Më 15 Gusht, Kisha jonë e shenjtë kremton Fjetjen e lavdëruar të Nënës së Zotit.
Për dëlirësinë dhe përulësinë e saj u denjësua të bëhet “katedra e mbretit” dhe “ena ku u vendos miroja e pashterur”, Zoti ynë Jisu Krisht.
Nderi ishte i madh, por edhe përgjegjësia që kishte ishte e barasvlershme. Që në çastin kur lindi Foshnja hyjnore nuk njohu prehje, ashtu si çdo nënë, që derisa fëmija i saj të rritet, harron çdo prehje dhe argëtim.
E Tërëshenjta vuajti për fëmijën e saj më tepër se çdo nënë tjetër. Nuk e lindi në pallat apo shtëpi, por në shpellë, mbi kashtë. Nuk kaluan shumë ditë kur Herodi urdhëroi që të vrisnin Birin e Virgjëreshës, ndaj u detyrua natën, fshehur, të arratisej me foshnjën e saj dhe Josifin, për t’u strehuar në Egjipt. Më pas u kthyen në Nazaret dhe jetuan në varfëri. Jisui i vogël nuk shkoi në shkollë. Sqepar dhe sharrë mbante në dorë që të ndihmonte familjen. Në fund e kapën si keqbërës dhe e dënuan me kryqëzim. Vallë, çfarë ndjeu e Tërëshenjta kur mori vesh vendimin e padrejtë dhe popullin mosmirënjohës të bërtiste për birin e saj “Kryqëzoje!”? Atëherë u përmbush profecia ku një shpatë do ta përshkonte shpirtin e saj. Vuan fëmija kur e torturojnë, dyfish dhe trefish vuan nëna kur e shikon në atë gjendje. Të gjithë e braktisën, por e Tërëshenjta dhe shën Joan Theologu i qëndruan pranë, poshtë kryqit, dhe panë gjakun e tij të kullonte mbi dhe. Prandaj dhe Biri i Virgjëreshës nuk e harroi Nënën e Tij, por mendoi për të edhe në dhimbjet e Kryqit. Duart nuk mund t’i lëvizte dot, por me shikim i tregoi të ëmës Joanin, duke i thënë: “Ja biri yt!”, ndërsa atij i tha: “Ja nëna jote!”. Joani e mori të Tërëshenjtën në shtëpinë e tij duke e bërë nënën e vet. Këtu ndalojnë të gjitha të dhënat e Shkrimit. Por sipas traditës ruhen edhe disa ngjarje të tjera për ditët e fundit të Hyjlindëses.
Ajo jetonte me dëshirën për t’u larguar nga kjo jetë dhe i lutej të Birit ta merrte pranë vetes. Dhe ja ku erdhi ora. Ashtu si dikur “Engjëlli kryetar u dërgua nga qielli t’i thotë Hyjlindëses: Gëzohu”, edhe tani një engjëll erdhi ta lajmëronte se për tri ditë do të largohej. E Tërëshenjta nuk u pikëllua, përkundrazi. Apostujt e shpërndarë në mbarë botën u njoftuan në mënyrë të mrekullueshme. Me fuqi të përmbinatyrshme u zhvendosën mbi retë e qiellit dhe erdhën pranë Hyjlindëses. Me dhimbje e lot e përshëndetën, ndërsa ajo i ngushëllonte. Në fund, u shtri mbi shtatin e vdekjes, mbylli sytë, kryqëzoi duart dhe dorëzoi frymën e saj te Biri dhe Perëndia i saj. Apostujt, duke psalur bashkë me engjëjt që dëgjoheshin nga lart këngë të përmortshme, e varrosën trupin e saj në Gjethsemani.
Me përkujdesje hyjnore, një nga apostujt mungonte, dhe mbërriti pas tri ditësh. U pikëllua që nuk ishte i pranishëm në varrimin e Nënës së Zotit, dhe mendonte me vete se si do të tretej trupi i virgjër sipas ligjeve të materies. Vëllezërit e çuan te varri dhe për çudinë e të gjithëve, varri ishte bosh! E Tërëshenjta u ngjall dhe u ngjit në qiej. Engjëjt dhe kryeengjëjt e morën me duart e tyre të palëndë dhe e zhvendosën në qiej që të ishte pranë Birit të saj. Nuk u ngjit në qiej vetëm shpirti i saj, por edhe trupi që të jetë mbretëresha dhe nëna e gjithë botës, të ndërmjetojë për mëkatarët.
Kjo është ikona e gjallë dhe madhështore e zhvendosjes në qiej të Hyjlindëses, të cilën e pikturoi me penë profeti mbret. Mos mendoni simbolet e trishtueshme të vdekjes këtu në tokë; atje ku duket një trup i vdekur, shtrirë mbi një shtrat, i varrosur me nder nga Apostujt, të cilët u mblodhën në mënyrë të çuditshme nga tërë anët e dheut.
Varri i saj është bosh në Gjethsemani, sepse varri nuk mundi ta mbajë nënën e jetës, enën e Hyjnisë së mishëruar, ku vendi i duhur është froni i lavdisë hyjnore. Dhe lart në këtë fron, në të djathtë të Perëndisë Mbret, Nëna e Zotit ulet si Mbretëreshë e Qiejve dhe e tokës, më lart se çdo krijesë.
“Në të djathtën tënde qëndroi mbretëresha e mbështjellë dhe e stolisur me rroba ari”. Pas Perëndisë, Mbretëreshës së tokës Kisha e besimtarëve i jep lavdërimin e nderuar; në këmbët e kulluara të saj vendosnin mbretërit shpresëtarë skeptrat e diademat.
E madhe është përulësia e Hyjlindëses, “Sepse hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së tij” (Lluk. 1.48); “ai që e përul veten e tij, do të lartësohet” (Lluk. 18.14).
Nga Sinaksari i Hyjlindëses
Përktheu: Eleni Pani