Ndërsa po përmbyllen punimet për rindërtimin e çatisë në kishën e Shën Parashqevisë, në enorinë e Hllomosë, në zonën e Pogonit të Mitropolisë së Gjirokastrës, duhet nënvizuar fakti se kjo, përtej konkretes, ka një dimension të theksuar shpirtëror dhe baritor.
Kryepiskopi Anastas, duke treguar kujdes të veçantë për trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore Orthodhokse, jep mbështetje shpresëdhënëse komuniteteve që ndërmarrin nisma për të vazhduar dëshminë e tyre në kohë dhe hapësirë.
Konkretisht, nga ana e besimtarëve dhe priftit të tyre përgjegjës, në këtë enori historike dhe me rrënjë të thella, u konstatua nevoja për të ndërhyrë në rindërtimin e çatisë në kishën e tyre të mrekullueshme dhe me vlera të rralla.
Në këtë nismë patën mbështetje dhe udhëheqjen e nevojshme nga ana e Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrit, si dhe kontributin e specialistëve për trashëgiminë Orthodhokse të Kishës sonë. Pjesëmarrja e komunitetit u konkretizua me grumbullim kontributesh vullnetare jo të vogla. Gjithashtu, kërkesës së tyre, Kryepiskopi Anastas iu përgjigj jo në mënyrë abstrakte, por me nxitjen për të vazhduar. Në vijim të hapave për organizimin e punës dhe përpilimin e dosjes për miratim në bashkëpunim me shërbimet e Ministrisë së Kulturës dhe bashkisë respektive, u siguruan nga Kryepiskopi fondet e nevojshme dhe, kësisoj, nisën punimet.
Bëhet fjalë për një vepër që ndërmerret pas thuajse 100 vjetësh, përderisa ripërtëritja e çatisë është realizuar rreth vitit 1920, sikundër dëshmohet. Volumi i punës që u realizua në pak muaj është veçanërisht i konsiderueshëm, duke marrë parasysh madhësinë e kishës, kompleksitetin e çatisë dhe terrenin e vështirë në të cilën ndodhet fshati. Pas zbulimit të çatisë ekzistuese dhe situatës u konstatuan edhe problematika të tjera, që e bënë ndërhyrjen akoma edhe më të rëndësishme.
Historik i shkurtër
Kisha e Shën Parashqevisë, në gjendjen që e hasim sot, u ndërtua në vitin 1857, nga grupet e famshme të ndërtimit të Vurbjanit. Ka përmasa 20m x15m dhe lartësi më se 24m (në kulmin e çatisë). Këto përmasa imponente dhe thurja arkitektonike për sistemin e saj statik, si dhe kubetë e brendshme, në kombinim me elementë teknikë të ndërtimtarisë, i japin asaj vlera të veçanta. Nuk është thjeshtë godina më e rëndësishme e këtij vendbanimi, por një arritje arkitekturore dhe urbanistike në një zonë malore. Ishte pikërisht besimi dhe përkushtimi i thellë në Kishën Orthodhokse ai që frymëzoi besimtarët e mërguar të Hllomosë për të ndërmarrë dhe realizuar këtë vepër unikale monumentale. Mbulesa e çatisë u zëvendësua nga ajo me rrasë guri në tjegulla pas thuajse 65 vitesh.
Në vitet e persekutimit të egër ateist, kisha u shndërrua në vend magazinimi për kooperativën shtetërore, gjë që rezultoi në mjaft dëme të shkaktuara nga mosmirëmbajtja dhe grabitja e vlerave të rralla të interierit të saj. Pas rivendosjes të së drejtës së besimit dhe ushtrimit të lirë të mistereve dhe shërbesave të Kishës sonë Orthodhokse, u bë përsëri qendra e komunitetit të besimtarëve. Sikundër dhjetëra kisha dhe manastire të tjera u bënë pre e grabitësve, që vodhën sende të adhurimi, ikona dhe të tjera relike, që ishin shpëtuar dhe ruheshin në to (në fondin që organet ligjzbatuese kanë kapur dhe sekuestruar nga abuzuesi Gjergj Thimo, ka ikona dhe pjesë të druri të skalitur pikërisht nga kjo kishë). Që pas rikthimit në destinacionin funksional të kishës së Shenjtores Parashqevi me ndërhyrjet më të nevojshme për rehabilitimin e saj liturgjikal, ajo u shërben nevojave adhuruese të komunitetit, falë pranisë dhe përkushtimit të pareshtur të klerikëve të kësaj mitropolie.
Vepra e Ujësjellësit
Në periudhën e vështirësive ekonomike dhe financiare, Kryepiskopi Anastas mbështeti një vepër me rëndësi esenciale për vazhdimin dhe mbijetesën e komunitetit lokal të besimtarëve të Hllomosë.
Në vitin 2011 u ndërmor dhe u realizua me financim, por kryesisht me nxitjen shpirtërore të tij, puna për furnizimin me ujë të këtij komuniteti lokal. Për këtë nga u financua dhe mbështet teknikisht realizimi i ujësjellësit nga burimet e Opsadhës, me një linjë mese 5 km në terren shumë të thyer dhe të vështirë, me tubacion të parametrave teknike adekuate dhe u realizua edhe rezervuari i nevojshëm për t’u përgjigjur nevojave të të gjithë ekonomive familjare, aktuale dhe në perspektivë. Vlen të theksohet fakti se gjatë gjithë historisë së ekzistencës së këtij fshati nuk ishte ndërmarrë një nismë e tillë për furnizimin me ujë, si nevojë jetësore bazike. Me këtë nismë të Kryepiskopit Anastas u realizua ujësjellësi i Hllomos dhe u plotësua një parakusht për vazhdimin e veprimtarisë në të.
Orfea Beci