Nga përshëndetja e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollës, në promovimin e librit “Dhiata e Vjetër në Traditën Orthodhokse Lindore”
“Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe dritë në shtegun tim” (Ps.118), thotë psalmisti. Një llambë dhe dritë për të kuptuar fjalën e Perëndisë bëhet libri “Dhiata e Vjetër në Traditën Orthodhokse Lindore”, i autorit Prof. atë Eugen Pentiuc, që na vjen i përkthyer nga z.Stefan Zhupa si një vepër e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë. Është shumë e arritur që ky libër vjen si një vepër e kësaj Shoqërie Biblike, pasi Dhiata e Vjetër bashkon të tri komunitetet e krishtera; orthodhokse, katolike dhe ungjillore. Por jo vetëm kaq, Dhiata e Vjetër bashkon edhe tri Traditat Abrahamike: Myslimane, Hebraike dhe të Krishterë.
Ky libër nuk ka si qëllim të na përshkruajë rëndësinë e Dhiatës së Vjetër në tri besimet Abrahamike, as të na shtjellojë sesi tre komunitetet e krishtera (katolike, ungjillore dhe orthodhokse) e vlerësojnë atë si pjesë të tërësisë biblike. Atë Eugeni, i cili është pjesëtar i Traditës Orthodhokse Lindore, na sjell një vepër e cila ka në thelb rëndësinë e Dhiatës së Vjetër në Traditën e Krishterë Orthodhokse. Ai është profesor i Dhiatës së Vjetër dhe Hebraishtes në Fakultetin Theologjik Grek Orthodhoks “Kryqi i Nderuar”, në Brookline Massachusetts, në SHBA. Pra, një njohës dhe studiues shumë i mirë i saj.
Ky përkthim vjen sot si një punë e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale, nga Stefan Zhupa, i cili është një nga bashkëpunëtorët i saj dhe ka kontribuar në veprën “Bibla, Shkrimi i Shenjtë – Së bashku”. Kjo vepër ka një vlerë shumë të rëndësishme për komunitetet tona të krishtera, por edhe për gjithë vendin. Fatkeqësisht, në shqip kemi shumë pak libra dhe shkrime mbi Dhiatën e Vjetër në Traditën Orthodhokse. Autori dhe përkthyeri i përkasin po kësaj tradite, pra janë jo thjesht njohës të saj, por mbi të gjitha përjetues.
Prof. Pentiuc na tregon se termi “orthodhoks” është përdorur për herë të parë në shek. V dhe i referohej Kishës Orthodhokse vetëm në shek. VIII, për të na treguar që Tradita dhe Kisha për kaq shekuj do të ishte një. Dimë se ndarja e Kishës Orthodhokse nga ajo Romanokatolike ndodhi tre shekuj më vonë, në shek. XI.
Autori e ka ndarë veprën në dy pjesë: e para, pranimi i Dhiatës së Vjetër dhe, e dyta, interpretimi e saj në traditën Orthodhokse.
Personalisht, kjo pjesë e Shkrimit të Shenjtë më është shumë e dashur, pasi për më shumë se 10 vjet kam dhënë mësim Dhiatën e Vjetër në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash, Durrës. Prandaj e shoh si një bekim promovimin e këtij libri.
Diçka që më ka bërë përshtypje ka qenë përqasja që autori i ka bërë Dhiatës së Vjetër për Ikonografinë dhe Jetën Liturgjike.
Autori thekson në libër se teksti të cilin Kisha Orthodhokse Lindore ka si organ të saj zyrtar është “Septuaginta” ose, thënë ndryshe, Përkthimi i të 70-ve. Ky përkthim u bë në Aleksandri në kohën e mbretërimit të Ptolemeut II (285-247), në shek. III para Krishtit, nga teksti hebraik në gjuhën greke. Ai u bë për komunitetin hebre që jetonte në Aleksandri dhe që kishte harruar gjuhën hebraike.
Pra, ky tekst u bë për komunitetin hebraik dhe, vetëm kur të krishterët e adaptuan atë, ata u distancuan prej tij. Septuaginta është teksti zyrtar i Kishës së hershme, i përdorur nga Etërit edhe në Sinodet Ekumenike. Shën Agustini thotë se Septuaginta është tekst i frymëzuar dhe i besueshëm i Kishës.
Përkthimi i të 70-ve që përdor Kisha Orthodhokse përmban 49 libra, 10 libra më tepër nga teksti hebraik. Shën Athanasi, këta 10 libra i quan të lexueshëm. Ndërsa sot, teologët bashkëkohorë orthodhoksë theksojnë “Kisha Orthodhokse përdor këtë kanon të gjatë, pra të 49 librave, pa bërë dallim nëpërmjet librave protokanonikë dhe dhefterokanonikë”. Për të na sqaruar mbi këtë qëndrim të Kishës Orthodhokse, autori na fut në konceptin e saj mbi Traditën: “Tradita është përfytyruar si jeta e Shpirtit të Shenjtë në kishë, ndërsa Shkrimi, si zemra pulsuese e Kishës”. “Kjo traditë është dinamike që ende vazhdon të ruhet, shpaloset në Kishë; shpjegohet nga Kisha nën udhëheqjen e Episkopit, i cili e bariton atë në vend të Perëndisë dhe shërbimi kryesor i të cilit është mësimdhënia.
…Autori e mbyll librin me qëllimin kryesor që kanë këto mënyra të interpretimit, si edhe vetë Shkrimi i Shenjtë që është “soditja e Perëndisë brenda historisë dhe Kishës, të cilat njeriu shpresëtar i përjeton në jetën adhuruese të saj”. Për këtë arsye, autori përmend kremtimet festive kryesore zotërore dhe hyjlindësore, ku dëshmon lidhjen e ngushtë të orthodhoksëve me jetën liturgjike: “tërë jeta e krishterë është jetë liturgjike”. Në adhurim, Shkrimi dhe Tradita takohen që të arrijnë qëllimin kryesor të besimtarit: formimin e tij sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Krishtit”.
Duke përgëzuar së pari autorin që na e paraqiti në një mënyrë kaq të thjeshtë edhe të bukur Dhiatën e Vjetër në traditën orthodhokse, si dhe përkthyesin, z. Stefan Zhupa, që na e ka sjellë këtë vepër në gjuhën shqipe, qartë, thjeshtë e rrjedhshëm, si edhe gjithë Shoqërinë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë për iniciativën. Urojmë që ky libër të jetë për të gjithë të krishterët shqipfolës një mjet për të njohur Perëndinë e të bëhemi të ngjashëm si Ai.