E kremtja e Theofanisë kujton pagëzimin në Jordan të Zotit Jisu Krisht nga Joan Pagëzori, si dhe zbritjen e Shpirtit të Shenjtë. Në këtë ditë kryhet shërbesa e Shenjtërimit të Ujërave dhe, sipas traditës, të rinj besimtarë hidhen në ujërat e lumenjve, liqeneve e deteve për të kapur kryqin e shenjtë.
Edhe këtë vit kjo e kremte u festua masivisht në mbarë vendin. Në Tiranë, Bekimi i Madh i Ujit u krye nga Mitropoliti Nathanail në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, të mbushur plot e përplot.
Në Berat, shërbesa filloi herët në mëngjes në Katedralen e Shën Dhimitrit, dhe më pas besimtarët u nisën në litani drejt urës së Goricës. Atje, Arkimandrit Anastas Mamaj hodhi kryqin në ujërat e Osumit, ku prisnin 11 të rinj. Kryqi u kap nga 15-vjeçari Kostandin Boçi.
Në Korçë, Hirësi Joani, Pas Liturgjisë dhe Shërbesës në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, iu drejtua shatërvanit te sheshi “Vangjush Mio”, ku kryqi u kap për herë të dytë nga besimtari Ronaldo Kovaçi. Gjithashtu, Hirësia e Tij kreu shërbesën e Shenjtërimit të Ujërave edhe në liqenin e Pogradecit, ku 20 të rinj sfiduan temperaturat e ftohta. Kryqin e kapi i riu Thanas Vako.
Në Gjirokastër, Shërbesa u krye në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe më pas kryqi u hodh në ujërat e Drinos. Ai u kap nga 13-vjeçari Moisi Mërkuri.
Në Sarandë, shërbesat u kryen nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri. Në vijim pasoi litania nga kisha e Shën Harallambit drejt detit, ku u kap nga Leonidha Zisi.
Në Fier, shërbesat u kryen nga Mitropoliti Nikolla në Katedralen e Shën Gjergjit. Kryqi u hodh në shatërvanin në qendër të qytetit, ku kryqi u kap nga Dhimitër Kapo.
Në Elbasan, Shërbesat u kryen në kishën e Shën Nikollës nga Mitropoliti Andon. Pastaj besimtarët iu drejtuan kompleksit të pishinave “Ajek”, ku kryqi u kap nga 13-vjeçari Vangjel Bilbili.
Në Vlorë, kryqi u hodh në ujërat e deti nga atë Konstandin prifti dhe u kap nga Albert Bollano.
Në Durrës shërbesat u kryen në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit nga Episkop Asti. Më pas besimtarët u drejtuan nga porti i qytetit, ku të rinjtë u hodhën në ujërat e Adriatikut dhe Ilia Papajorgji kapi kryqin.
Pas shërbesave, besimtarët morën nga uji i bekuar për shtëpitë e tyre, për ta konsumuar me shpresëtari përgjatë gjithë vitit.