“Si të të quajmë, o tri herë i lumur? Dëshmor, se për Zotin Krisht Perëndi derdhe gjakun tënd; predikues, se shpalle tek të gjithë ligjin e Mbretërisë së Krishtit; apostull, se fjalët e ungjillit, si apostull, ua qartësove besnikëve; apo asket, se jetën tënde na e le si një pasqyrë të asketizmit; prift, se duke meshuar, veten tënde ia ofrove, si therore të pastër, Zotit tënd; të Cilit lutju papushuar të shpëtohen shpirtrat e atyre që lusin kujtimin tënd”. – Himn i Litisë
…Figura e Tij është diamant poliedrik që shfaq pamjet: të priftit dhe të dëshmorit, të veshur me stolinë e priftërisë të ngjyer me gjakrat e martirizimit; të apostullit, predikues të Perëndisë, sepse imitoi zellin e apostujve dhe, me mundim e sakrifica, punoi për përhapjen e Mbretërisë së Qiejve në zemrat e njerëzve; të asketit, se na paraqet, si në pasqyrë, jetën e pendimit dhe të përsosmërisë, duke tërhequr me dritën e predikimit hyjnor dhe me shembullin e ndritshëm, mijëra njerëz. Këta, jo vetëm e dëgjonin në vendbanimet e tyre, por e ndiqnin pas, nga fshati në fshat dhe nga qyteti në ishull, për të ngopur, me manën qiellore të Fjalës hyjnore, shpirtrat e tyre të uritur dhe të freskohen me Ujin Jetëdhënës të së vërtetës hyjnore, për të shuar etjen shpirtërore. Dhe realisht, në këtë rast, vërtetohen fjalët e shën Joanit të Shkallës, sipas të cilit “dritë e murgjërve janë engjëjt dhe dritë për njerëzit e tjerë është jeta murgërore”. Sipas mendimit të një jerondi tjetër, “le të dalim jashtë nëpër manastire, që të vijnë njerëzit tek ne”.
Mund ta quajmë dhe anargjend çudibërës, sepse, duke qenë i mbushur me dashurinë e përsosur ndaj Perëndisë dhe me dashurinë e sinqertë ndaj të afërmit të Tij, sipas fjalës së Apostull Pavlit: “Kërkonte me zell dhuntitë më të larta” (I Kor. 12:31), rrugën e dashurisë së lartpërmendur. Dhe u denjësua për dhuntinë e shërimeve, duke shëruar sëmundjet e njerëzve; ngaqë, brenda vetes, kishte Zotin bashkëpunëtor, i Cili i vërtetonte fjalët me mrekullitë që e shoqëronin. (Marku 16:20)
Por, le të dëgjojmë, për Shenjtorin, nga goja dhe shkrimi i nxënësit dhe biografit të Tij, i cili ato që na thotë i pa me sytë e tij dhe i dëgjoi me veshët e tij, për sa u përket çudive, mënyrës së mësimdhënies dhe përmbajtjes së predikimeve të Tij. “Këtë e them me bindje sepse pata fatin ta dëgjoj me veshët e mi. Zëri i Tij ishte paqësor dhe i butë, fjalët e Tij ishin të mbushura me dritën dhe qetësinë e Frymës së Shenjtë. Kudo që shkonte Ai njeri i bekuar, mblidheshin mjaft të krishterë dhe dëgjonin, me përkushtim dhe vëmendje, fjalët e Tij të ëmbla dhe të këndshme. Pastaj shenjtori vazhdonte me faljen e mëkateve dhe besimtarët e ndienin shpirtin të lehtësuar. Mënyra si u drejtohej njerëzve ishte vërtet e thjeshtë, siç i flasin peshkatarët njëri-tjetrit.
Për shkak të njerëzve të shumtë që mblidheshin për ta dëgjuar, asnjë kishë nuk i nxinte turmat e besimtarëve. Prandaj, Ai detyrohej ta shpallte fjalën e Zotit nëpër sheshe të hapura. Kështu, pra, e pat bërë zakon dhe kudo që shkonte dhe kishte ndërmend të fliste për Zotin, porosiste të ngrinin një kryq të madh prej druri dhe ta vendosnin në mes të sheshit. Pastaj mbështeste në drurin e kryqit fronin, që, siç thonë, ia kishte ndërtuar Kurt Pashai; ngjitej në të dhe fillonte të predikonte. Pasi përfundonte, fronin e merrte me vete kudo që shkonte, ndërsa kryqin e linte aty që t’u kujtonte njerëzve fjalët e Tij…
Në ato vende, ku qenë vendosur kryqet, Zoti lejoi të bëhen herë pas here shumë mrekulli. Kështu, në qendër të pazarit të Argostolit, që është qyteti më i madh i Qefalonisë, aty ku Shenjti pat lënë një kryq të tillë, shpërtheu nga toka ujë me veti çudibërëse, që vazhdon të rrjedhë deri më sot.
Për sa i përket përmbajtjes së mësimdhënieve, të cilat janë të shumta dhe koha nuk na lejon t’i përmendim të gjitha si një buqetë, do t’ju ofrojmë vetëm disa lule, që të ndieni aromën e tyre:
· “Perëndia ka shumë emra; emri kryesor i Perëndisë tonë është dashuri dhe quhet Trini, Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë; një natyrë, një lavdi, një mbretëri, një Perëndi, i gjithi dritë, i gjithi gëzim, i gjithi dhembshuri, i gjithi dashuri, i pakuptueshëm, i pashpjegueshëm, i tërëfuqishëm, i mëshirshëm dhe i drejtë.”
· “Të keni shpresë tek shenjtorët e Kishës dhe më shumë tek Kryezonja Mari, sepse shenjtorët janë shërbëtorë të Krishtit, ndërsa Hyjlindësja është Mbretëresha e qiellit dhe tokës”.
· “Duke studiuar Ungjillin e shenjtë, gjeta brenda tij kuptime të shumta e të ndryshme, të cilat janë të gjitha margaritarë, diamante, thesar, pasuri, gëzim, dëfrim, jetë e përjetshme”.
· “Këtë ju them dhe ju porosis: Trupin tuaj le ta djegin, le ta torturojnë, gjërat tuaja le t’i marrin; mos u shqetësoni. Jepini. Nuk janë tuajat. Shpirti dhe Krishti. Këto të dyja, sikur e gjithë bota të bjerë mbi ju, askush nuk mund t’jua marrë, vetëm në qoftë se i jepni me dëshirën tuaj”.
· “Kryqi i Nderuar është ruajtës i gjithë botës, shenjtëron të gjitha anët e dheut, të gjitha të shenjtat dhe hyjnoret e Kishës. Kryqi i gjuan demonët dhe ata ikin si prej shkreptime. Kryqi është një armë e ndritshme dhe kushdo që e bën shenjën e tij, e ndriçon dhe e shenjtëron”.
· “Sa e keqe e madhe është mendjemadhësia dhe sa e mirë e madhe është përulësia. Mendjemadhësia është bija e parë e djallit, është rruga që na çon në ferr, kurse përulësia është rrugë engjëllore që na çon në Parajsë”…
Le ta falënderojmë Perëndinë që na bëri të denjë të ndjekim panairin dhe Liturgjinë në ditën e Shën Kozmait, dhe le të ndërgjegjësohemi dhe le të marrim përgjegjësinë për të zbatuar fjalët e Tij, që të denjësohemi për lumurimin e Krishtit: “Lum ata që zbatojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë”.
U bëftë!
Shkëputur nga libri “Buqetë lulesh shpirtërore” i Mitropolitit të Beratit, Hirësi Ignatit