EmailFacebookKontakt

Fondacioni “Fryma e Dashurisë” – 26 vite kontribut

“Nga të gjitha punët e shenjta, edukimi i fëmijëve është më e shenjta”. Shën Theofani i Mbyllur.

Për këtë vepër kaq të shenjtë, Kisha Orthodhokse, në vitin 1998 themeloi Fondacionin “Fryma e Dashurisë”, në varësi të të cilit funksionojnë kopshte dhe shkolla në mbarë vendin tonë.

Viti shkollor 2023-2024 shënoi vitin e 26-të shkollor të përkushtimit të këtij Fondacioni nën drejtimin e presidentit të tij, Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili thekson se edukimi është më shumë se libra për të lexuar dhe fakte për t’u mbajtur mend. Qëllimi është të formohen njerëz që nuk janë vetëm të zgjuar apo të aftë në fusha të ndryshme, por të motivuar nga respekti dhe dashuria, dhe jo nga babëzia dhe frika.

Afërsisht 2800 fëmijë dhe nxënës nisën këtë vit udhëtimin për rritje të njohurive dhe aftësive në 23 institucione arsimore: 14 kopshte, 3 shkolla nëntëvjeçare, 5 shkolla të mesme dhe 1 profesionale; në të cilat janë përkushtuar 300 punonjës të kualifikuar me përvojë të gjatë e të suksesshme në arsim e shërbim.

Këto institucione shërbejnë në shumë qytete të vendit si Vlora, Korça, Elbasani, Lushnja, Derviciani, Gjirokastra, Durrësi, Tirana etj.

Urojmë dhe lutemi për një vit të mbarë, plot hir e ndriçim.

“Ti, o Zot, që the të ndriçojë drita në errësirë, ndriço zemrat e mësuesve dhe nxënësve me njohjen e së vërtetës sate dhe me dritën tënde të patreguar; jepu këtyre frymë diturie, frymë mençurie, ndriçoi sytë e shpirtrave të tyre që të shikojnë dhe të bëjnë vullnetin tënd; bëji këta bij drite, që të japin fryt e të rriten në çdo vepër të mirë nëpërmjet urtësisë së ardhur që lartazi” (Urata për fillimin e vitit shkollor).

Ana Baba

Gjimnazi “Frymë Dashurie”, Gjirokastër
Kopshti “Frymë Dashurie”, Korçë
Kopshti “Frymë Dashurie”, Vlorë
Shkolla 9-vjeçare “Frymë Dashurie”, Gjirokastër