Me ftesë të Kishës së Greqisë, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, mori pjesë duke përfaqësuar Kishën tonë Orthodhokse, në Konferencën e rëndësishme dedikuar njëqindvjetorit të revistës zyrtare të studimeve “Theologjia” të asaj Kishe. Kryepiskopi Anastas u prit me nderimet e Primatit, nga përfaqësues të Sinodit të Shenjtë dhe shtetërorë.
Konferenca pati si temë kryesore: “Teologjia Orthodhokse në rrugëtim në “realitetin jolëndor” të novacionit të vonë”, rreth të cilës u referuan nga personalitete të shquara të lëmit të teologjisë së Krishterë.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në Kishën Metropolitane të Athinës “Ungjillëzimi i Perëndilindëses” dhe në të morën pjesë Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu; Patriarku i Aleksandrisë, Theodhori; Kryepiskopi i Kishës së Greqisë, Jeronimi; Kryepiskopi i Qipros, Georgi; Kryepiskopi i Tiranës, Anastasi; përfaqësues nga Patriarkanat dhe Kishat e tjera lokale (përveç atyre të Rusisë, Çekisë e Sllovakisë), hierarkë të Kishës së Greqisë. Merrnin pjesë edhe Presidentja e Republikës Helene, Kryetari i Parlamentit, anëtarë të qeverisë etj. Në Pallatin e Muzikës së Athinës u organizua me këtë rast një koncert me pjesë të muzikës tradicionale nga mbarë bota.
Gjatë qëndrimit në Athinë, Kryepiskopi Anastas u prit në takim nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu, në mjediset e hotelit ku ky i fundit ishte akomoduar.
Në një komunikim të shkurtër publik Kryepiskopi Anastas iu referua rëndësisë së Teologjisë në jetën e Kishës, por edhe të njerëzve të thjeshtë, duke theksuar se Teologjia lidhet me atë se çfarë është Kisha, me vetë jetën e njerëzve. Ai shprehu mendimin se Kongresi përbën moment të rëndësishëm edhe në marrëdhëniet mes Orthodhoksëve.
Është botërisht i njohur kontributi i Kryepiskopit Anastas jo vetëm si hierark i shquar dhe primat i suksesshëm në Kishën tonë, por edhe si lëvrues i rrallë i shkencës së Teologjisë. Veprimtaria e tij kërkimore dhe botuese ka pasuruar unikalisht në kohët e sotme literaturën teologjike Orthodhokse. Veçanërisht kjo në lëmin e hierapostullimit dhe argumentimit teologjik, për zhvillimin më tej të tij.
O. B.