Kisha është një organ hyj-njerëzor, ku qielli bashkohet me tokën në mënyrë të vazhdueshme dhe, ku krijohet kungimi i këtij organizmi në një realitet të përbashkët. Kështu Kisha është komuniteti adhurues, i cili përbën trupin mistik të Krishtit dhe, ku vetë Krishti është kreu i këtij trupi. Si një strukturë 2000-vjeçare Kisha ka ndeshur fenomene të ndryshme dhe të dhimshme përgjatë historisë, të cilat kanë krijuar dhe kuadrin kanonik, se si ky organizëm të mbrojë dhe zhvillojë aktivitetin e vet në botë. Organizimi i Kishës është një organizim hierarkik, ku secili ushtron kompetencat e veta pa i kapërcyer ato.
Episkopi është kreu i një komuniteti lokal konkret, i cili brenda një territori përfaqëson plotësinë dhe tërësinë e Kishës në nivel vendor dhe global. Çdo autoritet tjetër kishtar në këtë territor, vendoset dhe shërben nën bekimin dhe aprovimin e episkopit. Priftërinjtë që shërbejnë në këtë njësi lokale territoriale, shërbejnë nën emrin e episkopit të tyre. Episkopi është ai që lind Kishën, sepse vetëm ai mund të dorëzojë autoritete kishtare apo klerikë. Shërbesa e priftërinjve në Kishë nuk buron nga ata, por nga kompetencat baritore që iu ka deleguar atyre episkopi, në të kundërt aktiviteti i një kleriku është i pavlefshëm. Episkopi ka të drejtë që në territorin që ai mbulon të themelojë manastire, të gradojë igumenë (kreu i një manastiri). Kështu çdo manastir dhe anëtarët e tij (murgj janë pjesë e autoritetit episkopal të Episkopatës apo Mitropolisë përkatëse.
Asnjë Episkop nuk mund të ushtrojë atributet e tij episkopala jashtë episkopatës së tij që ai mbulon dhe nuk mund të dorëzojë (bëjë) klerikë për një territor tjetër kishtar. Po këshu edhe një prift nuk mundet të ketë autoritet jashtë territorit të episkopatës që i përket. Asnjë episkop, apo prift i një episkopate, nuk mund të kryej aktivitet në territorin e një episkopate tjetër, vetëm nëse është marrë më përpara bekimi dhe aprovimi i episkopit të zonës.
Cilido person që përpiqet të përvetësojë një nga këta tituj me vetëdashje është një rebel i fesë dhe kryen sakrilegj, duke përdhosur shenjtërinë e Kishës dhe mistereve të saj. Të gjithë besoj e dimë, se rrebeli i parë, që u rrebelua ndaj Perëndisë ishte satani. Gjithashtu në Shkrimin e Shenjtë djalli quhet edhe ati i mashtrimit dhe gënjeshtrës. Mos i besoni njerëz që kanë frymë të tillë, të rrebelimit dhe të mashtrimit. Pema njihet nga frytet dhe rrebelimi dhe mashtrimi janë fruta që nuk vijnë nga Perëndia.
Për të përmbledhur ndoshta me një fjali, të gjitha sa thuhen më lart, do të thoja se: Jashtë Autoritetit Episkopal nuk ekziston asgjë kishtare, as kishë, as klerik, as murg as manastir, cilido që pretendon diçka të tillë është gënjeshtar dhe mashtrues.
Atë Mihal Sanellari