Këto dy fjalë përbëjnë çelësin për të kuptuar gjithë atë çka përjeton prej tashmë tre dekadash Kisha Orthodhokse në Shqipëri. Në Përvjetorin e 31-të të Fronëzimit të tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, në përfundim të Liturgjisë Hyjnore panegjerike në Kishën madhështore Katedrale të Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, të mërkurën, më 2 gusht, dha me fjalët e tij shkas për meditim, reflektim dhe kryesisht për përjetim në modesti dhe përulësi. Çfarë u trashëgua nga e kaluara tragjike e persekutimit të besimit Orthodhoks, atë të kalvarit të klerit të nderuar, u analizua pak më pas, në veprimtarinë në Amfiteatrin e Qendrës Kulturore.
Ndërsa mrekullinë e ringritjes dhe realitetin e mbinatyrshëm të Kishës sonë nën udhëheqësinë e Kryepiskopit Anastas, me lehtësi mundet ta konceptojë gjithsecili qoftë edhe në kundrimin e kompleksit të Katedrales, sintezës arkitektonike të tij, interierit artistik dhe në veçanti funksionalitetit shumëdimensional. Kjo është kisha që Kryepiskopi Anastas kishte përshkruar në atë Fjalim historik të Fronëzimit… Kisha që përcjell konkretisht mesazhin Ngjallësor!
Përshëndetja e rastit e Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitrit, preku thelbin e gjithë veprimtarisë që është zhvilluar për rimëkëmbjen e Kishës sonë dhe gjallërimin e besimit Orthodhoks në mbarë Shqipërinë, atë që Kryepiskopi Anastas e lë trashëgim dhe testament për të ardhmen: dashurinë dhe përkushtimin e thellë më Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht. Sepse nuk përbëjnë arritjet as shkas për mburrje dhe krenari boshe dhe as fryt konjukturash të anës së botës. Është rezultat i bindjes së thellë në vullnetin e Perëndisë, besimit dhe dashurisë në dhe për Të, në personin e Kryepiskopit Anastas dhe, përmes Tij, në gjithë grigjën e bekuar të Kishës së gjallë që ai ka ripërtërirë në mbarë Shqipërinë.
Prania e aq shumë të rinjve edhe një herë tjetër e konfirmon faktin se Kryepiskopi Anastas ka krijuar një bazament që mund t’u rezistojë kohëve, sfidave, sprovave, të papriturave… Sepse, sikundër nënvizoi edhe në këtë përvjetor të 31-të, duke falënderuar Mitropolitin e Korçës Imzot Joanin, për fjalët e ngrohta të mirënjohjes në emër të klerit dhe popullit besimtar të pranishëm dhe në lutje anë e kënd vendit, Kryepiskopi tha se e kemi bazuar besimin, shpresën dhe dashurinë tek Ai që ka fjalën e fundit, Perëndia, që u shfaq më Jisu Krishtin!
Në atë gusht të largët të vitit 1992 as që mund të imagjinohej, qoftë edhe nga ëndërrimtari më i guximshëm, ajo që sot është realitet. Dhe kjo sepse Perëndia shpërblen pasurisht besimin, devotshmërinë, dashurinë, përkushtimin, guximin, burrërinë, sensin e drejtësisë, përulësinë, bindjen e virtyte e dhunti të tjera të Kryebariut tonë, Kryepiskopit Anastas i cili e dëshmon Besimin Orthodhoks në këtë cep të botës.
Të ndërgjegjshëm për padevotshmërinë tonë, mrekullohemi akoma më shumë për shpërblimin pasuror që Perëndia bën ndaj sakrificës së painteres të një personaliteti si Kryepiskopi ynë!
***
Është dhe një tjetër përvjetor jubilar ky i sivjetmi, që nga një moment me rëndësi themelore për historinë më të re të Kishës Orthodhokse në Shqipëri. U mbushën 25 vite nga ngritja e Sinodit të Shenjtë të Kishës lokale Autoqefale në frymën dhe dispozitat kanonike por edhe kuadrit ligjor të vendit. Kryepiskopi Anastas, si për nga pozita institucionale si dhe nga reputacioni i njohur botërisht dhe përvoja e gjatë, ishte faktor i rëndësishëm në formësimin e Kushtetutës së Republikës që u miratua në referendum mbarëpopullor pikërisht 25 vite më parë, në ato pika që lidhen me lirinë dhe të drejtën e besimit fetar.
Çdokush që do të përjetonte aq bekime në jetën e tij personale e për më tepër në veprimtarinë e tij baritore dhe udhëheqësinë e një komuniteti si ai Orthodhoks në Shqipëri, me njohjen dhe reputacionin ekumenik që Kryepiskopi Anastas gëzon me të drejtë, do të ndihej i plotë.
Fortlumturia e Tij, i mbushur me ndjenjën e thellë të falënderimit për Perëndinë, na fton në përulje: mrekullia që përjetojmë është dhuratë Perëndie dhe jo meritë e njeriut… Sepse Perëndia e lartëson të përulurin dhe atë që e pohon me burrëri!
Orfea Beci