EmailFacebookKontakt

Skampini, qyteti i bazilikave

Nga Ilirjan Gjika

Qyteti i hershëm Skampin (Elbasani i sotëm), mendohet se u ndërtua në fund të shek. III, si vendqëndrim ushtarak i tipit Kastrum. Ai kishte formë katërkëndëshi, me gjatësi 348 m, gjerësi 308 m dhe një sipërfaqe prej 10 ha. Skampini shtrihej përgjatë aksit të rrugës “Egnatia”, të cilën e kontrollonte nëpërmjet portave të perëndimit dhe lindjes, të cilat gjatë natës qëndronin të mbyllura për udhëtarët.

Me emrin Scampis dhe Hiscampis, qyteti, përmendet në itineraret romake të udhëtimit gjatë shek. III dhe IV. Ndërkohë, në vitin 476, historiani bizantin Malkus e cilëson Skampinin si një qendër të rëndësishme midis Durresit dhe Ohrit, kur ai do të sulmohej nga gotët e Teodorikut. Pikërisht gjatë kësaj periudhe kemi dy dëshmi historike rreth zhvillimeve të Krishterimit në këtë qytet, i cili konsiderohej ndër nga më të rëndësishmit e provincës së Epirit të Ri. Në një letër të mbretit Leon drejtuar episkopit Artemius, në vitin 458, përmendet qyteti me emrin “Escampenus”. Ndërsa në vitin 519 kemi dy letrat e dërgatës së papës Hormisdas, të cilët, përmes Skampinit, udhëtuan përgjatë vijës “Egnatia”. Në to përmenden, ndër të tjera, episkopi Trojus, bazilika e Shën Pjetrit, kleri, besimtarët dhe forcat ushtarake të qytetit.

Duhet theksuar se, gjatë kësaj kohe, brenda mureve të Skampinit por edhe jashtë tij, ishin ndërtuar disa bazilika. Prova të ekzistencës së tyre na vijnë nga gërmimet arkeologjike, gjatë të cilave janë gjetur rrënojat e tre objekteve të kultit.

Bazilika e parë, e zbuluar në mënyrë rastësore gjatë punimeve bujqësore, është ajo në kodrën e Tepes, në pjesën perëndimore të Elbasanit. Gërmimet e saj u zhvilluan në vitet 1968-1969 nga z. Neritan Ceka dhe z. Aleksandër Meksi. E ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. IV, ajo është një bazilikë trenefëshe, që përbëhej nga naosi, absida gjysëmërrethore, narteksi, dhe disa ambiente ndihmëse në dy krahët e aksit gjatësor. Naosi ndahej në tre nefe nëpërmjet arkadave të mbështetura mbi shtylla të ndërtuara me gurë dhe breza tullash, ku nefi qendror ishte më i gjerë dhe më i lartë se dy të tjerët. Bazilika mbulohej me çati tjegullash ndërsa dyshemeja ishte e shtruar me dhe.

Në një fazë tjetër në mesin e shek. V, objekti, i nënshtrohet ndryshimeve të shumta, ku shtohet eksonarteksi dhe kapelë e varrimi pjesën verilindore. Nefet ndahen midis tyre me mure, ku ai qendror shtrohet me mozaikë ndërsa dy të tjerët përdoren për varrim. Gjithashtu ndërtohet një ikonostas i gurtë dhe, në absidë, ndërtohen shkallët e sinthronit. Në këtë mënyrë bazilika përshtatet plotësisht si një kishë varreze, rol të cilin e kishte edhe më parë. Fatkeqësisht, gjatë shek. VI kisha u rrënua nga shkaqe natyrore, për të mos u ndërtuar më.

Në vitet 1987-1988, gjatë gërmimeve në sektorin A, në pjesën jugperëndimore të kalasë, arkeologu Ylli Cerova zbuloi rrënojat e një monumenti paleokristian. Prej objektit ruheshin mure të ndërtuara me teknikën “Opus mixtum” në lartësinë deri 1 m2. Ndërsa materiali i pasur i skulpturës dekorative bëri që të kristalizohej ideja për ekzistencën e një bazilike të madhe, por pa shkuar me tej.

Në vitin 2007, në qendër të qytetit të Elbasanit, pranë portës jugore të kalasë, u gjetën gjatë punimeve publike të bashkisë rrënojat e një tjetër bazilike paleokristiane. Pas zbulimit, në vitin 2008 nisën gërmimet nga Instituti i Arkeologjisë, të drejtuara nga arkeologët Ylli Cerova dhe Elio Hobdari, të cilat u shoqëruan më pas me konservimin e mureve, mozaikëve dhe mbetjeve të pikturave murale nga ana e Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Kjo kishë përbëhej nga naosi, kthina e altarit, narteksi, eksonarteksi dhe dy ambiente ndihmëse në krahë të narteksit. Naosi përbëhej nga tre nefe, ku ai qendrori është më i lartë dhe më i gjerë se dy të tjerët. Ata ndaheshin ndërmjet tyre nëpërmjet arkadash të ndërtuara me tulla dhe të mbështetura mbi kolona mermeri të tipave dhe përmasave të ndryshme. Nga gërmimet në absidë u gjetën shkallët e sinthronit, dyshemeja dhe baza e katedrës. Absida gjysmërrethore ishte e pajisur me një dritare treshe, për të cilën ishin përdorur panele qelqi.

Dyshemeja e naosit, narteksit dhe absidës kanë qenë të zbukuruara me mozaikë, midis tyre edhe fragmente mozaiku mural, në të cilat gjejmë skena nga Eukaristia Hyjnore, figura me motive floreale dhe zoomorfe, tipike të periudhës së Krishterimit të hershëm. Për krijimin e tyre janë përdorur tesera guri gëlqeror, mermeri të bardhë, gurë të zinj, copa qeramike dhe qelqi. Bazilika, ka qenë e zbukuruar edhe me elementë të skulpturës paleokristiane, ku janë përdorur disa lloje mermeri me origjinë nga Prokonezi, Pendeli apo Azia e Vogël. Në pjesën e poshtme të mureve u gjetën edhe gjurmë të pikturës murale.

Nga gjetjet arkeologjike, rezulton se edhe kjo kishë është përdorur për varrime që në fillimet e saj. Këtë e tregojnë varret me arkitekturë të gjetura në hapësirën brenda dhe jashtë saj, një pjesë e të cilëve janë studiuar ndërsa pjesa tjetër janë në proces. Në rrënojat e bazilikës u gjetën fragmente skulpture dekorative, monedha, mbetje enësh qelqi, pjesë të pajisjeve ndriçuese, mbishkrime etj.

Më pas kisha është shkatërruar nga shkaqe natyrore, dhe rindërtuar përsëri. Ndër shkaqet natyrore përmendim vërshimet e përroit të Zaranikës, që dikur kalonte aty pranë. Këtë e vërteton shtresa e trashë e aluvioneve, e cila e kishte përfshirë nën vete këtë objekt, duke e humbur për një kohë të gjatë nga kujtesa kolektive.

Gjetja e tre bazilikave paleokristiane në intervale të njëjta kohore nga njëra-tjetra, ka treguar se nëntoka e këtij qyteti mund të rezervojë surpriza të tjera. Mendohet se qyteti i Skampinit duhet të ketë pasur edhe bazilika të tjera.

Gjithsesi, ekzistenca e tyre dëshmon për një traditë të vjetër të Krishterimit me rrënjë të forta, që nga periudha e antikitetit të vonë.