EmailFacebookKontakt

Rezultate të larta në shkallë kombëtare

Medalje ari dhe vlerësime të larta për shkollat e mesme të përgjithshme të Fondacionit “Fryma e Dashurisë” të Kishës sonë

Vit pas viti, rezultatet dhe vlerësimet për shkollat e ngritura nga Kisha jonë, më nismën dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, kanë qenë gjithmonë në rritje. Dëshmi e kësaj janë edhe kërkesat aq të shumta për t’u regjistruar në to, sa është e pamundur të pranohen të gjitha.

Këtë e dëshmojnë edhe vlerësimet zyrtare nga organet shtetërore përkatëse, në ceremonitë e organizuara për të vlerësuar me medalje të artë nxënësit me rezultate të shkëlqyera në maturën shtetërore.

Kështu, për Shkollën e Mesme të Përgjithshme shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, në Tiranë, arritjet e këtyre maturantëve janë vlerësuar me medalje ari në dy vitet e fundit mësimore gjashtë maturantë:

• Për vitin shkollor 2021-2022, tre maturantë: Nidia Fino, Gloriano Sherifi dhe Martin Çaro.

• Për vitin 2022-2023, gjithashtu tre maturantë: Airin Shestani, Ergi Tafa dhe Kejtlin Bushi.

Medaljet për nxënësit më të mirë në shkallë republike u dorëzuan nga Kryeministri, z. Edi Rama; Ministrja e Arsimit dhe Mirëqenies Sociale, znj. Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi.

Këto arritje janë rezultat i përkushtimit dhe dëshirës së tyre për t’u renditur ndër më të mirët, por edhe punës së palodhur të stafit akademik të shkollës.

Gjithashtu, me medalje të artë për rezultatet e arritura u nderua nga Kryeministria dhe Ministria e Arsimit edhe nxënësja Fiona Pula, e shkollës “Frymë Dashurie”, Gjirokastër.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Arsimit, institucioni ynë arsimor “Frymë Dashurie” në Gjirokastër u rendit në vendin e 2-të dhe të 3-të ndër shkollat publike më të mira në renditjen kombëtare! Kjo arritje shumë e rëndësishme është fryt i punës së përditshme dhe cilësore të mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle, të cilët nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas dhe Mitropolitit Dhimitër, vazhdojnë të jenë entuziastë për rrugëtimin e tyre!