Mashtrimi gjithmonë vetëshkatërroh
…Besonin se do të vdiste, por dhe se do të ngjallej. Dhe megjithatë, vuanin. Nëse nuk e shihnin të ngjallur, a nuk do të zhdukeshin, nuk do të kërkonin të hapej toka t’i gëlltiste nga dëshpërimi për mashtrimin dhe frika për sa i prisnin? Do të përballeshin me të bërtiturat për paturpësinë e tyre. Çfarë kishin për të thënë? Pësimin e dinte e gjithë bota: E varën në kryq, në mes të ditës, brenda në kryeqytet dhe në të kremten më të madhe, atëherë kur askush nuk mund të mungonte. Por Ngjalljen nuk e pa asnjë nga të tjerët, dhe kjo nuk ishte pengesë e vogël për t’i bindur. Si pra, do të mund të siguronin mbarë gjindjen për Ngjalljen? Përse nuk e braktisën Judenë menjëherë e të shkonin në vende të huaja, gjersa ishin të lirë? A nuk është çudi që bindën shumë vetë, madje edhe në Jude? I paraqitën me guxim provat e Ngjalljes te vrasësit, ata që e kryqëzuan dhe e varrosën, që të gjithë të jashtmit të mos mundeshin të kundërshtonin. Sepse, kur besuan ata që e kryqëzuan, atëherë edhe paligjësia e kryqëzimit vërtetohet, dhe argumenti i Ngjalljes shkëlqen. Fakti që besonin turmat, do të thotë se nxënësit bënin mrekulli. Por, nëse nuk u ngjall, si do të bënin mrekulli në emrin e Tij? Dhe nëse nuk do të bënin mrekulli, si do t’i bindnin? Por nëse bënin – dhe sigurisht që bënin – kishin fuqi Perëndie. Edhe nëse nuk do të kishte mrekulli, por besimi do të përhapej kudo në botë nga 12 nxënës të varfër, kjo do të ishte mrekullia më e madhe. Padyshim, nxënësit nuk mahnitnin as me diturinë e as me pasuritë e tyre. Predikonin se në ta vepronte fuqia hyjnore e Ngjalljes, sepse do të ishte krejtësisht e pamundur që forca njerëzore të arrijë ndonjëherë të tilla gjëra të çuditshme. Këto janë argumentet e padiskutueshme të Ngjalljes: Nëse nuk u ngjall, si u bënë më vonë në emrin e Krishtit mrekulli më të mëdha se ato që u bënë kur ende ishte në botë? Askush nuk bën pas vdekjes mrekulli më të mëdha se sa kohën kurjetonte. Përkundrazi pas vdekjes së Krishtit bëhen mrekulli më të mëdha sipas mënyrës dhe natyrës: Sa i përket natyrës, ishin më të mëdha, sepse asnjëherë hija e Krishtit nuk bëri mrekulli, ndërsa edhe hijet e apostujve shëronin të sëmurët, kur kalonin mbi to; Sa i takon mënyrës, përsëri ishin më të mëdha,
VËRTET U NGJALL! et dhe, pa dashur, mbështet në gjithçka të vërtetën.
sepse ndërsa atëherë vetë Zoti urdhëronte dhe bënte mrekulli, pas Kryqëzimit dhe Ngjalljes, apostujt kryenin mrekulli më të mëdha dhe më të çuditshme vetëm duke thirrur emrin e Tij të shenjtë. Kështu lavdërohej dhe rrezatonte më shumë fuqia e Perëndisë. Prandaj Etërit e shenjtë caktuan që menjëherë kremtimit paskal të lexohen Veprat e Apostujve, ku përshkruhen mrekullitë dhe rrugëtimi i nxënësve të Zotit, i cili dëshmon kryekëput Ngjalljen, që të shuhet çdo dyshim në lidhje me të. Nuk e pe të ngjallur me sytë e trupit? E shikon me sytë e besimit. Nuk e pe as me këta sy? Do ta shohësh me mrekulli. Të gjitha mrekullitë burojnë dhe drejtojnë për tek Ngjallja. A dëshiron të shohësh mrekulli edhe tani? Do të të tregoj madje më të mëdha se të mëparshmet: jo thjesht një të vdekur të ngjallet, apo një të verbër të shohë përsëri, por të shohësh mbarë dheun të braktisë errësirën e mashtrimit. Vërtetimi më i madh i Ngjalljes është se Krishti, pas vdekjes së Tij, tregoi kaq fuqi, saqë i bindi të gjallët të përbuzin edhe atdheun, edhe shtëpinë, edhe miqtë, edhe farefisin, madje edhe vetë j etën për hir të Tij, dhe të preferojnë pësime, përbuzje, rreziqe dhe vdekje. Të gjitha këto nuk mund të jenë arritje të një të vdekuri të mbyllur në varr.
Ndërsa Jisui pësonte mbi kryq, apostujt, të frikësuar, e braktisën të gjithë dhe u larguan. Madje, apostull Petro e mohoi me be tri herë. Por, pasi erdhi në vete, ai që e mohoi tri herë dhe u frikësua para një shërbëtoreje, pati një ndryshim kaq thelbësor saqë nuk llogariti një popull të tërë. Në mes të turmës armiqësore të bashkëkombësve të tij, shpalli se i kryqëzuari dhe i varrosuri Jisu u ngjall të tretën ditë dhe se u ngjit në Qiej. Të gjitha këto i shpalli pa drojë, pa llogaritur aspak tërbimin çnjerëzor të armiqve. Ku e gjeti këtë guxim? Ku tjetër, përveç se te Ngjallja. E pa dhe bashkëbisedoi me Të dhe dëgjoi për të mirat e ardhshme, dhe kështu mori fuqi të vdesë për Krishtin dhe të kryqëzohet me kokë poshtë. Më e rëndësishmja është se jo vetëm Petro dhe Pavli dhe apostujt e tjerë, por dhe Ignati dhe shumë të tjerë, të cilët ndonëse nuk e panë dhe shijuan dot praninë e Tij mbi dhe, treguan kaq zell, saqë edhe trupin e vet e ofruan theror për hir të besimit në Krishtin. Ndër nxënësit kishte edhe mjaft gra që përçmuan vdekjen dhe ndenjën pranë Zotit edhe përpara Ngjalljes së Tij, në pësimet dhe vdekjen, duke treguar guxim të paarritshëm edhe për mjaft apostuj e shenjtorë. Kush i bindi të gjithë këta që të përçmojnë jetën e tanishme? Natyrisht, nuk është arritje e forcës njerëzore që të binden me dhjetëra e mijëra njerëz, jo vetëm burra, por edhe gra, virgjëresha dhe fëmijë të vegjël, të sakrifikojnë çdo gjë, të përballen me bisha, të shkelin çdo lloj ndëshkimi dhe të dëshirojnë vetëmjetën e ardhshme! Kush, vallë, i arriti të gjitha këto? Një i vdekur? Sa e sa kanë vdekur, dhe askush prej tyre nuk bëri të tilla gjëra. Mos vallë ishte magjistar dhe mashtrues? Mjaft të tillë magjepsën turmat, por të gjithë u harruan, pa lënë gjurmën më të vogël; së bashku me jetën e tyre u shuan dhe magjitë. Por fama dhe lavdia dhe besimtarët e Krishtit çdo ditë shtohen dhe shtrihen në të gjithë botën. Të pabesët tmerrohen dhe besimtarët shpallin: Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!
Predikim nga shën Joan Gojarti Përktheu: Eleni Pani