Më 9 shkurt 2024, Kolegji Universitar “LOGOS” organizoi një veprimtari me rastin e Ditës Botërore të Gjuhës Greke. Pedagogia nga Selaniku, znj. Dimitra Sfendoni-Mentzou, e njohur për studimin e Aristotelit, prezantoi temën: “Aristoteli, filozofi universal i shkencave dhe vlera e tij sot”.
Zonja Dimitra Sfendoni-Mentzou, Profesorësh Emeritus e Filozofisë në degën e Universitetit “Aristoteli” të Selanikut (A.U.TH.), themeluese dhe aktualisht Presidente e Qendrës Ndërdisiplinore për Studimet Aristoteliane të Universitetit, anëtare e Akademisë Austriake të Shkencave (OAW), autore e një sërë studimesh dhe artikujsh mbi Aristotelin, nënvizoi kontributin e tij të padiskutueshëm në Historinë e Filozofisë dhe Shkencave.
Ky shkencëtar gjenial themeloi degë të shkencave të ndryshme dhe krijoi një model dinamik të natyrës, i cili sot përfaqësohet nga zbulimet në Fizikën Kuantike dhe Fizikën e Elementeve të Vegjël, Gjenetikën, Biologjinë dhe shkenca të tjera. Po ashtu, mësimet që dalin nga filozofia politike dhe etike e tij janë veçanërisht të rëndësishme sot për zgjidhjen e problemeve globale. Për këtë qëllim, nevojitet lidhja midis jetës praktike, politike dhe etike, një fakt që arrihet me edukimin, e cila nuk synon vetëm trajnimin praktik, por edhe kultivimin e tërësisë së njeriut, të së mirit dhe të së mirës, të qytetarit të ndershëm, i cili dallohet nga virtyti i miqësisë dhe shoqërisë. Aristoteli pasuroi gjuhën greke me terminologjinë filozofike të tij, e cila shpreh kërkimin filozofik të thellë dhe vlerat e tij të përhershme për natyrën dhe ekzistencën.
Kryepiskopi Anastas, përmes lidhjes online, përshëndeti me ngrohtësi folësen dhe e falënderoi “për vërejtjet shumë interesante në punën e shkencëtarit Aristotel, për tërësinë, lëvizjen e vazhdueshme, universalitetin, kohës, dhe rëndësinë. Këto janë të kondensuara në emrin e Kolegjit Universitar “LOGOS”, i cili gjithmonë mbetet dritë dhe fuqi jete. Mendimi orthodhoks ka bërë një hap të madh, duke zbuluar se kulmi i virtytit është vetë dashuria dhe mishërimi i së vërtetës, Biri dhe Fjala e Perëndisë”.
Aktiviteti u organizua nga Departamenti i Gjuhëve dhe Letërsisë së Kolegjit Universitar “LOGOS”, me mbështetjen e Ambasadës së Greqisë dhe bashkëpunimin me Departamentin e Gjuhës Greke të Universitetit të Tiranës. Ai u shoqërua nga një ekspozitë fotografike me temën “Aristoteli: një filozof universal, një studiues i gjithëdijshëm, një mendimtar aktual”, e cila do të jetë e hapur deri më 10 mars 2024, në hollin e Kolegjit Universitar “LOGOS”.
Anisa Duka