Kremtimi filloi që në mbrëmjen e datës 24 korrik, në Shërbesën e Mbrëmësores në Kishën e Shën Anës, të drejtuar nga Hirësi Joani.
Në datën 25 korrik, Mitropoliti Joan kreu Liturgjinë Hyjnore në Katedralen madhështore të qytetit “Ngjallja e Krishtit”. Në shërbesat në këtë ditë të shënuar bashkëmeshuan edhe Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni; Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti, klerikë nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë, si dhe qindra besimtarë.
Viti 1998 shënoi një ngjarje të rëndësishme për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, riformimin e Sinodit të Shenjtë. Në 20 korrik të po këtij viti, Kryepiskopi Anastas, së bashku me disa Mitropolitë, kryen dorëzimin e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Korçës Joanit, përpara një numri të madh besimtarësh, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë. Ndërsa fronëzimi u krye në kishën mitropolitane “Burimi Jetëdhënës” në Korçë, më 25 korrik, duke shënuar kështu një ngjarje historike për qytetin e Korçës.
Me këtë rast, tek selia e Mitropolisë së Shenjtë Hirësia e Tij priti urimet e rastit. Krahas besimtarëve, morën pjesë përfaqësues të besimeve të tjera fetare, të institucioneve të qytetit si Prefekturës, Bashkisë, Këshillit të Qarkut, pedagogë të Universitetit ‘Fan S. Noli”, RTSH Korçë etj.