Ndër veprimtaritë shpirtërore dhe baritore që zhvillon Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, në grigjën e kësaj Mitropolie, mjaft i veçantë mbetet takimi me të rinjtë studentë Orthodhoksë.
Është bërë tashmë në traditë që ky takim të realizohet në ditën e tretë pas Krishtlindjes, në vijim të atmosferës festive dhe duke shfrytëzuar mundësinë e rikthimit në vatrat familjare nga vendet ku ata studiojnë.
Edhe për këtë vit takimi vjetor i Rinisë Studentore Orthodhokse të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, u realizua më 27 dhjetor, ditën kur kujtojmë Kryedhjakonin Stefan, martirin e parë. Është edhe kjo domethënëse, duke kujtuar moshën e tij të re, gjë që përbën shembull për të rinjtë që duan të vijojnë rrugën e përpjekjes shpirtërore dhe përballimit të një periudhe me sfida të mëdha për shoqërinë. Takimi filloi me adhurimin e përbashkët në Liturgjinë Hyjnore, që u krye nga Mitropoliti Dhimitër dhe klerikë të tjerë. Për shenjtorin e ditës foli Protosingjeli i Mitropolisë, Arkimandrit Porffri, i cili në predikimin e tij u ndal në veçanti për marrëdhënien unikale mes Perëndisë dhe njerëzve, por edhe ndërpersonale, mes pjesëtarëve të saj, që realizohet ekskluzivisht në Kishë, duke përjetuar dashurinë dhe hirin e Perëndisë Triadik.
Takimi vijoi në mjediset e Shkollës 9-vjeçare “Frymë Dashurie” – në të cilën shumica e studentëve pjesëmarrës kaluan vitet e tyre shkollorë – takimi për trajtimin e temave shpirtërore, por edhe përcjelljen e përvojave nga vende dhe universitete të ndryshme që ata ndodhen aktualisht.
Me mirënjohje të veçantë dhe fjalë të sinqerta falënderuese, studentët pjesëmarrës iu referuan Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, falë përpjekjeve të të cilit ata patën mundësinë e arsimimit në kushte aq të favorshme ndonëse në zona rurale, por edhe këto mundësi që ju krijohen për komunikim shpirtëror të vazhdueshëm.
Mitropoliti i Gjirokastrës, duke u uruar vazhdim të mbarë të përpjekjes së tyre në asimilimin e njohurive akademike dhe shkencore, i nxiti të mos neglizhojnë për asnjë moment edhe jetën shpirtërore dhe brenda Kishës, që u siguron bazament të shëndoshë e të qëndrueshëm për jetën e tyre. Gjithashtu, pavarësisht ecurisë dhe karrierës, brenda apo jashtë vendit, hirësia i nxiti të mos harrojnë kurrë bamirësitë që Kisha bëri për ta në një fazë të ndjeshme të jetës dhe të preokupohen në vazhdimësi për vendlindjen dhe enoritë e tyre. Ky është pikërisht dhe kuptimi më thellë i këtij aktiviteti shpirtëror: mbajtja dhe ruajtja e kontakteve, për të përballuar sfidën e braktisjes demografike dhe për të nxitur qëndrime më të përgjegjshme nga të rinjtë lidhur me të ardhmen e vendit dhe të Kishës sonë.
O. B.