EmailFacebookKontakt

Investim ekonomik ndihmës për Manastirin e Shën Vlashit

Me nismën e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollës, i cili është gjithashtu drejtor i Akademisë Teologjike, si dhe me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Kryepiskopi Anastas, në Manastirin e Shën Vlashit u mundësua realizimi i një nisme novatore, që mund të ndiqet edhe në njësi të tjera të Kishës sonë.

Në vitin 2022 u firmos kontrata me firmën “AR ECOENERGJIA” dhe nisi puna për vendosjen e një impianti fotovoltaik me fuqi 130KWpv.

Specialistët e firmës, pasi përcaktuan vendin më të favorshëm në mjediset e manastirit, pra ku kishte më shumë rrezatim diellor, filluan punimet, të cilat zgjatën rreth dy muaj.

Ndezja e parë e impiantit fotovoltaik të u bë në korrik 2022.

Impianti ka mbuluar një sipërfaqe rreth 650 m2 dhe shuma e investimit ishte afërsisht 115.000 euro. Ai ka garanci 25 vjet dhe në krye të katër viteve i shlyen të gjithë shpenzimet e bëra.

Funksionimi i impiantit në kohë reale monitorohet nga kompjuteri nëpërmjet një aplikacioni.

Si rezultat i këtij investimi u bë i mundur mbulimi i konsumit të energjisë të të gjitha godinave që përfshihen në kompleksin të manastirit.

Bazuar në mesataren e konsumit të energjisë përpara montimit të impiantit, në muajt e dimrit faturat varionin nga 150.000 lek deri ne 350.000 lekë, ndërsa pas vendosjes së tij, faturat kanë zbritur në 40-100.000 lekë muajt e dimrit, ndërsa për muajt e verës në vetëm 250 lekë të reja (kosto mirëmbajtjeje nga OSHEE).

Përfitimi për vitin 2023 pritet që të jetë edhe më i madh, pasi shteti shqiptar miratoi ligjin për llogaritjen e bilancit vjetor, që do të thotë se prodhimi i tepërt i muajve të verës do t’i shtohet prodhimit më të ulet të muajve të dimrit dhe, kështu, fatura vjetore do të jetë në vlerat më minimale të mundshme.

Lavdi Perëndisë për të gjitha mundësitë që na ofron! Veçanërisht, falënderim dhe mirënjohje për Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, që gjithmonë është i gatshëm dhe i palodhur në mbështetjen e së resë, si kontribut për të ardhmen e Kishës sonë.

Falënderojmë edhe firmën realizuese, për korrektësinë dhe ndihmën e dhënë.

Atë Emanuel Lapanxa

Kompleksi i manastirit të Shën Vlashit