EmailFacebookKontakt

Rinis tradita e kampeve verore të Kishës sonë – Kampi veror për djem “RILINDJA”, 2023, në ishullin e Zvërnecit

Me bekimin Kryepiskopit Anastas, rinisi tradita shumëvjeçare e kampit veror për djem “Rilindja”, në ambientet e manastirit “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, në ishullin e Zvërnecit, Vlorë.

65 fëmijë të grupmoshës 10-13 vjeç nga e gjithë Shqipëria, në datat 17-23 korrik përjetuan 7 ditë mjaft të bukura, të mbushura me veprimtari, lutje, këngë të krishtera dhe popullore, mësime mbi besimin orthodhoks, tema sociale, plazh, lojëra argëtuese, drama dhe skeçe, punime dore, krijime, konkurse etj.

“Mësoni nga Unë!” (Mt. 11:29), ishte tema e kampit për këtë vit, e cila na shoqëroi çdo ditë, si një thirrje për të ndjekur porositë e Krishtit, duke ecur në rrugën e drejtë e të vërtetë, me dashuri për Perëndinë dhe njëri-tjetrin.

“Universiteti veror”, siç e ka emërtuar kampin veror Kryepiskopi Anastas, është investim me vlera të paçmuara dhe të përjetshme, sepse ku ka gjë më të mirë sesa të mësojnë Ligjin e Zotit brez pas brezi dhe të mbjellim farat përjetën e përjetshme.

Kampi veror i Kishës sonë ndihmon në njohjen dhe përjetimin e besimit orthodhoks, mëson kampistët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në komunitet dashurie, duke fituar aftësi drejtuese, organizuese, komunikuese dhe të punës në skuadër, krijimin e miqësive të reja, zbulimin dhe zhvillimin e talenteve etj.

Tre djem të kampit, nëpërmjet Misterit të Pagëzimit nisën rrugëtimin drejt shenjtërimit dhe, shtatë të tjerë, nën drejtimin shpirtëror të Mitropolitit të Fierit, Hirësi Nikollës, përjetuan Misterin e Pendim-Rrëfimit, i cili na ripërtërin në udhëtimin drejt Zotit.

Kampi u mbyll me Liturgjinë Hyjnore, lutje falënderimi për Perëndinë për këtë bekim që na dha dhe për të gjithë ata që mundësuan realizimin e tij. Mirënjohje pafund kryebariut tonë Anastas, i cili mundëson këtë investim kaq të çmuar në edukimin shpirtëror të brezit të ri, Mitropolitit të Fierit, Hirësi Nikollës, i cili me dashuri u qëndroi pranë kampistëve.

Falënderojmë grupin organizues: katekistët, studentët e Departamenti të Theologjisë dhe Kulturës dhe vullnetarët e tjerë, shërbimi i të cilëve bëri të mundur realizimin e programit të kampit.

I lutemi Perëndisë që ky kamp të sjellë përfitim shpirtëror për të gjithë ata që ishin pjesë, si kampistët edhe stafi, që kjo shoqëri të zbukurohet nga fryti i Shpirtit të Shenjtë: dashuri, paqe, mirësi, durim, vetëpërmbajtje etj. Kështu do ta ndjekim denjësisht Krishtin dhe do të kontribuojmë në shoqërinë e sotme si bij drite dhe komunitet dashurie.

Kordinatori i Kampit I për djem
Armand Oga