Në ditët e sotme, shoqëria, jo vetëm që toleron gjerësisht sjelljet devijuese, por ato njihen ligjërisht në shumë vende të botës dhe madje janë të mbrojtura me ligj.
15 vende të Bashkimit Evropian kanë institucionalizuar martesat mes të njëjtës gjini dhe të drejtën e adoptimit të fëmijëve nga këto “çifte”. Përfaqësuesit e këtyre grupeve i ndesh kudo, në media e filma apo show-et televizive. Të rinjtë po rriten në një mjedis ku pranimi rastësor i këtyre sjelljeve shihet gjithnjë e më shumë si normë dhe kundërshtarët e kësaj ideologjie shihen me përbuzje, jo vetëm si injorantë dhe të pandriçuar, por si tërësisht negativë dhe homofobë.
Ky ndryshim në qëndrime paraqet një sërë sfidash ndërsa ne kërkojmë të ndërtojmë jetën tonë si të krishterë. Në disa aspekte, çështjet me të cilat përballemi janë të ngjashme me ato të vëllezërve tanë që jetuan në antikitetin e vonë. Për ta, normat e moralit pagan përfaqësonin një status quo mbizotëruese prej kohësh, për të cilën Kisha shpalli një alternativë revolucionare, duke e sfiduar mentalitetin e asaj bote dhe duke e nxitur njerëzimin në marrëdhënie sipas natyrës. Kjo solli jo vetëm paqe sociale, por edhe një qytetërim që ndriçoi mbarë botën.
Shoqëria e sotme u gjend gati e papërgatitur përballë këtij fenomeni, duke i marrë të mirëqena vlerat që kishte ndërtuar njerëzimi me aq sakrifica. Po përballemi me një peizazh moral të ndërtuar rishtaz, në një kohë mjaft të shpejtë, sa hap e mbyll sytë, një peizazh i cili, larg nga të qenit statik, po evoluon me shpejtësi, ndërsa drejtohet përpara nga forca të fuqishme shoqërore dhe politike, duke shndërruar vlerat në antivlera.
Përpjekjet e politikave evropiane dhe mbrojtjes për marrëdhëniet jo natyrore, lobimi, promovimi dhe financimi i fuqishëm prej shoqatave jofitimprurëse për martesat e të njëjtës gjini dhe identiteteve alternative, na nxisin të qartësojmë pozicionin e krishterë për këto çështje kritike. Ne besojmë se të gjitha çështjet e besimit dhe të sjelljes njerëzore duhet të vlerësohen në bazë të traditës kishtare dhe të Shkrimit të Shenjtë, i cili është udhërrëfyesi ynë i pagabueshëm (2 Tim. 3:16-17).
Meqenëse Shkrimi i Shenjtë flet për natyrën e qenieve njerëzore dhe seksualitetin e tyre, është e domosdoshme të artikulohet saktë ajo që mëson në të vërtetë Kisha për këto çështje, pasi tani, në shoqëritë e sotme, janë bërë kaq të diskutueshme dhe po shkaktojnë shumë përçarje dhe ndasi. Martesa e së njëjtës gjini nuk tregon progres të shoqërisë, por regres dhe kjo do sjellë shkatërrim dhe degradim të saj.
Ne besojmë, në dritën e zbulesës biblike dhe traditës dymijëvjeçare të Kishës së Shenjtë, se pranimi kulturor në rritje i identitetit dhe sjelljes jo natyrore (mashkull dhe femër), martesat homoseksuale dhe përpjekjet për të ndryshuar identitetin biologjik janë të gjitha simptoma të një çrregullimi më të gjerë shpirtëror, që kërcënon para së gjithash, familjen.
Historikisht, këto sjellje janë përkufizuar si një problem emocional (psikologjik) ose organik (fiziologjik). Por, vitet e fundit, janë hequr nga lista e patologjive dhe kanë filluar të konceptohen gjerësisht si asgjë më shumë se një preferencë personale, moralisht neutrale, ose një aspekt natyral i “diversitetit biologjik” njerëzor.
Kur Perëndia e thirri Izraelin që të ishte populli i Tij në një kuptim të veçantë, Ai hyri në një marrëdhënie besëlidhjeje me ta dhe siguroi Ligjin, i bazuar në dashurinë për Perëndinë dhe të afërmin, me anë të të cilit ata mund të rregullonin jetën e tyre si një popull i shenjtë. Ai ligj përfshinte ndalime specifike të praktikave jonatyrore, si ai i librit të Levitikut 18:22, ku të tilla lidhje cilësohen si “të neveritshme”. Levitiku 20:13 na e rithekson edhe me tepër këtë.
Për këtë temë, Dhiata e Vjetër dhe e Re flasin me një zë.
Apostull Pavli përmend pasojat që pasuan në jetën e tyre: “Prandaj Perëndia i dha ata në ndyrësi me dëshirimet e zemrave të tyre, që të çnderohen trupat e tyre në mes vetë atyre, që e ndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, dhe nderuan e adhuruan krijesën më tepër se Krijuesin, i cili është i bekuar në jetë të jetëve. Amin. Prandaj Perëndia i dha ata në dëshirime çnderimi, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës…” (Romakëve 1:24-27).
Në kohën e Apostull Pavlit, qyteti i Korinthit ishte veçanërisht i njohur për imoralitetin e banorëve të tij. Qyteti nuk ishte vetëm një udhëkryq i lëvizjeve tregtare, por i të gjitha llojeve të veseve. Për shkak se në këtë qytet po ngrihej Kisha, ishte e rëndësishme që të krishterët e rinj të kuptonin rendin moral të Perëndisë. Konstatimi është i qartë. Apostull Pavli shkroi: “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë?” Pastaj vazhdon: Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë”.
Në krijimin e njerëzimit, Zoti vendosi rendin e seksualitetit me të cilin raca njerëzore do të zhvillohej dhe do të përjetësohej duke qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive (mashkull dhe femër) dhe në bashkimin e tyre. Psikologjikisht, marrëdhënia është e shëndoshë. Fizikisht, marrëdhënia është e natyrshme. Sociologjikisht, ajo vendos themelet për familjen. Rendi biblik për shprehjen e saj është ai i një marrëdhënieje fizike intime që duhet të ndahet ekskluzivisht brenda një besëlidhjeje martesore të përjetshme – një marrëdhënie heteroseksuale dhe monogame.
Emri i qytetit antik të Sodomës është bërë shembulli i dekadencës morale të një shoqërie, duke qenë sinonimi i sjelljes imorale…
Si të krishterë, ne i nxisim besimtarët të jetojnë në pastërti morale dhe të shprehin me fjalë dhe vepra dashurinë e Krishtit për të vuajturit, të munduarit e të humburit. Të vetëdijshëm për ftesën e Zotit në çdo aspekt të jetës sonë, duhet të theksojmë se jemi të thirrur në shenjtëri, por gjithashtu ne duhet t’u drejtohemi me dhembshuri dhe përulësi çdo qenieje njerëzore. Të krishterët, gjithashtu, duhet të bëjnë gjithçka që munden për të ndihmuar personin që ka luftuar me sjelljet jonatyrore dhe dëshirat për të ndryshuar dhe për të gjetur çlirimin. Ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë, por është i mundur. Mund të kërkojë ndihmën e të tjerëve, si klerikëve dhe teologëve apo katekistëve të Kishës etj.
Dëshirojmë që të gjithë të pajtohen me Perëndinë – të përjetojnë paqen dhe gëzimin që burojnë nga falja e mëkatit, nëpërmjet një marrëdhënieje personale me Zotin Jisu Krisht. Perëndia nuk do që të humbasë asnjëri në mëkatet e tij; Ai i fton të gjithë të pranojnë ofertën e Tij për jetën e përjetshme (Joani 3:16). Si pjesë e trupit së Tij, ne u bëjmë të gjithëve këtë ftesë për jetën në Krishtin.
Kisha e Shenjtë respekton zgjedhjen dhe vullnetin e lirë të çdo njeriu dhe nuk imponon askënd. Kisha frymëzon bijtë dhe bijat e saj sipas thënies të një Ati të Kishës se: I lumur është ai njeri që shikon çdo njeri si perëndi pas Perëndisë, meqenëse te çdo njeri gjendet ikona e Perëndisë dhe sado e dëmtuar, me hije, me plagë është kjo ikonë, sërish mbetet e krijuar sipas ikonës së Perëndisë.
Kisha nuk urren askënd, por lutet dhe fton çdo krijesë të pendohet, të heqë dorë nga mëkati dhe të kthehet te Zoti.
Si përfundim mund të themi se: Kisha është shtylla dhe baza e së vërtetës (1 Tim. 3:15), e themeluar mbi mësimet e Jisu Krishtit njëlloj dje, sot dhe përgjithmonë (Hebrenjve 13:8). Ajo nuk është e lëkundur nga erërat e filozofive dhe ideologjive bashkëkohore shoqërore dhe politike, por vazhdon të ofrojë rrugën drejt shërimit të personit njerëzor dhe rivendosjes së natyrës të rënë njerëzore. Ndër virtytet, një jetë e dëlirë mbetet synimi i çdo të krishteri besnik. Veprat e panatyrshme janë të ndaluara, sepse ato janë shkatërruese për shpirtin dhe trupin. Për sa i përket martesës, Kisha e kupton atë si një institucion të krijuar nga Perëndia përpara rënies, prandaj njeriu do të lërë babanë dhe nënën e tij dhe do të lidhet me gruan e tij: dhe ata do të jenë një mish i vetëm (Zan. 2:24) dhe më vonë u bekua nga Zoti ynë Jisu Krisht me mrekullinë e Tij të parë në Kana të Galilesë (Joani 2:1-11). Ky kuptim nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.
Kisha është një spital shpirtëror për njerëzimin e rënë. Me rënien, njeriu iu nënshtrua një morie dobësish trupore dhe shpirtërore, të cilat mund të gjejnë shërim vetëm nëpërmjet plotësisë së jetës shpirtërore brenda Kishës, e cila çon në bashkimin me Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht. Kisha i mirëpret të gjithë ata që luftojnë me pasionet, me mëkatet e çfarëdolloj forme dhe u ofron të gjithëve një rrugë shërimi dhe pajtimi me Perëndinë. Amin.
Atë Grigor Pelushi