EmailFacebookKontakt

Riparimi i godinave të Zvërnecit drejt përfundimit

Pas një periudhe të gjatë 25 vjeçare, që nga koha kur u ringritën dhe u restauruan konakët e manastirit “Fjetja Hyjlindëses Mari”, në ishullin e Zvërnecit, në janar të këtij viti filluan punime të thella mirëmbajtjeje në këto struktura. Punimet u kryen me projekt të hartuar nga DRTK Vlorë dhe të miratuar në KKTKM, me vendim nr. 284, më 8 qershor 2021. Njësoj si për ndërhyrjet e restaurimet e mëparshme në manastir, ishte Kryepiskopi Anastas i cili miratoi dhe dha fondet për realizimin e tyre. Në kuadrin e këtij financimi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Bërthama e Trashëgimisë Kulturore pranë saj po realizon dhe ndjek punimet, duke koordinuar bashkëpunimin me Drejtorinë Rajonale te Kulturës Kombëtare Vlorë dhe IKTK.

Ato tashmë janë drejt përfundimit, duke krijuar kushte optimale për rinisjen e kampeve të fëmijëve dhe të të rinjve orthodhoksë.

Në vitet 97-98, me fonde të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë këto konakë ishin ringritur e restauruar, duke krijuar mjedise ku, për shumë vjet, u zhvilluan kampet verore. Ndërsa në vitin 2003, me fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas, u bë restaurimi i plote i kishës së manastirit.

Punimet e kryera së fundmi konsistojnë në ribërjen e plotë të suvasë, pastrimin dhe meremetimin e çatisë, përforcimin e elementeve prej druri etj. Ky monument, për shkak të vendndodhjes dhe pozicionit, është gjithmonë nën ndikimin e lagështisë dhe ujit të kripur të lagunës së Nartës. Për këtë arsye, dëmtimet e rifiniturës dhe të elementeve janë me të shpeshta dhe intensive. Ndaj, për restaurimin e konakëve po përdoren solucione përkatëse në forme aditivi, për eliminimin e lagështirës dhe ujit të kripur brenda strukturës së elementëve.