Studentët e universitetit të nivelit Bachelor apo Master, por edhe të diplomuar, mund të marrin pjesë falas në shkollën verore që zhvillohet në datat 17-22 korrik 2023, në ambientet e Kolegji Universitar “LOGOS” në Tiranë, si dhe në Akademinë Theologjike në Shën Vlash, Durrës. Pjesëmarrësit do të mund të njihen nga afër me studimet teologjike dhe turizmin religjioz dhe, gjithashtu, të trajnohen si guidë turistike nga “Elite Travel Albania”, një nga Agjencitë Turistike më të njohura në Shqipëri.
Shkolla verore është ideuar për t’u paraqitur atyre disa karakteristika themelore të studimeve religjioze në nivel universitar dhe për t’i njohur me traditën e pasur fetare të Shqipërisë ndër shekuj, e cila mund të promovohet nga një sektor i veçantë i turizmit.
Ata do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë gjatë këtyre ditëve me akademikë të shkencave religjioze, të teologjisë dhe turizmit, të zhvillojnë ekskursione, të marrin pjesë në aktivitete me interes akademik, apo edhe të trajnohen nga ekspertë si agjentë turistikë.
Komisioni i pranimeve kërkon studentë të motivuar që interesohen në studimet religjioze, historinë, ruajtjen e kulturës, arkeologjinë dhe turizmin. Një parametër i detyrueshëm për pranimin është që pjesëmarrësit të kenë nivel të mirë të gjuhës angleze (niveli B1/B2).
Shkolla verore nuk siguron akomodim apo ushqim, por mbulon shpenzimet e ekskursioneve dhe vizitave në vendet arkeologjike.
Në përfundim, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë të barabartë me 3 ECTS.
Aplikimet pranohen deri më 10 korrik 2023.
N.M.