EmailFacebookKontakt

Promemorie

Botuar 29 vjet më parë në gazetën “NGJALLJA”

PROMEMORIE

Për:
– Presidentin e Republikës, Shkëlqesinë e Tij, z.Sali Berisha
– Kryetarin e Parlamentit, Shkëlqesinë e Tij, z. Pjetër Arbnori
– Kryeministrin, Shkëlqesinë e Tij, z. Aleksandër Meksi.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha më e madhe dhe më e vjetër e krishterë e vendit tonë e cila, pas gjysmë shekulli persekutimi të egër, ishte likuiduar plotësisht dhe tre vitet e fundit gjendet në fazën e rimëkëmbjes, për fat të keq, përballon përsëri, në kohë demokracie, një gjendje çuditërisht të disfavorshme dhe, në vend që të ndihmohet, jepet sërish në vuajtje të pajustifikuara.

Konkretisht, paragrafi 4 i nenit 7 të Projekt-Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, që do të miratohet me referendum, thotë: “Kryetarët e komuniteteve të mëdha fetare duhet të jenë shtetas shqiptarë, të lindur në Shqipëri dhe me banim të përhershëm në të në 20 vitet e fundit”.

Si organ kompetent i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke shprehur bindjet e shumicës dërrmuese të Orthodhoksëve të vendit tonë, kemi vërejtjet e mëposhtme:

1. Dispozita në fjalë bie në kundërshtim si me titullin “Laiciteti i shtetit shqiptar”, ashtu edhe me paragrafin e parë e të dytë të tij, të cilat theksojnë: “1. Në Republikën e Shqipërisë, feja është e ndarë nga shteti” dhe “2. Shteti garanton lirinë e besimeve fetare”. Dispozita në fjalë kufizon lirinë e komuniteteve fetare në zgjedhjen e udhëheqësve të tyre, sipas mundësive dhe nevojave objektive përkatëse. Është një e drejtë themelore e lirisë së një komuniteti fetar që, në bazë të kritereve dhe të interesave të veta shpirtërore, të zgjedhë udhëheqësit tij, përderisa nga ky varet, si rregull, përparimi, shpeshherë edhe mbijetesa e tij. Rrjedhimisht, ky nen përbën kufizim të lirisë fetare, me imponimin e kritereve të tjera në zgjedhjen e udhëheqjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga shteti laik, në të cilin shumicën e përbëjnë anëtarë të një feje tjetër. Veçanërisht në një periudhë fill pas persekutimit pesëdhjetëvjeçar të fesë, kur është e shkatërruar plotësisht çdo fidanishte e udhëheqjes kishtare.

2. Përjashtimi i komuniteteve dhe organizatave të vogla fetare nga çdo lloj kufizimi në zgjedhjen e udhëheqjes së tyre, ligjëson diskriminimet, të cilat nuk pajtohen me frymën e trajtimit të barabartë që kërkojnë Normat e së Drejtës Ndërkombëtare dhe nuk i përgjigjet traditës së popullit shqiptar. Kështu, ndërsa nga njëra anë komunitetet fetare tradicionale, që e fillojnë rimëkëmbjen e tyre nga gërmadhat me një bazë thuajse të papërfillshme, si organizative ashtu edhe ekonomike, lidhen me kufizime të tepërta, nga ana tjetër, u krijohen lehtësira komuniteteve të vogla fetare, që kanë hyrë kohët e fundit në jetën shpirtërore të Shqipërisë. Dihet se sot në Shqipëri veprojnë rreth 70 grupe të pavarura protestante dhe fe të tjera të vogla, të ardhura nga vende të ndryshme të botës.

3. Duket sheshit se dispozita e mësipërme ka për objektiv ekskluzivisht Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila përballet me kushte dhe vështirësi specifike. Sepse, sipas traditës Orthodhokse, që të ekzistojë një Kishë autoqefale lokale duhet patjetër që të ekzistojnë episkopë, të cilët duhet të jenë të pamartuar dhe shpirtërisht të formuar dhe nuk është e lehtë, në këtë periudhë, pas likuidimit të saj, që përbën rastin unikal në botë në historinë e Kishës, që ata të formohen me sot e me nesër. Vlen të shënohet se Projekt-Kushtetuta për kryetarët e komuniteteve të mëdha fetare kërkon një kohë (20 vjet banim të vazhdueshëm dhe vendlindje Shqipërinë) më shumë se edhe për vetë Kryetarin e Shtetit, Presidentin e Republikës (për të cilin duhen vetëm 10 vjet banimi në Shqipëri – neni 78, paragrafi 2), apo për deputetët (për të cilët kërkohet banim në Shqipëri të paktën dy vjetët e fundit – neni 63).

Në një rast të mëparshëm, në janarin e vitit 1993, kur ishte fjala që do të miratohej Projekt-Ligji me një dispozitë analoge, Orthodhoksët e Shqipërisë protestuan. Kongresi Kleriko-laik i mbajtur në Durrës më 21 janar 1993, me pjesëmarrjen e të gjithë klerikëve Orthodhoksë dhe të përfaqësuesve të të gjithë këshillave kishtare të zonave arkieratike të Shqipërisë, shpalli njëzëri: “Është fakt se sot Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e organizuar sipas traditave orthodhokse dhe e bashkuar rreth Kryepiskopit të saj kanonikisht të zgjedhur, Anastasit, fakt ky që siguron riorganizimin e saj të shpejtë në të mirë të kombit, siç është theksuar në mënyrë të përsëritur edhe në peticionet e besimtarëve orthodhoksë nga e gjithë Shqipëria. Orvatjet për largimin e tij synojnë që ta lënë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si një trup pa krye. Ato janë në kundërshtim me frymën demokratike të shtetit tonë, me normat kombëtare e ndërkombëtare të Evropës së Bashkuar e të rendit të ri botëror.”

Dispozita në fjalë, në vend që të mbështesë Autoqefalinë, përkundrazi, kërcënon për ta lënë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë “pa kokë” për një kohë të pacaktuar, duke qenë se Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse, i njohur njëzëri nga të gjitha Kishat Orthodhokse të botës, nuk mund të hiqet as të shfronëzohet me ligj shtetëror. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përbën pjesë të pandarë të Kishës së Shenjtë, Universale dhe Apostolike, është e bashkuar dogmatikisht dhe shpirtërisht me të gjitha Patriarkanat dhe Kishat Orthodhokse Autoqefale dhe, me kushtet që ekzistojnë sot, nuk është më aq e thjeshtë që të përsëritet izolimi i saj nga Kishat e tjera Orthodhokse, siç u orvat ta bënte në dhjetëvjeçarët 1950 – 60 regjimi komunist.

4. Kjo dispozitë nuk krijon vetëm për sot probleme kolosale për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, po, me siguri, do ta vështirësojë atë edhe në të ardhmen. Janë të njohura vështirësitë e mëdha që përballoi ajo në të kaluarën për gjetjen e personave të përshtatshëm për t’u zgjedhur episkopë. Episkopi orthodhoks duhet të jetë murg dhe të ketë përgatitje të thellë teologjike, të dhëna këto që shpesh imponojnë nevojën që ai të qëndrojë për një interval të madh kohe edhe jashtë Shqipërisë. Është karakteristike që Shqiptarët në Amerikë, me gjithë që nuk u persekutuan nga askush, nuk arritën këto dekadat e fundit që të nxirrnin një episkop shqiptar. Gjithashtu, kjo dispozitë përjashton, pa motivim, ndonjë episkop të aftë, që mund të ketë qenë i detyruar të mërgonte jashtë shtetit për studime apo punë.

5. Është tragjik fakti se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në çështjen e lirisë fetare duket më pak bashkëkohëse dhe demokratike se sa Kushtetuta e kohës së Zogut 1 dhe Kushtetuta 2 e periudhës së parë të partisë komuniste të cilat, të paktën, i trajtonin fetë pa dallime, dhe rregullimet e veçanta ia linin Statutit të Kishës.

Përmbledhtazi, dispozita në fjalë:

E privon, në këtë kohë kritike, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga një udhëheqës i aftë, i pavarur, i përkushtuar vetëm Perëndisë, i cili është mjaft i respektuar, i dashur dhe i njohur pa rezerva jo vetëm nga të gjithë Orthodhoksët e Shqipërisë, por nga të gjitha Kishat Orthodhokse dhe në përgjithësi, nga bota e krishterë. Kësisoj, Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipëri destinohet për rrugën e rënies. Për më tepër, kjo dispozitë minon në mënyrë afatgjatë lirinë fetare pasi, siç është botërisht e njohur dhe e pranuar, liri e vërtetë fetare e një pakice fetare të një vendi do të thotë, në parim, pavarësi nga çdo lloj ndërhyrjeje në çështjet e brendshme të saj që vjen nga pjesëtarët e komuniteteve të tjera fetare, të cilët kanë shumicën në organet ligjvënëse e shtetërore si dhe në mjetet e informimit. Imponimi i kësaj dispozite jep shkas për shqetësime dhe përçarje brenda Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke hapur një plagë të madhe, e cila, me siguri, do ta bëjë të vuajë për shumë vjet Kishën tonë Orthodhokse – dhe jo vetëm.

Tiranë, më 14 tetor 1994

Këshilli i Përgjithshëm Kishtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Për dijeni:
Të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale, Këshillit Botëror të Kishave dhe Konferencës Evropiane të Kishave