshmëve të Mëdha me lutje dhe kreshmë, tirani i lig i tha prefektit të Konstandinopojës të spërkaste të gjitha ushqimet që shiteshin në treg me gjakun e kafshëve të sakrifikuara për perënditë pagane. Në këtë mënyrë, asnjë njeri në qytet nuk do t’i shpëtonte dot ndotjes së idhujtarisë. Por Perëndia i të krishterëve nuk e braktisi popullin e Tij të zgjedhur. Ai dërgoi shërbëtorin e Tij, Theodhorin, për të turpëruar tiranin. Shën Theodhori iu shfaq në një vizion patriarkut Evdhoks (360-364) dhe e informoi për çka ndodhte dhe se duhej të urdhëronte të krishterët të mos blinin ushqim në treg, por, në vend të tyre, të hanin koliva, grurë të zier. Kështu, falë ndërhyrjes së martirit të shenjtë, Theodhorit, populli i krishterë u ruajt i pacenuar nga ndotja e idhujtarisë.

Kisha ka caktuar përkujtimin e kësaj mrekullie të shtunën e parë të Kreshmës së Madhe, për t’u kujtuar besimtarëve se kreshmimi dhe të përkorja kanë fuqinë për të pastruar të gjitha njollat e mëkatit.