EmailFacebookKontakt

Prezantimi i Artit Psaltik në shqip në festivalin muzikor në Jash, Rumani

Festivali i Muzikës Bizantine në Jash është aktiviteti më i madh kushtuar muzikës bizantine në Rumani. Për pesë ditë me radhë realizohen shërbesa fetare, koncerte, referate, prezantime librash e konferenca, të cilat sjellin së bashku të ftuarit më prestigjiozë (performues dhe studiues) në fushën e kulturës bizantine. Edicioni i gjashtë i këtij festivali u realizua më 20 – 24 shtator 2023, me bekimin e Mitropolisë së Shenjtë të Moldavisë dhe Bukovinës.

Këtë vit, pas një ftese dashamirëse, festivalit iu bashkua edhe drejtori dhe pedagogu i Shkollës së Muzikës Bizantine të Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës, Ph.D.c Theodhor Peci. Më 23 Shtator, sesioni shkencor nisi me prezantimin e të gjithë të ftuarve, i cili u moderua nga prof. Dr. Maria Alexandru. Në vijim, përmes një videoprezantimi online, u paraqit panorama historike e artit psaltik në Shqipëri, përkthimet himnografike në shqipe, si dhe zhvillimi i madh i Muzikës Bizantine në tri dekadat e fundit nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij Anastasit.

Njëkohësisht u vunë në dukje edhe vështirësitë përkthimore, problematikat kompozicionale, si dhe u pasqyruan kriteret e sakta për të sjellë përshtatje dhe kompozime sa më të tingëllueshme në çdo gjuhë.

Pjesën kryesore të prezantimit e zinte studimi i pedagogut të muzikologjisë bizantine, Ph.D.c Theodhor Peci, me titull: “Anastasimatari dhe përshtatja e tij në gjuhën shqipe”. Njëkohësisht prezantimi i metodave shkencore të përpilimit të korpusit të librave muzikorë në shqip u bënë pikë referimi dhe studimi për të pranishmit. Në përfundim të prezantimit pati edhe pyetje nga auditori dhe nga vetë paneli moderues.

Përmes këtij prezantimi, auditori rumun u njoh më në thellësi me muzikën bizantine në Shqipëri dhe me arritjet e saj. Në mbyllje të këtij sesioni u shprehën admirime për përpjekjet krijuese dhe zhvillimet e mrekullueshme të realizuara nga primati i kishës sonë, Kryepiskopi Anastas.

Jorgo Belul