EmailFacebookKontakt

E kremtja e Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari (25 Mars)

“…Edhe do të mbarsesh, edhe do të lindësh bir, edhe do ta quash emrin e tij Jisu. Ky do të jetë i madh, edhe Bir i të Lartit do të quhet; edhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, atit të tij. Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit përjetë, edhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.”

– Nga Ungjilli i së kremtes

Para ardhjes në botë të Krishtit, skajet e dheut i kishte kapluar një errësirë e thellë morale, shoqërore dhe shpirtërore. Vetëm një shpresë ekzistonte në mbarë njerëzimin, shpresa e ardhjes së Shpëtimtarit.

Në veçanti, në popullin hebre kishte njerëz të mëdhenj, profetë të Dhiatës së Vjetër, të cilët, prej shumë shekujsh kishin profetizuar për ardhjen e Shpëtimtarit. Profeti Isaia, tetë shekuj para ardhjes së Tij, shpalli: “Ja virgjëresha do të mbarset dhe dhe do të lindë djalë, dhe emri i tij do të jetë Emanuel” (që i përkthyer do të thotë: Perëndia është bashkë me ne) (Is. 7:14); sepse ky do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet. Ndonëse kaluan shekuj dhe, për disa, këto fjalë dukeshin të pabesueshme, erdhi koha kur u përmbushën (Gal. 4.4). Që nga dita kur Eva, gruaja e parë, shkeli porosinë e Perëndisë në kopshtin e Edenit, e deri në kohën e ardhjes së Mesisë, lindën miliona gra. Ndër to, disa u shquan për urtësi, të tjera për bukuri dhe veçori të ndryshme; por asnjëra nuk përmbushi kushtet e duhura që të lindte Shpëtimtarin e botës dhe të bëhej Nëna e Perëndisë.

Vetëm te Maria e hirshme, bija e përulur e Nazaretit, u dërgua kryeengjëlli Gabriel që t’i thoshte: “Gëzohu!”. Vetëm ajo u gjykua e përshtatshme për këtë shërbesë, falë cilësive e virtyteve që kishte. Kur u denjësua për lajmin e kryeengjëllit se do të lindte Birin e të Lartit, atëherë, shënon ungjillori Lluka, u trazua dhe e pyeti: “Si është e mundur të bëhet kjo tek unë, përderisa nuk njoh burrë?” Gabrieli e qetësoi dhe i shpjegoi: “Kjo do të bëhet me hirin e Shpirtit të Shenjtë, i cili do të vijë mbi ty dhe me fuqinë e të Lartit që do të të mbulojë” (Llk. 1:34-35). Fuqia hyjnore të pamundurat i bën të mundura. Prandaj Kisha jonë e himnon misterin e madh dhe thotë se para vullnetit të tërëfuqishëm të Perëndisë “munden ligjet e natyrës”.

Në këtë ditë kremtojmë, së pari, Ungjillëzimin e përjetshëm që Trinia e Shenjtë solli për shpëtimin e njerëzimit dhe, së dyti, Atë që nuk e nxënë as qiejt, i Cili erdhi dhe banoi në mitrën e Hyjlindëses: Birin e Perëndisë që u bë Biri i Virgjëreshës, që të lartësojë njeriun e rënë.

Kryeengjëlli shkoi te Maria e hirshme në Nazaret dhe i shpalli lajmin e gëzueshëm, se ajo do të lindte një bir në mënyrë të përmbinatyrshme, dhe Atij do t’i jepet emri “Jisu”. I tha se Biri i saj do të ulet në fron të lavdëruar dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim (Llk. 1:31-33). Do të mjaftonin vetëm këto fjalë, që Etërit e shenjtë i përmblodhën në Simbolin e Besimit (neni 7), për të dëshmuar se Krishti është Perëndi dhe se besimi ynë është i vërtetë. Kush mund të profetizojë për një foshnje, dhe të thotë se cila do të jetë e ardhmja e tij, madje kur është biri i një vajze të varfër? Askush! Megjithatë, Kryeengjëlli Gabriel nuk dyshoi aspak kur tha se do të bëhej: “…i madh dhe bir i të Lartit do të quhet… dhe mbretëria e tij nuk do të ketë fund”. Le të shohim se si vërtetohen fjalët e kryeengjëllit për mbretërinë dhe fronin e Krishtit.

Mbretëria e Tij

Që nga dita kur kryeengjëlli Gabriel shpalli këtë profeci, kanë kaluar 20 shekuj. Gjatë kësaj kohe jetuan e qeverisën plot mbretër, perandorë e pushtetarë. Emrat e shumë prej tyre u bënë të njohur, e magjepsën mendimin kolektiv, u bënë të famshëm, por sot janë të harruar! Ndërsa emri i Jisu Krishtit jo vetëm u bë i njohur, por adhurohet ndër breza. “Mbretëria e tij nuk do të ketë fund”. Kjo profeci ka vlerë edhe më të madhe, kur mendojmë se figura e Krishtit u luftua me tërbim. Të fuqishmit e kohëve u përpoqën ta fshijnë kujtimin e Tij me mish e me shpirt.

Me çfarë kuptimi themi se Krishti është mbret? Cilat veçori ka mbretëria e tij?

Kur Jisui ngopi në shkretëtirë pesë mijë burra duke shumuar mrekullisht të pesë bukët, turmat dëshironin ta bënin mbret. Dhe çfarë bëri Ai? U largua në mal i vetëm. Kur të Premten e Madhe e sollën të lidhur në pretore, Pilati e pyeti: “Ti je mbreti?” (Jn. 18:37). Nëse je mbreti, ku e ke kurorën, shpatën, skeptrin, ushtritë, bindësit e tu? Jisui, i zhveshur, i varfër e i munduar i dha këtë përgjigje: “Mbretëria ime nuk është nga kjo botë” (Joan 18:36). Pra, mbretëria ime nuk ngjason me mbretëritë e kësaj bote. Që nga ato më totalitaret e deri në më liberalet, të gjitha sundimet mbështeten te imponimi, dhuna dhe armët. Por mbretëria e Krishtit është e bekuar. Krishti, si mbret, e hedh poshtë dhunën. Në kopshtin e Gjethsemanisë, kur e arrestuan, Simon Pjetri, i turbulluar, i preu veshin me thikë njërit prej ushtarëve. Jisui menjëherë e shëroi, duke i thënë nxënësit të vet: “Vëre thikën tënde në mill, sepse gjithë sa përdorin thikë, nga thika do të vdesin (Mt. 26:53).

I Plotfuqishmi kërkon të jetë pa armë. Mësimi i tij u shtri me sakrifica: bijtë e tij nuk therën, por u therën nga të tjerë. Mbretëria e Perëndisë mbështetet në lirinë e njeriut, ashtu siç shpall lajmi i tij: “Ai që do, le të më vijë pas…” (Mt. 16:24). “Kush dëshiron…”, askënd nuk detyron, por e lë njeriun të lirë të zgjedhë, nëse dëshiron të bëhet i bindur ndaj Mbretërisë së tij. Gëzohu, o mbret Jisu Nazareas, që e themelove mbretërinë mbi lirinë, të vërtetën dhe drejtësinë!

Lidhur me përjetësinë e mbretërisë së Perëndisë do të referojmë një ngjarje: Midis perandorëve që e luftuan Zotin tonë shquhet Julian Apostati (332-363). Ishte luftëtar trim, i shkolluar si shumë pak mbretër, por e la djallin që t’i shtinte ndër mend që të rivendoste adhurimin e idhujve të Olimpit si dhe të ndërpriste përhapjen e Krishterimit. U përpoq shumë për këtë. Por cili ishte fundi i tij? Në një betejë me persët, u godit me shigjetë në gjoks. Ndonëse mjekët u përpoqën shumë ta shëronin, ai mblodhi në dorë gjakun që i rridhte nga plagët, e spërkati në ajër dhe tha: “Më munde, o Nazareas”.

Froni i Tij

Ungjilli i sotëm flet edhe për fronin e Krishtit. Cili është froni i Tij dhe ku gjendet?

Mund të vijnë kohëra – dhe do të vijnë, përderisa shkruhet në Zbulesë – ku ferri do të nxjerrë jashtë tërë djajtë; do të shfaqen antikrishtë. Këta mund të rrëzojnë kambana dhe kisha, të djegin ikona dhe Ungjillin, të vrasin priftërinjtë; por froni i të Lartit nuk do të tundet. Froni i tij është zemra e çdo njeriu që e beson si Perëndi dhe Shpëtimtar. Atje brenda mbretëron përmes dashurisë, shpresës dhe besimit.

Sa gëzim duhet të kemi që i përkasim Kishës së Krishtit. Besimi ynë nuk është ndonjë gënjeshtër, trillim apo krijim gjuhësor; përkundrazi, është realiteti më madhështor. Po, i përkasim mbretërisë së Perëndisë; e dëshirojmë atë me mall dhe lutemi që të vijë e të bëhemi pjesëtarë të saj.

Le t’i nënshtrohemi mbretit Krisht. Është mbreti i kryqëzuar, mbreti i të gjithëve, mbret i mbretërve, Alfa dhe Omega. Ai është dielli, shpresa, Zoti dhe Perëndia ynë. Do të vijë dita kur të gjithë do të gjunjëzohen përpara Tij dhe “çdo gjuhë” do ta rrëfejë e do të thotë: Një është shenjt, një është Zot, Jisu Krishti, për lavdi të Perëndisë, Atit. Amin.”

Përzgjodhi e përktheu
Eleni Pani