EmailFacebookKontakt

Promovim i librit mbi interpretimin e Dhiatës së Vjetër në Traditën Orthodhokse

Në datën 31 tetor 2023, në mjediset e Shoqërisë Biblike të Shqipërisë, u promovua botimi i përkthyer në shqip me titull “Dhiata e Vjetër në Traditën Orthodhokse Lindore”, me autor klerikun orthodhoks rumun atë Eugen J. Pentiuc, të përkthyer nga Stefan Zhupa. Paraqitja grafike e librit u realizua nga Vasil Kasneci.

Veprimtaria u hap nga sekretari i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale Altin Hysi. Më pas, të pranishmit ndoqën videon përshëndetëse të atë Eugenit, autorit të librit, i cili foli mbi përmbajtjen e librit. Përkthyesi bëri një prezantim më të gjerë të librit.

Më pas, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla, foli mbi traditën që ka Kisha Orthodhokse për Dhiatën e Vjetër dhe vlefshmërinë e librit jo vetëm për orthodhoksët, por edhe për të krishterët e tjerë.

Në veprimtri mbajti fjalën edhe Drejtori i Kolegjit Françeskan, dom Flavio, i cili paraqiti një ekspoze historike të teksteve të të Shtatë-dhjetëve (Septuagintës) dhe studimit të tyre ndër shekuj. Altin Naqe, nga kisha “Emanuel”, ndau me të pranishmit disa momente për kuptimin dhe rëndësinë e Dhiatës së Vjetër për të krishterët.

Të pranishmit uruan përkthyesin dhe bashkëpunëtorët e tij që sollën në shqip këtë botim që pasuron literaturën e krishterë të vendit tonë.

***

Ky studim parashtron një pamje të përgjithshme dhe një analizë përmbledhëse të mënyrave kryesore të pranimit, të interpretimit dhe të përçimit të Dhiatës së Vjetër në Traditën ortodokse lindore, duke mbushur një boshllëk në literaturën studimore rreth historisë së interpretimit biblik.

A. D.