EmailFacebookKontakt

Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara

Gjatë ditëve të Kreshmës së Madhe nuk kremtojmë Liturgji Hyjnore (përveç të shtunave dhe të dielave, që nuk janë ditë agjëruese/kreshmore liturgjike). Por, me qëllim që besimtarët të ndihmohen nga Kungata e Shenjtë në përpjekjen e tyre kreshmore, Kisha ka caktuar Liturgjinë e Dhuratave të Parashenjtëruara. Kjo është një shërbesë e vjetër në Kishën Orthodhokse. Zyrtarisht për të flitet fillimisht në kanonet e shekullit 7-të, gjë që tregon qartë se ajo është akoma më e hershme. “Gjatë gjithë ditëve të agjërimit të shenjtë në Kreshmë, përveç Sabatit, Ditës së Zotit dhe ditës së shenjtë të Ungjillizimit, duhet të shërbehet Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara” (Kanoni 52, Sinodi i vitit 692).

Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara është një shërbesë Mbrëmësoreje kreshmore solemne, në të cilën është shtuar dhënia e Kungatës së Shenjtë. Nuk ka shenjtërim të dhuratave eukaristike në Meshën e Parashenjtëruar. Kungimi i Shenjtë jepet prej dhuratës eukaristike, të shenjtëruar gjatë së Dielës së mëparshme, nga ku vjen edhe emri e “parashenjtëruar”. Ajo kryhet çdo të Mërkurë dhe të Premte në mëngjes ose në mbrëmje.

Gjatë psalmeve të Mbrëmësores, përgatiten për Kungim Dhuratat e Parashenjtëruara. Ato merren prej Tryezës së Shenjtë dhe vendosen në Tryezën e Blatimit (Proskomidhi). Mbas himnit mbrëmësor lexohen pjesë nga librat e Dhiatës së Vjetër (Gjenezës dhe Fjalëve të Urta). Ndërmjet dy leximeve prifti bekon popullin e gjunjëzuar me një qiri të ndezur, duke thënë: “Drita e Krishtit ju ndrittë të gjithëve”, duke treguar me këtë, se e gjithë dituria i është dhënë Kishës nga Krishti, nëpërmjet Shkrimit dhe Mistereve. Fillimisht ky bekim i drejtohej katikumenëve, atyre që përgatiteshin të pagëzoheshin në Pashkë, të cilët qëndronin në shërbesë deri në kohën e Kungimit të besnikëve (Shih më poshtë). Pas leximeve këndohet solemnisht psalmi mbrëmësor 140, i shoqëruar me temjanisjen. Pastaj, mbas Lutjes së Gjerë dhe lutjeve për katikumenët, dhuratat e parashenjtëruara sillen në Tryezën e Shenjtë me një procesion solemn dhe me një heshtje të thellë. Kënga e Hyrjes i thërret besimtarët për Kungim: “Tani fuqitë qiellore (d.m.th. engjëjt), bashkë me ne meshojnë padukurisht, se ja tek hyn Mbreti i Lavdisë. Ja therore mistike e kryer po vjen rreth. Me besë e me dashuri le të afrohemi, që të bëhemi pjesëtarë të jetës së përjetshme. Aliluia. Aliluia. Aliluia.”

Pas Litanisë dhe lutjeve, thuhet “Ati ynë…”, dhe besnikët marrin Kungatën e Shenjtë, ndërsa psaltët këndojnë në mënyrë recitative një herë apo më shumë, sipas numrit të atyre që kungohen, troparin “Në darkën tënde mistike…” ose vargun e Psalmit 33 “Shijoni dhe shihni se Zoti është i mirë. Aliluia.” Pastaj këndohen himnet pas-Kungimore dhe besnikët shkojnë me lutjen drejtuar Perëndisë, “që na ka sjellë në këto ditë të shenjta për pastrimin e pasioneve mishore” dhe që do të na bekojë “për të luftuar luftën e mirë, për të mbaruar kreshmën dhe për të arritur adhurimin e Ngjalljes së Shenjtë” të Krishtit.

Tradicionalisht, Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara është parë si vepër e Shën Grigorit, papë i Romës, në shekullin e 6-të. Por shërbesa e tanishme, është padyshim krijimi i frymëzuar liturgjik i Bizantit të krishterë.