EmailFacebookKontakt

Sinjale të dyshimta në lidhje me Censusin e ri

Gjatë një interviste, drejtoresha e INSTAT dha “sihariqin”: në Censusin që do të zhvillohet muajt e ardhshëm, pyetja për përkatësinë fetare është fakultative dhe mund të mbetet edhe pa përgjigje. Ndryshe nga gjithë pyetjet e tjera, nuk ka asnjë penalitet për këtë.

Pra, pavarësisht të gjitha “fjalëve të bukura” duket se gradualisht po rikthehemi tek formati i Censusit të vitit 2011. Mbetet vetëm që pyetjen e përkatësisë fetare ta fshehin në formular, si atëherë, me një kuadrat të bardhë, të cilin regjistruesit në shumë raste as ua tregonin familjeve besimtare.

Pavarësisht nga dëshirat e disa qarqeve, orthodhoksët e Shqipërisë janë një realitet, pavarësisht se ç’shkruhet në letrat e qeverive. Sidoqoftë, kjo kërkon vigjilencë dhe njoftimin e vazhdueshëm të familjeve orthodhokse gjatë procesit të regjistrimit, që të mos bien pre e tendenciozitetit të një pjese të regjistruesve (siç ndodhi disa vite më parë).

Gjatë 100 viteve të pavarësisë së shtetit shqiptar janë kryer vetëm dy regjistrime në të cilat përfshihet pyetja mbi përkatësinë fetare. Sipas statistikës së vitit 1927, kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67,5%; orthodhoksët 22,3% dhe katolikët 10%. Ndërsa sipas regjistrimit tjetër të kryer nga autoritetet italiane, në vitin 1942, të dhënat e nxjerra ishin: myslimanë 68,9% të popullsisë (nga të cilët sunitë 54,17% dhe 14,73% bektashinj) dhe të krishterë 31% (nga të cilët orthodhoksë 20,7% dhe katolikë 10,3%).

Sipas të dhënave kishtare që disponohen (regjistrat e pagëzimit, para dhe pas persekutimit, si dhe nga regjistrat e 460 famullive orthodhokse në të gjithë vendin) numri i të krishterëve orthodhoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë. Me të drejtë mund të ngrihet pyetja: Ku janë mbi 17% e orthodhoksëve të tjerë që i fshehu regjistrimi?

Ndërsa të dhënat mbi përkatësinë fetare të popullsisë, në Censusin e fundit të vitit 2011, të shpallura zyrtarisht nga INSTAT-i, shpallin se të krishterët orthodhoksë në Shqipëri janë 6,75%. Pa dyshim bëhet fjalë për një gabim statistikor fare të qartë ose më saktë për një gënjeshtër.

Pas grumbullimit të 25.870 anketimeve me shkrim të besimtarëve orthodhoksë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, 17.360 prej tyre, ose 67.10% deklaruan se nuk u vizituan nga regjistruesit, ose nuk u pyetën (dhe nuk deklaruan) për përkatësinë fetare. Në vazhdim, u konstatua se ky numër ishte edhe më i madh.

Thoma Dhima

40 A i përkisni ndonjë besimi fetar?
Deklarim i lirë, jo i detyrueshëm
1 | | I përkas: Specifiko
2 | | Nuk i përkas ndonjë besimi fetar, por jam besimtar
3 | | Nuk i përkas ndonjë besimi fetar dhe nuk jam besimtar
4 □ Preferoj të mos përgjigjem

Pjesa e deklarimit të përkatësisë fetare në Censusin e vitit 2011, që solli konfuzion dhe deformim të së vërtetës