Të dielën, më 5 mars 2023, në të gjitha kishat orthodhokse u kremtua e Diela e Orthodhoksisë. Në Kryepiskopatë dhe Mitropolitë, në atmosferën shpirtërore që krijon Kreshma e madhe dhe periudha drejt Pashkës, u kryen Liturgjia Hyjnore dhe litania me ikonat, në prani të besimtarëve të shumtë.
Në vitin 787, u thirr në Nikea Sinodi VII Ekumenik. Në të u rivendos nderimi i ikonave pas herezisë ikonoklaste. Por, edhe pas këtij Sinodi rishpërtheu një periudhë përndjekjeje kundër ikonave.
Ishte Perandoresha Theodhora, e cila rivendosi përfundimisht ikonat dhe nderimin për to, në një sinod që u mbajt në Konstandinopojë. Të Dielën e parë të Kreshmëve të mëdha, më 11 mars 843, ikonat u rivendosën nëpër kisha me ceremoni madhështore dhe, që atëherë, kjo ditë kremtohet të dielën e parë të Kreshmës.