EmailFacebookKontakt

Doli në qarkullim libri “Jeta në Krishtin” i Shën Nikolla Kavasilës

Parathënia

Me shumë kënaqësi i japim publikut lexues librin më të lartë të Shën Nikolla Kavasilës Jeta në Krishtin, të përkthyer në gjuhën shqipe. Kur mbërrita në Shqipëri dhe përjetova nga afër mrekullinë e një Kishe të rilindur nga hiri i saj, mbeta i mahnitur nga bekimi i Perëndisë në këtë kishë lokale. Por Perëndia vepron me anë të njerëzve të Tij. Vepra e Kryepiskopit të Shqipërisë, Imzot Anastasin dhe e bashkëpunëtorëve të tij, gjatë këtyre tridhjetë viteve, është vërtet e admirueshme dhe shumëdimensionale. Bëhet fjalë për një vepër hierapostolike shumëplanëshe: pimantike, me krijimin e shumë enorive (kisha të vjetra u rikonstruktuan dhe shumë u ndërtuan nga fillimi), në të cilat kryhet adhurimi dhe katekizmi i popullit të Perëndisë; katekizuese, me themelimin e institucionit të katekistëve dhe me kualifikimin e vazhdueshëm të klerit; filantropike, me ngritjen e shumë institucioneve bamirëse, por edhe të klinikave; parametri arsimor, me ngritjen e shkollave të të gjitha niveleve, të universitetit etj. Një tregues kryesor, në gjithë përpjekjen, është adhurimi, i cili kryhet lirisht në mbarë Shqipërinë.

Në të gjitha këto kontribuon dhe Zyra e Botimeve e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila, me botimet e saj përpiqet të ndihmojë në të gjitha fushat.

Me bekimin e Kryepiskopit, erdhi çasti për botimin në shqip të komentarit të lartë mistagogjik, siç pohohet nga të gjithë, pasi ky libër shpjegon misteret kryesore të Kishës Orthodhokse. Shën Nikolla Kavasila e komenton adhurimin në mënyrë të pakrahasueshme dhe tregon se si misteret e ndihmojnë njeriun, që të jetojë jetën në Krishtin. Ai thekson, gjithashtu, se si njeriu bashkohet me Krishtin dhe me hirin e Trinisë së Shenjtë nëpërmjet pjesëmarrjes së tij në mistere, se si duhet të përpiqet për të ruajtur Hirin hyjnor dhe, në fund, në cilën pikë arrin njeriu kur e aktivizon Hirin.

Besojmë se, me këtë botim, vepra e Kishës do të ndihmohet në mënyrë të shumanshme dhe se libri do të jetë i dashur për popullin e Perëndisë, duke i ndihmuar priftërinjtë dhe katekistët në shërbimin e tyre, si edhe besimtarët e thjeshtë në përpjekjen për të qëndruar të bashkuar me Krishtin.

Ky libër ekziston prej disa kohësh në formë elektronike, për përdorim akademik, i shoqëruar me një hyrje më të gjatë se në këtë botim. Jepet mësim në lëndën Teologjia e Adhurimit dhe ka si qëllim që mësimdhënia e Shën Nikollës të shërbejë si përsëritje dhe thellim në njohuritë historike e teologjike që kanë mësuar studentët tanë, duke u dhënë në të njëjtën kohë mundësinë që të mësojnë të studiojnë një burim historiko-liturgjik.

Së fundi, dua të shpreh falënderimet e mia të përzemërta për Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasin, që më dha mundësinë të jem një pjesë e vogël e veprës tepër të madhe të ungjillëzimit dhe të kishërimit të popullit të Shqipërisë, i cili ka qenë i shumëvuajtur dhe i munduar nga ana fetare.

Pra, me bekimin e Tij dhe me ndërmjetimet e Shën Nikolla Kavasilës, shpresoj që ky libër të përbëjë, gjithashtu, një gur të vogël në ndërtesën tepër të madhe shpirtërore, të mbikëqyrur nga Fortlumturia ynë.

Shkëputur nga Parathënia

Georgios Keselopoulos
Dr i Liturgjikës dhe Homelitikës
Pedagog në Departamentin e Theologjisë dhe Kulturës të Kolegjit Universitar “Logos”