EmailFacebookKontakt

Fitoi Perëndinë, që është e vetmja pasuri

I

Jemi mbledhur për të përkujtuar një njeri të dashur, të cilin shumë nga ne e kanë njohur personalisht. Jam i gëzuar dhe i përmalluar që ky përkujtim po bëhet në këtë vend ku ruhen ikonat, të cilat aq shumë i deshi dhe për të cilat aq shumë punoi për t’i mbledhur dhe për t’i ruajtur, në ato kohë të vështira ku pushteti i errësirës donte të shkatërronte çdo shpresë e të shuante çdo dritë. Por shpresa nuk vdes kurrë dhe drita e së Vërtetës, siç thoshte edhe ai vetë, nuk mund të shuhet kurrë, sepse është “dritë që nuk perëndon”.

Por do të doja të flisja më tepër për Theofanin si njeri dhe për botën e tij të brendshme shpirtërore, sepse për Theofanin si studiues do të flasin shumë lektorë të tjerë, të mirinformuar dhe dashamirës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e kulturës të vendit tonë. Për të kuptuar më mirë biografinë e dikujt, si edhe motivimet e aktivitetit të tij, duhet të njihet edhe bota e brendshme shpirtërore; njësoj sikurse për të njohur më mirë historinë e një vendi, duhet të njihet edhe gjendja psiko-kulturore e atij vendi.

Do të ndalem pak për ta shtjelluar më qartë këtë mendim, sepse për sa i përket evidentimit dhe paraqitjes së gjendjes psiko-kulturore të një individi apo të një populli, pa të cilat vështirësohet një kuptim më i mirë dhe më i thellë i ngjarjeve të jashtme, ne kemi mangësi dhe besoj se kjo është një temë që duhet hulumtuar dhe shtjelluar më tej. I njohim nga jashtë heronjtë dhe njerëzit e shquar të vendit tonë, por pak njohim botën e tyre të brendshme. Ngjarjet historike nuk mund të shpjegohen dhe të interpretohen vetëm në kushtet materiale të një shoqërie ose të një kohe të caktuar. Në histori ndikojnë si kushtet gjeopolitike, ekonomike dhe shoqërore, po ashtu edhe kushtet kulturore (ku përfshihen botëkuptimet, mentalitetet, zakonet, arti, përjetimi fetar dhe gjendja psikologjike) të kohës kur ndodhin ngjarjet. Sepse, jo rrallë, historianët i kanë shkruar ngjarjet e së kaluarës, jo në kontekstin e kohës kur ato kanë ndodhur, por në kontekstin e kohës së vet. Historiografia moderne i shikon ngjarjet historike në shumë dimensione, sepse të gjitha këto janë të pandashme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Që në shek. XVIII, që përkon edhe me periudhën e lulëzimit të Voskopojës, Volteri shkruante: “Objekti im kryesor nuk është historia politike ose ushtarake, por është historia e arteve, e tregtisë, e qytetërimit – me një fjalë – e mendjes njerëzore. Dy Librat e tij historikë, shumë të famshëm, Shekulli i Luigjit XIV dhe Ese e zakoneve dhe mendjes (ose e frymës) së kombeve, me të cilat fillon historiografia moderne e Francës, u bënë gjithashtu një gur themeli për të gjithë historiografinë moderne, sepse, pa paraqitjen gjithashtu të frymës dhe mendjes njerëzore, d.m.th. të gjendjes kulturore, historia nuk mund të jetë e plotë.

Mendja dhe kultura janë të pandara nga njëra tjetra, sepse njerëzit formohen nga kultura e tyre dhe janë po ata që formojnë vazhdimësinë e kulturës. Prandaj, është jetike për ne që vlerat e krijuara në vendin tonë, të paraqiten ashtu siç janë, me tërë bukurinë, madhështinë dhe dobësitë që ato mund të kenë. Sepse, jo rrallë, ato janë paraqitur të deformuara, saqë shpesh është vështirë të kuptohet përse po bëhet fjalë.

Le të marrim si shembull paraqitjen që i është bërë ikonografisë sonë. Ato janë paraqitur sikur të ishin bërë vetvetiu. Nuk është folur pothuajse fare për frymën që i frymëzonte ikonografët dhe për ambientin e tyre fetaro-kulturor ku ata jetonin. Që Onufri ka qenë protopapë (prift i parë), pak përmendet. Edhe kur përmendet, trajtohet vetëm si një e dhënë e biografisë së tij dhe jo si pjesa kryesore e frymëzimit dhe e përjetimit të asaj që ai pikturonte. Sepse, stili që karakterizon artin bizantin, ka të bëjë kryesisht me shprehjen fetare, ose e thënë ndryshe, me përkthimin e teologjisë së Kishës në mjete artistike, qofshin ato muzikore, arkitekturore, ikonografike etj. Qëllimi i këtij arti është të shprehë misterin e besimit, prandaj është i mbushur me një simbolizëm shpirtëror kaq të pasur dhe të thellë. Kisha Orthodhokse, e cila ishte krijuesja e kësaj trashëgimie të pasur kulturore, për arsye të ndryshme, përmendet fare pak ose aspak, duke u lënë pothuajse në hije. Po ashtu, përmendet pak, ose aspak, kostoja e lartë financiare, pa të cilën këto vlera nuk do të mund të krijoheshin.

Duke i paraqitur kështu të gjymtuara, ne vetë i gjymtojmë vlerat tona historike dhe kulturore dhe, për më tepër, cenojmë vazhdimësinë psiko-kulturore të popullit tonë, duke krijuar çoroditje dhe mjegullim. E vërteta nuk dëmton askënd, dhe për më tepër, ne nuk e kemi tagrin ta fshehim ose ta shtrembërojmë. Njerëzit mund të mos ta pëlqejnë të vërtetën, mund t’u duket e papërshtatshme dhe lënduese, mund ta persekutojnë të vërtetën, ta shkatërrojnë dhe të përpiqen ta shtypin edhe nëpërmjet ligjit. Por të mendosh se njerëzit kanë pushtetin përfundimtar mbi të është iluzion. E vërteta është përgjithmonë, njerëzit jo.

Në historiografinë tonë është kryer një punë e madhe, e cila duhet vlerësuar, e arritur nga një brez i talentuar dhe i aftë historianësh. Megjithatë, interpretimi i ngjarjeve historike në veprat e tyre u deformua rëndë nga presioni i regjimit të kaluar. Ky deformim krijoi paragjykime dhe opinione të paracaktuara, të cilat pengojnë madje edhe sot nxjerrjen në pah të së vërtetës. “Ajo që i kundërvihet më shumë zbulimit të të vërtetës – shkruan Shopenhauri – nuk është paraqitja e rreme që rrjedh nga gjërat dhe që të drejton në gabim, ose drejtpërsëdrejti nga dobësia e fuqisë së arsyetimit. Përkundrazi, ajo vjen nga mendimi i paracaktuar, nga paragjykimi, i cili si i rremë apriori, i kundërvihet të vërtetës. Është pra si një erë e kundërt që e shtyn anijen mbrapsht, nga drejtimi i kundërt i bregut, kështu që timoni dhe velat punojnë më kot.

II

E bëra këtë hyrje pak të gjatë, sepse mendoj se kjo do të na ndihmojë për ta kuptuar dhe vlerësuar edhe më shumë jetën dhe veprën e Theofanit tonë të dashur. Ai ia përkushtoi tërë jetën e tij të vërtetës, studioi dhe punoi fort për Atë, duke u bërë shembull për shumë e shumë njerëz. Fjala e tij e dashur jepte shpresë, qortimi i tij nuk zemëronte dhe këshillat e tij ndërtonin. Tek ai ishte kombinuar dijetari me shpresëtarin, duke i dhënë fjalëve të tij, të dala nga një mendje e ditur, edhe ngrohtësinë e një zemre të prekur nga dashuria e Krishtit.

Theofani lindi në vitin 1914 në Elbasan, në një familje të njohur të lagjes “Kala”. Shkollën fillore e kreu në Elbasan dhe më pas studioi në Seminarin Teologjik në qytetin e Manastirit. Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Athinë.

I pajisur kështu me njohuri të shumta teologjike dhe duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, ai ishte personi i duhur që Perëndia e kishte përgatitur në ruajtjen e kulturës së vendit tonë dhe të pasurisë shpirtërore të këtij të fundit. Ne jemi mbledhur pikërisht për të përkujtuar atë dhe veprën e tij, për mbrojtjen e kishave dhe kulturës së vendit tonë, si edhe për mbledhjen dhe ruajtjen e ikonave, kësaj pasurie të rrallë shpirtërore dhe kulturore, e cila dëshmon për besimin e fortë dhe devotshmërinë e vazhdueshme të popullit tonë. Me vështirësi të mëdha dhe me rrezik real, Theofani mblodhi mijëra ikona, të cilat tashmë gjenden në këtë muze si dhe në muze të tjera në mbarë vendin.

Theofani jetoi dhe punoi në një kohë ku mbrojtja e së vërtetës kërkonte guxim dhe vendosmëri, ku shumë shprehnin dhe mendonin se po ai mundohej më kot.

Të shumtë ishin ata, madje edhe nga dashamirësit e tij, që e pyesnin se ç’po fiton nga tërë kjo përpjekje. I thonin këto, se nuk e kuptonin, se të “humbësh” për të vërtetën, kërkon një besim të madh dhe, për një besimtar si Theofani, të humbësh për Perëndinë është një fitim i madh. Nuk arrinin të kuptonin arsyen përse ai po përpiqej të ruante këtë pasuri të madhe, sepse nuk e njihnin botën e tij të brendshme shpirtërore. Nga një koleg i tij kam dëgjuar në atë kohë këto fjalë: Theofani është një njeri i mirë, i drejtë, i ditur, familjar dhe punëtor, por nuk e kuptoj se përse rrezikon kaq shumë.

Tertuliani, një apologjet i madh i krishterë që jetoi në shekullin e dytë të erës sonë, në një kohë kur perandoria romake i përndiqte mizorisht të krishterët, shkruan: “Dëgjohen shpesh në Romë këto fjalë, filani është burrë i mirë, i drejtë, i dashur dhe i ndihmon të gjithë ata që janë në nevojë, por ç’e do, është i krishterë. Nuk ndalin të mendojnë se përse ai është i drejtë, i dashur dhe zemërdhembshur? Është i tillë pikërisht sepse është i krishterë.”

Atë që nuk kuptonin disa nga kolegët e Theofanit ishte pikërisht kjo gjë. Ai rrezikoi gjithçka, për të ruajtur thesarin shpirtëror të vendit të tij pikërisht sepse ishte besimtar, një njeri me integritet që e donte dhe e mbronte të vërtetën, edhe kur kjo gjë ishte me rrezik. Këtë e tregon edhe një ngjarje nga jeta e tij, të cilën na e ka treguar vetë, por është thënë edhe nga disa bashkëpunëtorë të tij. Disa nga kolegët e tij, nga smira, e akuzuan, se nëpërmjet maskimit për punë shkencore, bënte propagandë fetare. Në një mbledhje, për ta zënë në kurth, atë e pyetën: “A beson në Zot, apo jo?” Ai iu përgjigj qetë, por i vendosur: “Nëse do t’ju thosha se nuk besoj do t’ju gënjeja, dhe gënjeshtrat nuk janë në karakterin tim”.

Sot, kur shumë nga persekutorëve të Theofan Popës u është harruar emri, ndonëse nuk kanë kaluar shumë kohë, atij që “u mundua më kot” për të vërtetën po shkëlqen. Emrin e Theofan Popës u munduan ta linin në harresë, ta denigronin dhe ta poshtëronin, por nuk ia arritën qëllimit, as atëherë dhe aq më pak sot.

Duke u përpjekur për t’i ruajtur ato, ai ishte i ndërgjegjshëm se po ruante një pjesë të shpirtit të popullit shqiptar.

Ndonëse shpesh i rrezikuar, ai ruante atë pak dritë që kishte mundur të shpëtonte nga stuhitë e tmerrshme që kanë fryrë vazhdimisht me tërbim mbi vendin tonë. Populli ynë kishte nevojë për dritë, më shumë se çdo vend tjetër, sepse këtu edhe errësira ishte më e madhe.

Njerëz si Theofani, si edhe shumë të tjerë, secili sipas aftësive dhe mundësive që kishin, dhanë një kontribut të madh për ta ruajtur këtë dritë dhe për ta shpërndarë atë kudo. Në qiellin e errët ateist, këta ishin yjet e pakët që rrezatuan dritë, atë dritë aq të domosdoshme për jetën e njeriut dhe përmbushjen e qëllimit të jetës. Këta do të mbeten gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë.

Më kujtohet entuziazmi dhe shpresa e tij e madhe edhe në çastet kur çdo njeri do ta kaplohej nga dëshpërimi i thellë. Kur u mbyllën kishat, ai e ruajti përsëri shpresën. Edhe kur i arrestuan djalin e tij, Dhimitrin, Theofani përsëri u mbështet tek Perëndia dhe nuk u dorëzua. Edhe në çastet e fundit të jetës, kur ishte i sëmurë dhe e kuptoi se Perëndia i tij i dashur, të Cilit i kishte shërbyer me devotshmëri gjatë gjithë jetës, po e thërriste pranë Vetes, përsëri e përballoi vdekjen me qetësi dhe besimin e madh se ajo nuk është fundi, por fillimi i jetës së plotë. Edhe në çastet e fundit të jetës nuk reshti së dëshmuari për Perëndinë dhe për dashurinë e tij për njeriun.