Më 21 maj 2023 u përkujtua 50-vjetori i revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit, një revoltë që befasoi dhe frikësoi regjimin komunist. Kundërreagimi nxori në pah gjithë egërsinë e regjimit ndaj tyre: 4 të burgosur u pushkatuan dhe të tjerët u ridënuan me 1700 vjet më shumë heqje lirie.
Me nismën e shoqatave të të Përndjekurve, Dioqezës së Rrëshenit të Kishës Katolike etj., në këtë ditë u organizua një veprimtari e veçantë në mjediset e burgut-kamp pune.
Pjesëmarrësve – mes të cilëve edhe të mbijetuar të kampit të Spaçit dhe të revoltës, familjarë të të dënuarve – iu bashkua, Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj, krerë e përfaqësues të komuniteteve fetare, deputetë etj.
Segmentin e fundit të rrugës që drejton për tek godinat e burgut, pjesëmarrësit e përshkuan më këmbë në formë pelegrinazhi, ku përshëndetën përfaqësues të të burgosurve, komuniteteve fetare, Presidentin e Republikës etj.
Nxënës të shkollës së Mesme të Rrëshenit inskenuan në mënyrë mbresëlënëse revoltën e të burgosurve dhe parullat antiregjim që u hodhën në të. U ritheksua nevoja që të rikujtohen këto ngjarje, në mënyrë që brezi i ri të mësojë për to, e kësisoj të mos përsëriten më kurrë.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti.
Thoma Dhima