EmailFacebookKontakt

Triodi i Shenjtë – Rrugëtim drejt Pashkës

Qëllimi i Kishës sonë të shenjtë është të ftojë çdo njeri drejt shpëtimit, duke i siguruar atij të gjitha mjetet e domosdoshme për të bërë të mundur këtë shpëtim. Ajo, si një nënë e dhembshur, u dhuron mundësi të pafundme bijve të saj, që t’i tërheqë ata drejt vetes dhe t’i shpëtojë.

Një mundësi e tillë është edhe periudha kataniktike e Triodit, e cila, atyre që dëshirojnë të ndiejnë thellësinë e pamasë të mëshirës hyjnore, u dhuron një hapësirë të madhe shpirtërore. Bëhet fjalë për një ftesë unike, e cila u drejtohet të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në betejën shpirtërore që ofron kjo periudhë e bekuar e vitit dhe të fitojnë trofetë shpirtërorë, si shpërblim për çdo përpjekje të tyren. Për më tepër, sipas shën Isaak Sirianit, “asketizmi është nëna e shenjtërisë” (Fjalimi 16).

Triodi i bekuar është periudha parapërgatitore e Pashkës, e cila shërben si përgatitje e vërtetë, për të marrë pjesë në të kremten më të madhe dhe më të ndritshme të Kishës sonë; për të na pastruar trupërisht dhe shpirtërisht nga të gjitha njollat e mëkatit, të cilat ndotin qenien tonë dhe na bëjnë krijesa të sëmura. Pjesëmarrja në këtë panair dritëprurës kërkon një ripërtëritje personale. Në të kundërt, dritangjallësore, që s’njeh perëndim, do të nxjerrë në pah papastërtinë tonë shpirtërore – atë që na pengon që të jemi në kungim me Shpëtimtarin e Ngjallur – dhe nuk do të shijojmë dot dhuratat e çmuara të Ngjalljes. Pra, ashtu siç na nxit edhe apostull Pavli, është e nevojshme që “Krishti të formohet brenda nesh” (Gal. 4:19).

Për jetën e Kishës sonë dhe për traditën tonë orthodhokse në veçanti, periudha e gjatë e Triodit është arena e betejave shpirtërore. Etërit e Shenjtë, për të shprehur mësimet kishtare, huazuan disa përngjasime nga jeta e përditshme. Një nga këto është edhe imazhi i arenës, një vend shumë i dashur për njerëzit e lashtë. Ashtu sikurse në arenat atletike nuk merrnin pjesë të gjithë njerëzit, por vetëm atletët, kështu edhe në arenën shpirtërore të Triodit marrin pjesë vetëm atletët e Krishtit, të gjithë ata që jetojnë në një vigjilencë të përhershme, të cilët futen në këtë periudhë të shenjtë për të kapërcyer veten e tyre të rënë e të dobët. Ndërkohë, jashtë arenës ndodhen shumë njerëz, të cilët luajnë rolin e vëzhguesve. Ata nuk do ta ndiejnë kurrë gëzimin e fitores.

Lufta shpirtërore nuk zhvillohet pa rregulla dhe pa strategji, ashtu si edhe betejat në arena. Një betejë shpirtërore pa parime, rregulla dhe një strategji të caktuar, është e padobishme, ndoshta edhe e dëmshme. Kësisoj, me kalimin e kohës, Etërit e shenjtë përcaktuan kushtet paraprake për një betejë të mirëfilltë shpirtërore. Fillimi ishte disi më i butë. Kështu, hapësira kohore nga e Diela e Fariseut dhe Tagrambledhësit deri të Dielën e të Lidhurit të Djathit, quhet periudhë parapërgatitore e Triodit. Ngjarjet, të kremtet dhe shërbesat liturgjike të kësaj periudhe ndërthuren në mjaft mirë e saktë me njëra-tjetrën, në mënyrë që lufta shpirtërore e besimtarit të jetë frytdhënëse.

Me t’u futur në Kreshmën e Madhe dhe të Shenjtë, lufta shpirtërore bëhet më intensive, me kreshmë, lutje, studim të Shkrimit të Shenjtë dhe, mbi të gjitha, me pjesëmarrjen në jetën misteriale dhe liturgjike të Kishës sonë. Luftëtari i krishterë nuk tërhiqet përpara pengesave të shumta që i vendos djalli gjatë rrugës, as nuk e pakëson luftën e vet. Përkundrazi, ai e di mirë se çdo lloj lodhjeje trupore dhe shpirtërore është kurth i të ligut dhe duhet shpërfillur. Kisha jonë na tregon rrugën e drejtë dhe na ndihmon. “Duke duruar shumë vuajtje, – thekson shën Simeon, Theologu i Ri, – ne imitojmë pësimet e Krishtit dhe përmes Tij falënderojmë Perëndinë Atë, si bij të Tij sipas hirit dhe si bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Kapitujt Praktikë dhe Teologjikë, 101). Ky është thelbi i asketizmit orthodhoks.

E Hëna e Bardhë, si dita e parë e Kreshmës së Madhe, karakterizohet nga kreshma e rreptë, në mënyrë që besimtari të ndërgjegjësohet se tashmë ka nisur Kreshma e Madhe. Privimi nga ushqimet me prejardhje shtazore dhe të yndyrshme është mëse i domosdoshëm në luftën shpirtërore, sepse këto ushqime krijojnë një gjendje plogështie, e cila është shumë e dëmshme për jetën shpirtërore.

E Diela e parë e Kreshmës i është kushtuar një ngjarjeje shumë të rëndësishme të Kishës sonë: kremtohet plot shkëlqim rivendosja e ikonave të shenjta në Kishë, e cila është edhe triumfi i Orthodhoksisë. Luftëtari i krishterë ftohet të kuptojë se lufta shpirtërore nuk është e izoluar dhe e shkëputur nga e vërteta dhe nga jeta e Kishës, sepse e vërteta e zbuluar, e cila ruhet e sigurt brenda Kishës, është kusht paraprak i shpëtimit të tij.

E Diela e dytë e Kreshmës i është kushtuar një prej Etërve të Kishës sonë, shën Grigor Pallamait, i cili jetoi dhe veproi në një periudhë të vështirë. Shën Grigori bëri një luftë shpirtërore të dyfishtë: ai luftoi fort për pastrimin dhe shenjtërimin e tij personal, por njëkohësisht luftoi me të gjitha forcat e tij për të ruajtur të sigurt të vërtetën dhe Traditën e Kishës. Gjatë kësaj periudhe, shën Grigori paraqitet si shembull i një luftëtari shpirtëror, i një asketi dhe mbrojtësi të traditës autentike të Kishës së Krishtit.

E Diela e tretë e Kreshmës i është kushtuar Faljes së Kryqit të Nderuar, në mënyrë që besimtarët të marrin forcë prej tij dhe të vazhdojnë luftën e tyre shpirtërore, sepse triumfi i Ngjalljes kalon përmes Kryqit.

E Diela e katërt e Kreshmës i është kushtuar një tjetër ati dhe asketi të madh të Kishës, shën Joanit të Shkallës, shkruesit të librit të famshëm “Shkalla e ngjitjes shpirtërore”, i cili, për më shumë se njëmijë e pesëqind vjet shërben si udhëzues thelbësor në luftën shpirtërore.

E Diela e pestë e Kreshmës i është kushtuar shën Marisë së Egjiptit, e cila është një shembull i gjallë i pendimit të vërtetë. Përpara se të fillonte jetën asketike, ajo ishte një vajzë e përdalë nga Aleksandria, e cila, përmes forcës së pendimit, jo vetëm shpëtoi prej moçalit të ndyrë të mëkatit, por u denjësua të arrinte në një shkallë të lartë shenjtërie. Shembulli dhe jeta e saj e thjeshtë na mëson se përmes forcës së pendimit njeriu, nga mëkatar, mund të bëhet shenjtor dhe “perëndi” sipas hirit.

Kisha jonë e Shenjtë i fton të gjithë njerëzit që të hyjnë në arenën shpirtërore të Triodit dhe të përpiqen fort për shpëtimin e tyre. Nuk ka rëndësi nëse do të jemi të parët apo të fundit. E rëndësishme është të ecim plot gëzim në rrugën e virtyteve. Por, pjesëmarrja në këtë arenë shpirtërore kërkon që të zhvishemi prej mantelit tonë të ndotur. Me fjalë të tjera, duhet të flakim tej jetën dhe mendësinë e botës, sepse këto na pengojnë në rrugëtimin tonë shpirtëror. Mirëpo, ky vendim nuk është aspak i lehtë, sepse mëkatet kanë hedhur rrënjë të thella në jetën tonë, e cila i kundërvihet vullnetit të Perëndisë, si edhe interesit tonë shpirtëror. Por, me lutje dhe me dëshirë të madhe, ne mund të bëjmë kapërcimin më të rëndësishëm të jetës sonë: të nisim rrugëtimin tonë shpirtëror drejt qiellit. Këtë mundësi të artë na e jep periudha e bekuar e Triodit. Le ta shfrytëzojmë…

Lambros K. Skontzou
Shqipëroi Stefan Zhupa