EmailFacebookKontakt

“Përulësia hap dyert e qiellit!”

Një nga virtytet më të vështira për t’u arritur, të dashur besimtarë, është virtyti i përulësisë. Në përpjekjen tonë shpirtërore ai është mjaft i domosdoshëm. Duke marrë shkas nga shën Joani i Shkallës – kujtimin e të cilit Kisha jonë ka vendosur që ta kremtojë çdo vit në të Dielën e Katërt të Kreshmës së Madhe – do t’i referohemi në disa fjalë që shkruan për qëllimin, përpjekjet dhe arritjet tona në virtytin e përulësisë.

Shën Joani jetoi në gjysmën e dytë të shekullit të gjashtë dhe në gjysmën e parë të shekullit të shtatë. Bëri një jetë të shenjtë, duke iu përkushtuar Perëndisë në asketizëm dhe lutje.

Nga eksperienca e tij shpirtërore dhe asketike, por edhe nga përvojat e Etërve të tjerë, ai shkroi një libër që quhet “Shkalla e ngjitjes shpirtërore” prandaj mori dhe emrin Joani i Shkallës. Në të paraqiten në formën e një shkalle të gjitha virtytet që duhet të arrijmë për t’u ngjitur lart në qiell e për të arritur virtytin më të lartë, i cili është, sipas shenjtorit, virtyti i dashurisë.

Në librin e tij paraqiten tridhjetë shkallë, të cilat pasqyrojnë tridhjetë virtyte. Ndër to, virtyti i përulësisë është vendosur në shkallën e njëzetepestë, pra shumë lart. Shën Joani e thekson veçanërisht rëndësinë e tij thelbësore në jetën tonë. “Çfarëdo që të arrijmë në përpjekjen tonë shpirtërore, kur mungon përulësia, i kemi humbur të gjitha”,- shprehet shenjtori.

“Përulësia,- thotë ai në vazhdim,- është hiri anonim i shpirtit për të cilin mund të flasë vetëm ai që e ka shijuar atë nga përvoja personale. Është thesar i paçmueshëm; është pasuri dhe dhuratë e Perëndisë”.

“Pendimi na kthen në rrugën drejt qiellit, vajtimi troket dyert e Parajsës, ndërsa përulësia na i hap ato.”

“Tjetër gjë është që të krenohesh, tjetër gjë të mos krenohesh dhe tjetër gjë është të jesh i përulur. Pra përulësi nuk do të thotë vetëm të mos jemi krenarë, por shumë më tepër sesa kjo.”

Shenjtori tregon për një person, i cili kërkonte nga Perëndia që të arrinte virtytin e përulësisë, por kuptohet që në luftën tonë shpirtërore, si në çdo luftë tjetër, kishte dhe ai ngasje nga i Ligu, i cili na pengon për të arritur qëllimin tonë e për të triumfuar në përpjekjet shpirtërore. Kështu pra, i Ligu e sulmonte vazhdimisht me mendime krenarie.

Një ditë, në qelinë e tij, murgu filloi të shkruajë të gjitha virtytet. Shkroi virtytin e dashurisë së përsosur, të përulësinë engjëllore, lutjen e zemrës e shumë të tjera. Sa herë që i ligu e luftonte duke i shtirë ndërmend mendime krenare, ai shkonte dhe i lexonte të gjitha virtytet dhe i thoshte vetes: “Edhe sikur t’i kishe arritur të gjitha këto, të cilat ende nuk i ke arritur, përsëri je shumë larg Perëndisë.”

“Përulësia,- thotë shenjtori,- është dera e qiellit që u hapet vetëm atyre që i afrohen asaj”.

Po ne, a arrijmë dot ta kuptojmë se kur e kemi fituar dhuratën e përulësisë? “Kur ndjejmë në zemrat tona që i afërmi ynë është më i lartë nga ne në gjithçka”. Kur flasim për të afërmin, nënkuptojmë të gjithë njerëzit, pra kur pranojmë me të vërtetë në zemrën tonë se gjithë janë shumë më të lartë sesa ne.

“Duhet, – thotë shenjtori, – të kërkojmë jo gjërat që meritojmë, por më pak se ato që meritojmë. Nëse kërkojmë më pak, me siguri Perëndia do na japë më tepër”.

Shenjtori e cilëson dashurinë dhe përulësinë si një “çift të shenjtë” që ecin bashkë njëra me tjetrën. “Dashuria na ngre lart, ndërsa përulësia ndihmon që “ajo që është lartësuar të mos zbresë poshtë”.

Në përfundim, citoj një krahasim të bukur që shën Joani i bën përulësisë, duke thënë: “Përulësia është si një ciklon shpirtëror që na ngre nga humnera e mëkatit në lartësinë qiellore.”

Na ndihmoftë Perëndia, të dashur më Krishtin, që ta arrijmë dhe ne këtë virtyt të përulësisë; të na japë Zoti që të arrijmë me të vërtetë t’i shijojmë gëzimet qiellore edhe ne, sikurse shën Joani i Shkallës dhe të gjithë shenjtorët. Amin!