EmailFacebookKontakt

Rezonanca Magnetike – Një dhuratë e çmuar

Pas një periudhe gjashtëmujore të implementimit me sukses të projektit të dhuratës nga “Fondacioni “NIARHOS”, për përshtatjen e ambientit, blerjen dhe instalimin e Rezonancës Magnetike (MRI 1.5T SIEMENS), ka nisur menjëherë puna me pajisjen e re në Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”, Tiranë.

Pajisja me këtë aparaturë moderne diagnostike u mundësua pas kërkesës së bërë nga Kryepiskopi Anastas Fondacionit “Stavros Niarchos” (SNF), për nevojat e Qendrës sonë. Pajisja do të sigurojë rezultate të sakta dhe shumë efikase. Interesimi për të ka qenë i madh dhe që në ditët e para është vërejtur fluks pacientësh.

Prej shumë vitesh, Qendra Diagnostike “Ungjillëzimi” e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka qenë në ndihmë të të gjithë komunitetit në vend me mjekë profesionistë dhe aparaturat më të fundit në treg. Siguria, cilësia dhe shëndeti kanë qenë parimet kryesore të kësaj qendre e cila, me mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të Kryepiskopit dhe, me ndihmën e donatorëve, ka krijuar besueshmëri tek pacientët e shumtë që kryejnë ekzaminime në Klinikën tonë.

Qendra Diagnostike “Ungjillëzimi” ka gjithmonë në vëmendje shërbimin cilësor ndaj cilitdo pacient, si ruajtjen e çmimeve më konkurruese, në mënyrë që mund të përfitojë çdo shtresë e shoqërisë.

Vasil Kristo
Drejtor Ekzekutiv
i Fondacionit “Klinika Orthodhokse ‘Ungjillëzimi’”