EmailFacebookKontakt

Kryepiskopi i Sinait viziton Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës

Një surprizë e bukur për Mitropolinë e Gjirokastrës, ishte vizita plot dashuri e Kryepiskopit të Sinait, Faranit dhe Raithosë; njëherësh Igumen i Manastirit të Hirshëm të Shën Ekaterinës në Malin e Sinait. Në fakt, Kisha e Sinait ka statusin e Kishës Autonome, ndërsa Manastiri i Shën Ekaterinës, i themeluar nga perandori Justinian, dëshmohet si manastiri aktiv më jetëgjatë në botën Orthodhokse.

Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, i cili për shumë vite ka qenë pjesëtar i vëllazërisë murgërore të këtij Manastiri, falë miqësisë që lidh Imzot Damianoin me Kryepiskopin tonë Anastas, pati lejen dhe bekimin e tij për të ardhur në Shqipëri për të kontribuar në ringritjen e Kishës sonë, në veprën hierapostolike rigjallëruese të Besimit Orthodhoks.

Kryepiskopi Damiano, bashkë me ata që e shoqëronin, pasi u prit në selinë e Mitropolisë nga Hirësi Dhimitri, vizitoi kishën katedrale të Ngjalljes së Krishtit në Gjirokastër dhe përshëndeti klerikë dhe besimtarë që u ndodhën rastësisht aty. Ai u njoh me përpjekjen e Kryepiskopit për ngritjen e kishës së re dhe karakteristikat e saj ndërtimore, si dhe me jetën adhuruese të komunitetit lokal orthodhoks.

Me këtë rast, ai vizitoi edhe shkollat e Fondacionit “Frymë Dashurie” të Kishës sonë, ku u takua me anëtarë të stafit pedagogjik dhe nxënës të klasave të fundit të shkollës së mesme. Në këtë takim, drejtori i institucionit paraqiti shkurtimisht historikun e themelimit, kujdesin e drejtpërdrejtë nga Kryepiskopi Anastas, arritjet dhe pritshmëritë për perspektivën në kontributin për lartësimin shoqëror në vendin tonë.

Kryepiskopi Damiano iu referua edhe përvojës së Kishës së Sinait në kontributin për arsimin dhe theksoi edhe ngjashmëritë mes arsimit në Egjipt dhe në shkollat tona. Kjo, pasi ato kanë nxënës me përkatësi të ndryshme fetare dhe gjuhësore, ndërsa programet shkollore synojnë konvergimin dhe kultivimin e bashkekzistencës dhe bashkëveprimit.

Kryepiskopi Damiano u shpreh me konsiderate të thellë për Kryepiskopin tonë Anastas, për atë çka ai përfaqëson dhe bën për Shqipërinë dhe kontributin e tij në mbarë botën orthodhokse dhe më gjerë. Konkretisht, duke iu drejtuar nxënësve maturantë dhe paramaturantë, ai u tha se duhet të ndihen të sigurt në dashurinë dhe mësuesinë e Fortlumturisë së Tij, e cila i mbështjell të gjithë pasurisht dhe tepron për të përqafuar mbarë Orthodhoksinë.

Orfea Beci