Dua që të gjithë të mësojnë për një filantrop të padukshëm për pjesën më të madhe të njerëzve, filantrop shpirtëror dhe ndihmues i pakursyer i Mitropolisë së Korçës dhe gjithë Kishës tonë. Bëhet fjalë për igumenin e manastirit të Metamorfozës së Zotit Krisht, Arkimandritin Stefan Rinos.
Po e nis rrëfimin për të që në vitet e para të demokracisë, që në ato kohë kur “karvanë” plot me njerëz niseshin nga Shqipëria për në Greqi më këmbë, me besim e shpresë për një jetë më të mirë. Këta njerëz, të lodhur nga rruga dhe nga kushtet e motit, gjenin një strehë ku priteshin gjithnjë me dashuri, pa bërë dallime. Kjo strehë ishte manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Mikrokastro, Mitropolia e Siatistës, në Kozan të Greqisë. Aty shërbente si igumen atë Stefan Rinos, i cili i priste, i strehonte nëpër dhomat e manastirit, i ushqente, i vishte me rroba të reja, i krijonte mundësinë të çlodheshin dhe më pas i përcillte, pasi i pajiste me ushqime dhe të holla. Shumë prej tyre u gjente edhe punë, apo i drejtonte atje ku mund të gjenin. Grupe emigrantësh shkonin në manastir nga Korça e rrethinat e saj, nga Gramshi, Elbasani, Kukësi, Peshkopia dhe nga gjithë Shqipëria. Edhe sot, po t’i pyesësh, ata flasin me një ndjenjë të fortë respekti dhe dashurie për të.
Në atë kohë, në vendin tonë, kishat dhe objektet fetare ishin të shkatërruara ose të rrënuara. Nuk kishte ku të kryheshin shërbesat. Dhe përsëri ishte atë Stefani që, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, me iniciativë personale dhe mbështetjen e manastirit dhe të miqve të tij të shumtë në Greqi dhe jashtë saj, ndihmoi në ringritjen e tyre. E para ishte kisha e re e Shën Stefanit, në fshatin Malavec, ku u mbështetën mjaft edhe nga besimtarët e këtij fshati. Bëhet fjalë për vitet para 1997-tës, ku mungonin edhe materialet bazë për ndërtim. Gjithë baza materiale u sigurua në shtetin fqinj, madje edhe ustallarët. Populli ynë ishte i varfër. Ai e shikonte këtë dhe, sa herë vinte, makina e tij ishte e ngarkuar me ushqime dhe veshmbathje.
Asokohe kishte mjaft nevoja emergjente për të kryer shërbesa pagëzimi, kurorëzime, por edhe shërbesat për të fjeturit. Meqë kërkesat ishin të shumta, atë Stefani pagëzonte në manastir, si dhe në kishën ende të papërfunduar të Shën Stefanit.
Guri i themelit të kishës në fjalë u vendos nga Kryepiskopi Anastas me pjesëmarrjen e Mitropolitit të Siatistës, Hirësi Andonit. Ajo ditë ishte festë e madhe; erdhi gjithë fshati pa dallim, fshatrat përreth dhe shumë qytetarë nga Korça dhe personalitete të pushtetit vendor. Një kremtim po aq i madh u organizua edhe në ditën e përfundimit të punimeve dhe Shenjtërimit të Kishës nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani.
Atë Stefani nuk predikonte me fjalë, por me veprën e tij, me dashurinë për njerëzit, me sjelljen, si atë shpirtëror, udhërrëfyes i drejtë për bijtë shpirtërorë nga e gjithë Greqia, që e mbushin manastirin e tij çdo ditë. Por nuk janë të paktë edhe besimtarët që shkojnë edhe e takojnë që nga Mitropolia e Korçës dhe më gjerë. Takohen, bisedojnë, kryejnë misterin e rrëfimit dhe marrin prej tij mësime të vyera.
Puna e atë Stefanit në ndihmë të personave në nevojë dhe për rindërtimin e objekteve fetare është edhe më e gjerë. Në Mitropolinë e Korçës, ka kontribuar si për katedralen, ashtu edhe për kishën në rindërtim të Burimit Jetëdhënës. Edhe sot ndihmon me ushqime bazë për të funksionuar mensa e të varfërve, që ndodhet pranë mitropolisë, ku çdo ditë marrin ushqim mbi 100 persona në nevojë.
Edhe Kryepiskopi Anastas ka shprehur mirënjohje të thellë për atë Stefanin. Këto që përmenda janë shumë pak, sepse ndihma e tij është shumë më e madhe. Ai çdo gjë që e bën, e bën pa zhurmë dhe pa u dukur. Prandaj dhe mund ta quajmë filantrop të padukshëm.
Atë Andrea Zhurka