Pakistani është një nga vendet më tipike ku ka sulme të shpeshta ndaj të krishterëve nga ekstremistët. Famëkeq është sidomos ligji kundër blasfemisë, i cili keqpërdoret si justifikim në këto krime.
Pak ditë më parë, të paktën pesë kisha u plaçkitën dhe u dogjën në qytetin Jaranwala, në provincën lindore të Punxhabit.
Sulmet u kryen pas thashethemeve pa asnjë bazë për dy të krishterë që kishin kryer blasfemi kundër Kuranit. Kështu raporton media pakistaneze Geo, duke cituar klerikun e krishterë Akmal Bhatti.
Kleriku i krishterë Azad Marshall deklaroi në Twitter se “Janë përdhosur biblat dhe të krishterët janë torturuar e keqtrajtuar, duke u akuzuar padrejtësisht për shkelje të Kuranit të Shenjtë”.
Videot e postuara në mediat sociale treguan qindra njerëz të armatosur me shkopinj duke sulmuar dhe grabitur kishat dhe shtëpitë private, e më pas duke u vënë atyre flakën. Sipas informacioneve, bëhej fjalë për 21 kisha të djeguara, si qindra shtëpi të të krishterësh të grabitura e të shkatërruara.
Mbi 100 persona janë arrestuar në lidhje me sulmet, ndërsa siguria e kishave është forcuar me trupa të veçanta.