EmailFacebookKontakt

Bota do të bëhet bukuria e Krishtit

Afërsisht njëqind vjet pas “Ngadhënjimit të Orthodhoksisë”, në një kronikë ruse ruhen fjalët plot drojë të lajmëtarëve të Vladimirit, princit të Kievit (v. 1015), pasi ishin kthyer nga Kostandinopoja: “Nuk e kuptonim dot në ndodheshim në qiell a në tokë, sepse në tokë nuk ka madhështi apo bukuri të tillë dhe nuk gjejmë fjalë për ta përshkruar. Ne dimë vetëm se Perëndia banon atje, mes njerëzve, dhe se shërbesa e tyre është më e përsosur se ceremonitë e kombeve të tjera”. Lajmëtarët nuk ishin në gjendje të shprehnin çka kishin përjetuar në kishën Hagia Sofia (“Urtësia e Shenjtë”), në Kostandinopojë. Kjo histori e njohur dhe shumë e cituar tregon se sa e lidhur ka qenë estetika me spiritualitetin në Kishën Orthodhokse Lindore. Këtu, e paprekshmja gati mund të preket prej shqisave, si në afreskun e Mikelanxhelos: “Krijimi i Adamit”, në kishëzën Sistine, ku gishti i Adamit zgjatet me guxim drejt gishtit të Krijuesit. Kësisoj, hendeku ontologjik ndërmjet Krijuesit dhe krijesës zvogëlohet nëpërmjet ikonave dhe himneve liturgjike dhe përvoja e pranisë së Perëndisë bëhet tepër personale dhe joshëse.

Në romanin e Dostojevskit “Idioti”, Ipolit Terentini pyet Mishkinin: “A është e vërtetë, princ, se dikur keni thënë se botën do ta shpëtojë bukuria? Cila bukuri do ta shpëtojë botën?”. Përgjigjen e jep vetë Dostojevski në një roman tjetër, në romanin “Djajtë”: “Bota do të bëhet bukuria e Krishtit”. Duke e parafrazuar, mund të thuhet: “Bukuria e Krishtit do të shpëtojë botën”. Këtu ngrihet një pyetje tjetër: “Cila bukuri e Krishtit?”. Bukuria për të cilën flitet, sipas interpretimit kristologjik, në psalmin 44(45):3(2): “Ti je më i bukuri nga pamja ndër bijtë e njerëzve, mbi buzët e tua hiri u derdh”? Mirëpo, ç’mund të themi për Isa. 53:2, ku flitet qartësisht për Mesian që vuan: “S’kishte as trajtë, as lavdi dhe ne e pamë atë; nuk kishte as paraqitje, as bukuri!”, tekst që Etërit e Kishës e kanë përdorur për Pësimin e Krishtit?…

Siç e thekson edhe Ratzingeri, pas Aushvicit dhe pas pyetjes së ngritur në mendimin post-Holokaust rreth “heshtjes së Perëndisë” para mizorive të historisë, vetëm bukuria nuk është më ideal i mjaftueshëm. Megjithatë, vendosja e çuditshme e “bukurisë” përkrah “shëmtisë”, që vërehet në tekstet e mësipërme mesianike (d.m.th. tek Ps. 44[45] dhe Isa. 53), nxjerr në pah se gjatë Pësimit të Krishtit bukuria e përkryer nuk u shkatërrua dhe nuk u asgjësua nga shëmtia dhe dhuna e kësaj bote. Përkundrazi, bukuria u tjetërsua dhe u shndërrua nga e vërteta dhe dashuria e atij “që jep jetën për miqtë e vet” (Jn. 15:13). Nëpërmjet pësimit të Krishtit bukuria bëhet më e prekshme dhe më e thellë. Duke lejuar që të rrihej, të pështyhej e të kurorëzohej me një kurorë prej gjembash, Krishti dëshmon se bukuria mund të bashkekzistojë me vuajtjen dhe me dhunën. Bukuria e vërtetë dhe e përsosur është bukuria e dashurisë, si blatim i vetes për të tjerët. Kjo bukuri është më e fuqishme se dhuna që ajo pëson në këtë botë, sepse ajo e blaton veten si dhuratë në mes të këtij harbimi çoroditës. Për këtë arsye, pasuesit e Krishtit nuk duhet të sprapsen para vështirësive të jetës. Ndërsa jepen pas bukurisë magjepsëse të Zotit, ata nxiten të marrin zemër për të kërkuar bukurinë, dashurinë dhe të vërtetën (Jn. 14:27,16:33).

Edhe pse bukuria e vërtetë që lind nga dashuria e durueshme dhe vetëblatuese e bën vëzhguesin të lirë, ekziston edhe bukuria verbuese dhe mashtruese, e cila mund ta mbyllë vëzhguesin në vetvete. Nëse qëllimi i së parë është të lindë dëshirën për vetëblatim, synimi i së dytës është të imponojë dëshirën për zotërim dhe vetëkënaqësi. Arti i krishterë ka dy armiq: shëmtinë e një bote të dhunshme, që najosh me parullën “bukuria është joreale” dhe artin e joshjes, që i bën qeniet njerëzore të jenë skllevër të instikteve dhe dëshirave të tij bazike.

Eugen J. Pentiuc,
“Dhiata e Vjetër në Traditën Ortodokse Lindore”.
Përktheu: Stefan Zhupa.
Botim i Shoqërisë Biblike.