EmailFacebookKontakt

Manastiret e Mitropolisë së Hirshme të Gjirokastrës

Po botojmë një listë të manastireve që kanë ekzistuar në Mitropolinë e hirshme të Gjirokastrës gjer në vitin 1967, kur regjimi ateist-komunist i kohës, me një ligj të posaçëm, ndaloi çdo veprimtari fetare, konfiskoi gjithçka që ata kanë patur me vlerë dhe u ndryshoi destinacionin, duke ruajtur vetëm disa si monumente kulturore.

Kjo listë është përpiluar në bazë të një dokumenti të vitit 1911, i cili është botuar në shtypin e kohës dhe që kanë ekzistuar deri kohët e fundit.

Përveç emërtimit të manastirit dhe të vendndodhjes së tij, dokumenti ka edhe të dhëna të tjera. Nga këto, ne e quajtëm si të domosdoshme për njohje dhe studim të shënojmë kohën e themelimit të manastirit, kujt i kushtohet ai dhe të ardhurat vjetore të tij, që janë në lira turqie të kohës. Autori i dokumentit nuk dihet.

Po e botojmë këtë listë të manastireve me qëllim që të ndihmojmë e të nxisim komunitetet tona Orthodhokse, prej të cilëve dhe pranë të cilëve këta manastire janë ndërtuar, që të interesohen për fatin e tyre, për pasuritë dhe pronat që kanë pasur, për masat që duhen marrë për ringritjen e tyre në shkallën që kanë qenë dhe në rolin që kanë luajtur në të kaluarën, duke vënë në dijeni për çdo gjë Mitropolinë e hirshme dhe Kryesinë e Kishës tonë Orthodhokse Autoqefale.

Nga z. Dhimitër Beduli

1. Manastiri i Spilesë, midis fshatrave Qesarat e Saraqinishtë të Lunxhit. Themeluar në shek. e 16-të. Ka një shpellë në një vend të rrezikshëm, brenda së cilës ndodhej një kishë e vogël e vjetër, ku hyhej me shumë vështirësi. Të ardhura vjetore: 200 lira. Festonte më 8 shtator.

2. Manastiri i Kamenës, midis Delvinës dhe fshatit Kakodhiq. Themeluar në shek. e 12-të. Të ardhura vjetore: 300 lira. Festonte më 15 gusht.

3. Manastiri i Dhiurit, mbi malin e fshatit Dhiuri të Delvinës, themeluar nga mesi i shek. të 15-të. Të ardhura vjetore: 180 lira. Festonte më 15 gusht.

4. Manastiri i Theologos, pranë fshatit Carkovicë, rrethi i Delvinës. U themelua në shek. e 7-të dhe u rindërtua më 1846. Të ardhura vjetore: 200 lira.

5. Manastiri i Shën Ilias, midis Jergucatit, Dhrovjanit e Muzinës. Themeluar në shek 12-të. Të ardhura vjetore: 400 lira. Festonte më 20 korrik. Ka patur 800 ha tokë e luadhe.

6. Manastiri i Dhrianos, midis fshatrave Zervat e Dhrovjan. Ndërtuar për herë të parë në shek. e 6-të pas Krishtit. Të ardhura vjetore 300 lira. Ka pasur 600 ha tokë e luadhe. Festonte më 15 gusht.

7. Manastiri i Papelit, mbi kodrën e fshatit Papel. Ishte manastir i vjetër, i rindërtuar në vitin 1748 prej hieromonakut Filothe nga Dhiuri. Të ardhura vjetore: 500 lira. Pjesa më e madhe e të ardhurave sigurohej nga ndihmat vullnetare të besimtarëve të të gjithë dioqezës. Festonte të kremten e Shpirtit të Shenjtë, pas Pentikostisë (Rushajeve).

8. Manastiri i Koshovicës në zonën e Dropullit është ndërtuar në shek. XVIII. Të ardhura vjetore: 40 lira. Festonte më 15 gusht.

9. Manastiri i Zonarëve apo i Kaqomenos, afër fshatit Katuna të Dropullit. Është ndërtuar në vitin 1566. Të ardhura vjetore: 100 lira.

10. Manastiri i Derviçanit në Dropull. Është themeluar në fillim të shek. të 16-të. Të ardhura vjetore 100 lira. Festonte më 8 nëntor.

11. Manastiri i Ravenës mbi fshatin Kallogoranxi. Në fillim ishte ndërtuar mbi një tempull pagan në shek. e 6-të. Më vonë është rindërtuar. Të ardhura vjetore 150 lira. Festonte më 15 gusht.

12. Manastiri i Vanishtës mbi fshatin Vanisht në Dropull, i periudhës Bizantine. Të ardhura vjetore 100 lira. Festonte më 25 mars.

13. Manastiri i Dhuvjanit në jugperëndim të fshatit Dhuvjan. Është ndërtuar më 1089 pas Krishtit dhe është rindërtuar para 250 vjetësh, prej një igumeni nga Gadiqi. Të ardhura vjetore: 180 lira. Festonte më 8 shtator.

14. Manastiri i Frashtanit, mbi një kodër të fshatit Frashtan. Është ndërtuar gjatë shek. të 16-të. Të ardhura vjetore: 30 lira. Festonte me 15 gusht.

15. Manastiri i Cepos, afër fshatit Gradiq, nja 2 orë larg Gjirokastrës. Është themeluar së pari në kohën e perandorit të Bizantit Konstantin Pogonati dhe i rindërtuar prej Andronikut të përshpirtshëm. Të ardhura vjetore: 250 lira. Për një periudhë ka qenë qendër e mitropolisë së Gjirokastrës. Festonte më 6 dhjetor, në të kremten e shën Nikollës.

16. Manastiri i Hormovës, në fshatin Hormovë të Tepelenës. Është ndërtuar në shek. e 17-të. Të ardhura vjetore: 50 lira. Festonte gjithashtu më 6 dhjetor.

17. Manastiri i Tërbuqit në fshatin Tërbug. U rindërtua më 1864. Të ardhura vjetore: 100 lira. Festonte më 15 gusht.

18. Manastiri i Erindit në fshatin Erind. Është ndërtuar në shek. e 16-të. Të ardhura vjetore 40 lira. I ishte kushtuar Shën Thanasit.

19. Manastiri i Gjatit pranë fshatit Gjat. I përket periudhës bizantine. Të ardhura vjetore: 20 lira. Festonte më 15 gusht.

20. Manastiri i Nokovës midis fshatrave Nokovë e Mingul në Lunxhëri. Është ngritur gjatë shekullit të 18-të. Të ardhura vjetore: 80 lira. Festonte më 6 gusht.

21. Manastiri i Stegopulit, në veri të fshatit Stegopul të Lunxhërisë. Themeluar në shek e 6-të me kontributin e J. Nami Dragos. nga Saraqinishti. Të ardhura vjetore: 100 lira. Festonte më 20 korrik.

22. Manastiri i Nivanit, midis fshatrave Nivan e Nderan në Zagori të Gjirokastrës. Është ndërtuar në shek. e 16-të. Të ardhura vjetore: 100 lira.

23. Manastiri i Hoshtevës, në një pozicion të bukur të malit të fshatit Hoshtevë në Zagori. Është ndërtim i periudhës bizantine, ka të shënuar vitin 999 pas Krishtit. Të ardhura vjetore: 60 lira. Festonte më 6 gusht.

24. Manastiri i Konckës në Zagori. I është kushtuar Fjetjes së Hyjlindëses Mari dhe kremtonte më 15 gusht. Të ardhura vjetore: 40 lira.

25. Manastiri i Zhejit ndodhej në fshatin Zhej të Zagorisë. I ishte kushtuar Paraqitjes së Zotit Krisht në Tempull (Ipapandisë). Të ardhura vjetore: 50 lira.

26. Manastiri i Poliçanit ndodhej pranë Poliçan të Pogonit. Është themeluar në shek. e 14-të dhe është metoq i një manastiri tjetër më të vjetër, i shën Marisë së Brodecit. I është kushtuar Shën Thanasit. Të ardhurat vjetore: 50 lira.

27. Manastiri i Çatistes, gjysmë ore në perëndim të fshatit Çatistë të Pogonit. Është themeluar në vitin 1619. Të ardhura vjetore: 100 lira.

28. Manastiri i Ajellastit në Leshnicën e Sipërme të rrethit të Delvinës. Është themeluar në shek. e 17-të. Të ardhura vjetore: 80 lira. I është kushtuar Ipapandisë.

29. Manastiri i Gjermanoit, në Leshnicën e Poshtme të rrethit të Delvinës. Është themeluar në shek. e 18-të. Të ardhura vjetore: 100 lira. I kushtohej shën Athanasit.

30. Manastiri i Dhivrit, në juglindje të fshatit Dhivër të Delvinës. I përket periudhës bizantine. I është kushtuar shën Nikollës. Të ardhura vjetore: 30 lira.

31. Manastiri Dhema, një orë në jugperëndim të Sarandës. Është ngritur në shek. e 14-të. I është kushtuar Shën Gjergjit. Të ardhura vjetore 120 lira.

32. Manastiri i Kakomesë në bregdet të Nivicës. Është themeluar në shek. e 13-të. Të ardhura vjetore: 180 lira. Festonte më 15 gusht.

33. Manastiri i Akrorizës në bregdet, midis fshatrave Nivicë e Shën Vasil. Është themeluar në shek. e 16-të. Të ardhura vjetore 40 lira. I ishte kushtuar Shën Thanasit.

34. Manastiri i Shën Vasilit, në fshatin Shën Vasil. I përket shek. të 13-të. Të ardhura vjetore: 80 lira. I kushtohet shën Vasilit.

35. Manastiri i Voloterit, afër fshatit Nivicë. U themelua në shek. e 18-të. Të ardhura vjetore: 50 lira. I kushtohet shën Gjergjit.

36. Manastiri i Kremeshovës, në fshatin Piqeras. Është ngritur në vitin 1400. Të ardhura vjetore: 100 lira. Feston më 15 gusht.

37. Manastiri i Kostarit, në jug të fshatit Kostar. Është pikturuar më 1775 pas Kr. Të ardhura vjetore 30 lira. Feston më 15 gusht.

38. Manastiri i Mesopotamit, ndërmjet fshatrave Mesopotam i Sipërm e i Poshtëm. Është themeluar për herë të parë në kohën e Konstandinit të Madh mbi një tempull pagan. Të ardhura vjetore: 80 lira. I kushtohet shën Nikollës.

39. Manastiri i Piros, pranë fshatit Sirokat. Është ndërtuar në shek. e 18-të. Të ardhura vjetore 50 lira. Feston më 15 gusht.

40. Manastiri i Gardhikaqit, në anën veriore të fshatit Gardhikaq. U ndërtua më 1622 pas Kr. Të ardhura vjetore 70 lira. I është kushtuar Shën Trinisë.

41. Manastiri i Qeparoit, në fshatin Qeparo të Himarës, i shek. të 17-të. I kushtohet shën Dhimitrit. Të ardhura vjetore: 30 lira.

42. Manastri i Taksiarkëve, në juglindje të Himarës. U themelua në shek. e 16-të. Të ardhura vjetore: 20 lira. Feston më 8 nëntor.

43. Manastiri i Kostanesë në verilindje të Himarës. U themelua në shek. e 16-të. I është kushtuar Fjetjes së Shën Marisë (15 gusht). Të ardhura vjetore: 20 lira.

44. Manastiri i Atalit, po në verilindje të Himarës. U themelua në shek. e 16-të. I është kushtuar Fjetjes së Hyjlindëses. Të ardhura vjetore: 20 lira.

45. Manastiri i Skutarit, në verilindje të fshatit Vuno të Himarës. Themeluar në vitin 1700 ps. Kr, i kushtohet Fjetjes së Hyjlindëses Mari. Të ardhurat vjetore: 20 lira.

46. Manastiri i Bubullimës, në fshatin Vuno të Himarës. Është mjaft i vjetër dhe i kushtohet Shën Joan Pagëzorit. Të ardhurat vjetore: 20 lira.

47. Manastiri Stavridhi, në verilindje të Dhërmiut. Është ndërtuar në shek. e 16-të dhe i kushtohet Burimit Jetëdhënës. Të ardhurat vjetore rreth 25 lira.

48. Manastiri i Shën Theodhorit, në juglindje të Dhërmiut. U themelua në shek. e 17-të dhe i kushtohet shën Theodhorit. Të ardhurat vjetore: 25 lira.

49. Manastiri Vasiliko, gjithashtu në juglindje të Dhërmiut. Ndërtuar në shek. XVI, i kushtohet Ipapandisë dhe feston më 2 shkurt. Të ardhurat vjetore: 30 lira.

50. Manastiri i Shën Joanit, pranë Palasës së Himarës. Ndërtuar në shek. e 16-të. Të ardhurat vjetore: 30 lira.