EmailFacebookKontakt

Atë Pandeli Daka

Shërbeu në Krutjen e Sipërme të Lushnjës, në Kishën e Shën Nikollës. Ka studiuar në një kolegj të kohës në Berat, në shqip dhe greqisht.

Ishte intelektual i njohur dhe mjaft i respektuar. Që përpara se të bëhej prift kishte miq të shumtë në Lushnje, Berat e Fier si dhe shumë njohje ngado.

Kur Krutja e Sipërme u bë kooperativë bujqësore, erdhën inxhinierë e gjeometra për kanalin e madh të Myzeqesë, që vadit të gjitha fushat e saj dhe më vonë edhe intelektualë të tjerë që kanë kontribuar në fusha të ndryshme për kooperativën dhe kulturën e fshatit, si kooperativa e parë në Shqipëri. Të gjithë këta streheheshin në shtëpinë e Atë Pandeliut, ku priteshin me dashuri e respekt.

U plagos në kohën e luftës, në një mëngjes herët, kur po shkonte në kishë për shërbesën. Plumbi i shpoi librin e psalmeve.

Pasi u shërua mrekullisht dhe u kthye në shërbim, çdo ditë, pas punës në kishë apo terren, ulej dhe me një shkrim të qartë e të bukur shkruante mbi letrat e bardha që i ngjiste me shumë kujdes mbi vendet e shpuara nga plumbi.

Atë Pandeliu ishte një klerik i devotshëm, i kulturuar, i urtë, punëtor dhe shumë i dashur me besimtarët e enorisë së tij, prandaj dhe gëzonte nderimin e tyre.

Ia dorëzoi shpirtin Perëndisë në moshën 59 vjeçare, në shtator 1957.

Përgatiti:
Atë Grigor Pelushi