EmailFacebookKontakt

Një botim i ri i Kolegjit Universitar “Logos” – Liturgjika 1: Hyrje në adhurimin hyjnor

Ky libër u shkrua si material mësimor në semestrin e parë për studentët e Degës së Pimantikës të Fakultetit Teologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, në lëndën e Hyrjes në adhurimin hyjnor, që zhvillohet në 4 orë.

Kjo lëndë ka hyrë në programin mësimor që prej vitit shkollor 1985-86. Qëllimi i futjes së kësaj lënde ka si pikënisje formimin hyrës të studentëve në praktikën mësimore të lëndës së Liturgjikës, që bëhet çdo të enjte në mëngjes në kishën universitare. Ky dyorësh i mbledhjes sonë adhuruese në tempullin e Perëndisë është rasti i vetëm adhurues, që jepet në kuadrin e jetës sonë universitare, dhe synon të bashkojë mësues dhe studentë në lutje të përbashkët “me një gojë dhe me një zemër”. Ofron me hirin e Perëndisë formimin e nevojshëm shpirtëror dhe rifurnizimin e nevojshëm me himnet, leximet, predikimin dhe pjesëmarrjen në misteret e kulluara dhe shërbesat e shenjta të Kishës.

Por, përtej këtij qëllimi shpirtëror, këto mbledhje adhuruese synojnë përvetësimin e lëndës së Liturgjikës, që për arsye të natyrës së saj nuk është e mundur të jepet vetëm teorikisht. Teoria ose historia e adhurimit presupozon njohjen e veprës adhuruese dhe, anasjelltas, vepra adhuruese ndriçohet dhe klasifikohet me njohjen e teorisë dhe historisë, d.m.th. me studimin e traditës liturgjike. Mirëpo ky ekuilibër ndërmjet teorisë dhe praktikës kërkon shumë mund dhe kohë të gjatë, si edhe njohje dhe përvojë. Atje ku ka arritur sot ajo që quajmë praktikë mësimore të Liturgjikës është mund i shumë përpjekjeve, studimeve dhe bashkëpunimit të mësuesve dhe studentëve të një tridhjetëvjeçari të tërë. Kështu ka krijuar një traditë, që përpiqet të japë maksimalen dhe më të mirën në këtë mbledhje adhuruese për përforcim të mësimdhënies, për përpikëri kryerjeje në lidhje me shkencën liturgjike dhe për pjesëmarrje në traditën adhuruese orthodhokse. Pra, këto praktika mësimore nuk janë vetëm një vëzhgim, por edhe një vizion për përmirësimin e gjërave tona liturgjike në kuadër të traditës së sigurtë dhe të rregullit të saktë të adhurimit hyjnor.

Në këtë mbledhje adhuruese gjejnë mishërimin e tyre jo vetëm Liturgjika me kuptimin e ngushtë të fjalës – d.m.th. historia dhe teoria e adhurimit, por edhe të gjitha mësimet që jepen në shkollë, të cilat lidhen me të: Homelitika, Himnologjia, Muzika kishtare bizantine [Psaltiki], Agjiologjia dhe Eortologjia, madje edhe mësimet që i përkasin Interpretimit të Shkrimeve të Shenjta dhe Artit të krishterë liturgjik.

Për rëndësinë pra të praktikës mësimore u gjykua e domosdoshme futja në programin mësimor e lëndës së Hyrjes në adhurimin hyjnor që në semestrin e parë, përderisa pjesëmarrja në praktikën mësimore fillon që këtu dhe shtrihet në të gjitha vitet e studimit. Kështu kur të vijë ora e mësimit të Liturgjikës në vitin e katërt, terreni është tashmë i parapërgatitur dhe afrimi në këtë fushë shumë të gjerë dhe të ndërthurur, do të jetë më i lehtë dhe më rezultativ. Meqenëse materiali është shumë i ngjeshur dhe është e pamundur të realizohet në dy semestra, një pjesë e tij është futur në Hyrje, si p.sh.: rreth tempullit të krishterë, sendeve kishtare dhe stolive të shenjta, rreth kalendarit kremtues dhe rreth shërbesave të natë-ditës. Si një parapërgatitje, e nevojshme për njohurinë hyrëse të adhurimit hyjnor, parashtrohet një vështrim i shpejtë i historisë së adhurimit hyjnor në vija të përgjithshme të zhvillimit të tij.

Tashmë, nga përvoja që ofroi mësimdhënia nëntëvjeçare, mund të justifikohet kjo përpjekje për botimin e saj, që studentëve t’u jepet një material ndihmues konkret për studim, që ndoshta do të jetë i nevojshëm edhe për të tjerë. Mjafton që ky të shërbejë si pikënisje për zgjerimin e mëtejshëm dhe thellimin e njohurive dhe nxitje për tema të ndryshme studimi rreth traditës dhe veprës sonë liturgjike. Të mos harrojnë, pra, se ky libër nuk është gjë tjetër veçse “Hyrje”.

Marrë nga Hyrja e librit, e autorit, z. Joanis Fundulis

Duke gjykuar se libri është një bazë liturgjike për formim të përgjithshëm, si fillim, menduam se do të ishte mjaft i nevojshëm dhe i përshtatshëm për studentët e shkollës sonë teologjike, për të mësuar dhe praktikuar adhurimin e Kishës sonë Orthodhokse.

Studentët në këtë libër do të njohin, përveç tematikave të përmbajtjes, edhe vijën logjike e historike të adhurimit të Kishës, që është adhurim shpirtëror, duke ndihmuar kështu në krijimin e një ndërgjegjeje liturgjike.

– Shkëputur nga parathënia e përkthyesit, Episkopi i Bylisit, +Asti.