EmailFacebookKontakt

Të kremtojmë Ngjalljen…

Botojmë më poshtë një fragment të shkurtër, por domethënës për thelbin e Teologjisë, me thjeshtësinë e rrëfimit dhe njëherësh thellësinë e mendimit nga përvoja e Kryepiskopit Anastas në rajonin e Afrikës: “Të kremtojmë Ngjalljen…”:

“…Më kujtohet një përvojë personale, në një trevë të largët të Kenias Perëndimore. Mbërritëm natën vonë, në shtëpinë ku kishte mort: vashëza e vogël, e goditur në mënyrë vdekjeprurëse nga malaria, e shtrirë në një krevat të madh, sikur flinte paqësisht. “Ishte fëmijë aq i mbarë. “E para më përshëndeste”, psherëtiu dhimbshëm babai i dërrmuar. Kryem një lutje mortore të shkurtër dhe thashë pak fjalë ngushëlluese.

I vetëm në dhomën e bujtinës së shkollës ku u vendosëm, nën dritën e llambës së vajgurit, mes tingujve të shiut, sikundër ai bie mbi gjethet e bananeve dhe çatitë prej llamarine, kaloja në mendje ditën që shkuam. Larg, brenda heshtjes së natës, kumbonte cimbali. Ishte tek shtëpia që kishte zi. Brenda lodhjes pyeta veten. Përse ndodhemi këtu?

Në mendje më erdhën të përziera gjthçfarë thuhet për hierapostullimin: predikim, dashuri, arsim, civilizim, paqe, zhvillim. Befas, një dritë shkreptiu dhe sqaroi në mjegullën e mendjes sime të lodhur thelbin esencial të çështjes: Silluni mesazhin, shpresën e Ngjalljes. Cilido individ njerëzor ka vlerë unikale. Do të ngjallet. Këtu është dinjiteti, nderi dhe shpresa e njeriut. Krishti u Ngjall! U mësoni të kremtojnë Ngjalljen, brenda misterit të Kishës. Ta parashijojnë atë. Në një vegim kalimtar pashë atë afrikane të vogël duke më përshëndetur e para, ashtu siç e kishte zakon, duke më ndihmuar të theksoj më saktësisht epiqendrën e hierapostullimit të krishterë: Të shartosh njerëzit me të vërtetën edhe shpresën e Ngjalljes. T’u mësosh ta kremtojnë atë brenda Kishës…”

(Fragment nga referati kryesor në Kongresin Botëror të Hierapostullimit të Këshillit Botëror të Kishave, San Antonio, Teksas, 1989)