Kisha e “Shën Gjergjit” gjendet në fshatin turistik Dardhë të Korçës. Kisha është bazilikë trinefëshe. Ndërtimi i saj nisi më 16 korrik të vitit 1838. Këtë e vërteton mbishkrimi në greqisht, që gjendet mbi portën jugore të kishës: “Ndërtimi i këtij tempulli të famshëm nisi më 16 korrik 1838”.
Mbi portën veriore të kishës është shkruar: “U ndërtua siç e sheh ky tempull i gjithënderuar i Shën Gjergjit, në Dardhë, më 16 korrik”.
Mbi ikonën e Krishtit në ikonostas është shkruar: “U pikturua kjo ikonë e nderuar me dorën e Kostandin Zografit, nga Dardha, më 20 maj 1825”. Gjithashtu, atje është shkruar: “Me dorën e agjiograf Kostandin Dardharit, nga eparkia e Kosturit, 15 nëntor 1831”. Mbi ikonën e Shën Gjergj Trofeprurësit në ikonostasin e kishës, shenjtorit të cilit ajo i kushtohet, gjendet mbishkrimi: “U pikturua kjo ikonë e nderuar me kontributin e shpenzimet e Rufo Zdrulit, me dorën e Gjergjit, dikur Gjergj Zografit nga katundi i Larit 1808”. Mbi ikonën e Shën Dhimitrit gjendet ky mbishkrim: “Dora e Theaor P. Ilia nga katundi Dardhë, më 1887”.
Në ikonën e vogël të Hyjlindëses Mari në prosqinitarin e kishës është shkruar: “Me dorën e Anastas Ballamaçit, dhjetor 1882”.
Në bazamentin e potirit shenjtë të kësaj kishe janë gdhendur mjeshtërisht fjalët: “1896- Me dorën e N.K dhe Naum G më 14 gusht”.
Falë vlerës, traditës shekullore që mbart kjo kishë, është shpallur monument kulture në vitin 1970.