– Përvjetori i hedhjes poshtë të Projekt-Kushtetutës që kërkonte të godiste Kishën tonë –
Më 6 nëntor 2023 u bënë 29 vjet, që nga viti 1994, nga dita kur qytetarët shqiptarë (dhe veçanërisht besimtarët orthodhoksë), i thanë “Jo” Kushtetutës së propozuar nga mazhoranca e djathtë në pushtet. Rreth 53 për qind e pjesëmarrësve në referendum, votuan kundër.
Më 6 nëntor të vitit 1994, populli shqiptar u thirr në referendum kombëtar për miratimin e Kushtetutës. Një komision i posaçëm parlamentar vendosi, me votat e shumicës të Partisë Demokratike, të miratojë një Projekt-Kushtetutë që nuk kishte mbështetjen e opozitës dhe të shoqërisë shqiptare. Pas një fushate referendare marramendëse, populli e hodhi poshtë projektin me shumicë dërmuese.
Komuniteti Orthodhoks i Shqipërisë diskriminohej e goditej fort në të. Paragrafi 4 i Nenit 7 të Projekt-Kushtetutës thoshte, në kundërshtim me të gjitha ligjet demokratike apo me parime që afirmoheshin në nene të tjera të saj, se: “Kryetarët e komuniteteve të mëdha fetare duhet të jenë shtetas shqiptarë, të lindur në Shqipëri dhe me banim të përhershëm në të në 20 vitet e fundit”!
Por si ishte e mundur që ishte futur një nen i tillë, i cili shkonte ndesh me lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut, që afirmoheshin edhe në Projekt-Kushtetutë?!
Në vitin 1992 kishte qenë vetë Kryetari i PD-së, z.Sali Berisha, që kishte treguar konsensus për zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Por, pas kësaj, qarqet ekstremiste nacionaliste nisën një fushatë të egër kundër Kryepiskopit dhe Kishës.
Ndikim dukej se kishte edhe pozicionimi i hapur kundër i shërbimeve sekrete të devijuara nga kryetari i tyre. Duke pasur ndikim edhe në PD, nëpërmjet një numri deputetësh, ata e bindën ose detyruan Presidentin të ndërmerrte hapa aspak demokratikë për të dëbuar Kryepiskopin dhe ndaluar ringritjen e Kishës Orthodhokse në vendin tonë. Aq më shumë kjo ishte tepër negative, në një situatë kur nuk kishte asnjë klerik tjetër që mund ta merrte përsipër detyrën e Kryehierarkut, madje asnjë kandidat për episkop. Kjo e bën edhe më të qartë se goditja nuk synonte vetëm Kryepiskopin, por të gjithë Kishën tonë.
Tentativa e parë kishte qenë një projektligj në dimrin e atij viti, i cili synonte këtë. Por ai kishte hasur kundërshtimin e vendosur të disa deputetëve orthodhoksë, të cilët u përplasën ashpër në grupin parlamentar me ekstremistët, ndaj u la mënjanë (këta deputetë nuk i vunë më në listat elektorale të partisë…). Pasoi një presion i madh dhe, në Projekt-Kushtetutën në fjalë u përfshi një nen antikishë, që binte ndesh edhe me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që kishte nënshkruar Shqipëria.
Projekti u aprovua në mënyrë arbitrare, për të shmangur votimin në Parlament, që kërkonte shumicë të cilësuar. Kjo padrejtësi mobilizoi fort besimtarët orthodhoksë në gjithë vendin. Peticione e letra të shumta të tyre si grupe, shoqata apo individë iu drejtuan Presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit, por të gjitha “ranë në vesh të shurdhër”… Ishte vendosur të ndiqej linja ekstremiste. Gjithashtu, një qëndrim tepër armiqësor ndaj orthodhoksëve mbajti edhe Televizioni Shqiptar, duke i trajtuar si inferiorë.
Të gjitha këto peticione shprehnin qartë mbështetjen për Kryepiskopin Anastas dhe afirmonin se: “Interesat kombëtare dimë t’i mbrojmë më mirë se ata që ndezin urat e zjarrit” (peticioni i besimtarëve dhe shoqatave të Korçës).
Mbështetje të fuqishme për Kryepiskopin dhe shqetësim të thellë për rrjedhën antidemokratike të këtij neni u shpreh edhe nga Kishat dhe organizmat ndërkombëtarë. Kështu, Patriarku Ekumenik, Vartholomeu u shpreh ndër të tjera se “..Nëse do të dëbohet (Kryepiskopi Anastas) nga Shqipëria, do të jetë humbje për vetë Shqipërinë dhe jo për të…”. Deklarata mbështetëse pati edhe nga Kisha të tjera, Këshilli Botëror i Kishave, Patriarkët dhe Krerët e Komuniteteve të Krishtera të Jerusalemit, nga SHBA-ja etj.
Si përfundim, referendumi pati përgjigje negative nga populli. Me gjithë përpjekjet për ta deformuar rezultatin e tij, përgjigjja “Jo” ishte aq masive, saqë rezultati nuk manipulohej dot. Siç e kanë pranuar (në biseda jo zyrtare) edhe drejtues të asaj kohe, ndikoi fuqishëm edhe votimi kompakt kundër i Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë (rreth 20 për qind), duke i treguar qartë politikës se nuk lejonin të diskriminoheshin nga askush dhe se mbështesnin me vendosmëri Kryepiskopin e tyre. Ata dëshmuan fort se të pretenduarit si orthodhoksë, që sulmonin vazhdimisht në faqet e gazetave apo në televizion, nuk i përfaqësonin, por u shërbenin atyre që u vriste sytë përparimi i Kishës me hapa të jashtëzakonshëm.
Sot, kur ky kujtim duket disi i largët dhe madje i harruar apo i panjohur për brezat e rinj është mirë që të risillet në vëmendje. Është sa dëshmi uniteti, që duhet ruajtur me çdo kusht, por edhe më tepër i besimit të thellë dhe dashurisë për Kishën dhe mbrojtjen e saj.
Thoma Dhima